Sipas një anketimi të kryer nga organizata “Gallup”, 57 për qind e njerëzve në mbarë botën, nuk e mbështesin Moskën. Një sondazh i ri tregon se lufta në Ukrainë ka dëmtuar jo vetëm përpjekjet e Rusisë në vijën e frontit, por edhe reputacionin e vendit në mbarë botën. Gjetjet e organizatës “Gallup” tregojnë se mbështetja globale për udhëheqjen në Moskë është në pikën më të ulët, që kur grupi filloi me mbledhjen e këtyre të dhënave.
Hulumtimi i organizatës “Gallup” i publikuar ditët e fundit, tregon se sulmi kundër Ukrainës ka dëmtuar imazhin e Rusisë në botë.
Organizata u kërkoi të anketuarve në 137 vende të ndryshme të botës të ndajnë pikëpamjet e tyre mbi udhëheqjen ruse.
“Sondazhi tregoi një rënie të mbështetjes në nivelin më të ulët që kemi hasur, prej momentit kur filluam mbledhjen e këtyre të dhënave. Në nivel global përkrahja për Rusinë ishte në 21 për qind, një nivel më i ulët krahasuar me vitin 2014, kur u aneksua Krimeja. Por gjetja kryesore është një rritje e pashembullt prej 57 për qind e njerëzve në botë që nuk e mbështesin atë”, thotë Julie Ray nga organizata ”Gallup”.
Ashtu sikurse pritej nivelet më të larta të mospajtimit me Rusinë u identifikuan në vendet që e mbështesin Ukrainën.
Në Shtetet e Bashkuara 93 për qind e të anketuarve thanë se nuk i mbështesin veprimet e Moskës; në Kanada 91 për qind; në Poloni 95 për qind ndërsa në Ukrainë 96 për qind nuk i mbështesin veprimet e saj.
Në vitin 2021, 31 për qind e të anketuarve në Amerikën Latine ishin kundër veprimeve të Kremlinit.
Më 2022-in, ky numër arriti në 61 për qind, edhe pse Kosta Rika ishte i vetmi vend në rajon që iu bashkua sanksioneve globale kundër Moskës.
“Në Amerikën Latine, pavarësisht pozicionit të përgjithshëm neutral të udhëheqësve të këtyre vendeve, shohim se popullsia është e zemëruar me Rusinë. Kjo do të thotë se qëndrimet e udhëheqësve në rajon dhe propaganda ruse nuk ka funksionuar me popullatën atje”, thotë David Kramer nga Instituti George W. Bush.
Sondazhi thekson gjithashtu një nivel të lartë shqetësimi nga shumë vende në Evropën Lindore, duke përfshirë ato ish-anëtare të Bashkimit Sovjetik.
“Kazakistani është rast interesant, sepse shohim se mbështetja për udhëheqjen ruse ka rënë nga 55 për qind më 2021, në 29 për qind më 2022-in. Kjo është rënie e madhe dhe një pjesë e saj është reflektim i qëndrimit kundër të Presidentit Tokayev ndaj veprimeve të Rusisë; ai nuk e ka mbështetur sulmin. Në përgjithësi, vendet fqinje me Rusinë janë më të shqetësuara mbi planet dhe synimet e Presidentit rus Putin”, thotë zoti Kramer.
Të anketuarit u pyetën edhe për fuqitë e tjera të mëdha. Mbështetja globale për udhëheqjen amerikane është 41 për qind, atë gjermane 46 për qind, ndërsa atë kineze, 28 për qind.