Lidhje

Të rinjtë ultra-ortodoksë izraelitë shkëputen nga stili fetar i jetesës 


Ilustrim
Ilustrim

Në Izrael, ultra-ortodoksët, të cilët respektojnë rreptësisht ligjin hebraik, përbëjnë aktualisht rreth 13 për qind të popullsisë së Izraelit, megjithëse numri i tyre po rritet për shkak të një niveli të lartë të lindjeve. Në të njëjtën kohë, një numër në rritje i të rinjve ultra-ortodoksë po zgjedhin të largohen nga komuniteti, duke ndërprerë shpesh të gjitha lidhjet me të kaluarën e tyre. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Linda Gradstein njofton nga Jeruzalemi.

Të rinjtë ultra-ortodoksë izraelitë shkëputen nga stili fetar i jetesës
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:44 0:00

Shkollat ultra-ortodokse izraelite fokusohen pothuajse ekskluzivisht në studimet fetare, dhe shumica i ndalojnë nxënësit e tyre të përdorin internetin, gjë që mund t'i çojë ata jashtë komuniteteve izoluese, drejt shoqërise laike liberale. Por një numër në rritje i të rinjve ultra-ortodoksë po zgjedhin të shkëputen.

Sipas Yair Hass, drejtori ekzekutiv i organizatës Hillel, rreth 3,000 nga këta të rinj ultra-ortodoksë, të quajtur "jotzim", janë larguar nga komuniteti vitin e kaluar. Organizata prej më shumë se një mijë vullnetarësh ndihmon shumë prej tyre të fillojnë një jetë të re, duke u ofruar strehim të përkohshëm, edukim dhe këshillim psikologjik.

“Ne ofrojmë mbështetje dhe një mënyrë për të përballuar vetminë. Vetmia është e tmerrshme sepse ata janë shkëputur nga familjet e tyre. Dikush që largohet nga bota ultra-ortodokse shihet si tradhtar i vlerave dhe mënyrës së tyre të jetesës, dhe shumë nga ata që largohen gjithashtu përballen me faj të tmerrshëm. Është thelbësore që ata të marrin mbështetje nga të tjerët që janë larguar nga bota ultra-ortodokse”.

Qendrat Hillel në katër qytete izraelite organizojnë darka të përbashkëta dhe aktivitete të tjera për të zëvendësuar jetën ultra-ortodokse të lënë pas. Disa nga “jotzimët” ishin të martuar, si Fredi, e cila ishte 18 vjeç kur prindërit e saj organizuan një mblesëri me një burrë që ajo nuk e njihte.

Zëri i Amerikës po përdor vetëm emrat "jotzim" për të mbrojtur privatësinë e tyre.

“Një ditë thjesht u largova. Isha 20 vjeçe dola nga shtëpia dhe nuk e dija se ku po shkoja. Për tre muaj çdo ditë, kërkoja vetëm një vend për të kaluar natën. Përfundimisht gjeta qendrën Hillel ku më ofruan një shtrat dhe shërbime të tjera”, thotë Fredi.

Të tjerë thonë se vendimi për t'u larguar u mori vite.

“Dëshira për t’u larguar nga bota ultra-ortodokse më erdhi ngadalë sepse nuk më lejohej të këndoja para burrave, nuk më lejohej të vishesha si doja, ... nuk kisha aftësi. Nuk mund të dilja në botë dhe të trajtohesha denjësisht në një punë ku mund të rritesha”, thotë Bracha.

Hillel ndihmon "jotzimët" të marrin studime laike që nuk i mësuan kurrë në shkollat ultra-ortodokse për t'i përgatitur ata për një punë në botën e jashtme.

“Më duhej të filloja nga fillimi, me miq të rinj, një gjuhë të re, një kulturë tjetër. Duhet të studiosh gjëra krejtësisht të ndryshme. Nuk ke asnjë diplomë, anglishte apo matematikë”, thotë Dudi.

Partitë politike ultra-ortodokse në qeverinë e re fetare të krahut të djathtë të Izraelit po kërkojnë aktualisht rritje masive buxhetore për të mbështetur stilin e jetesës së komunitetit të tyre, veçanërisht edukimin fetar. Ata duan t'i mbajnë të rinjtë e tyre të kënaqur brenda komunitetit dhe jo të tundohen, për tu larguar dhe për t'u bashkuar në shoqërinë moderne izraelite.

XS
SM
MD
LG