Lidhje

Kosovë, 24 vjet nga masakra e Izbicës


Izbicë Kosovë
Izbicë Kosovë

Në muajin mars të vitit 1999, ndërsa NATO-ja po vazhdonte fushatën ajrore kundër forcave serbe, në terren ato forca po kryenin sulme hakmarrëse kundër popullatës shqiptare.

Kjo periudhë e vitit, në Kosovë është e mbushur me ngjarje përkujtimore të masakrave në të cilat u vranë mijëra njerëz, për fatin e një pjese të të cilëve nuk dihet asgjë që nga përfundimi i luftës.

Kosovë, 24 vjet nga masakra e Izbicës
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:36 0:00

Ndër masakrat më të rënda sipas veprimtarëve humanitarë është ajo e fshatit Izbicë - rreth 80 kilometra larg kryeqytetit. Në këtë fshat, me 28 mars të vitit 1999 u vranë mbi 140 shqiptarë, gjashtë prej të cilëve ende janë pjesë e listës së personave të zhdukur gjatë luftës.

“Edhe Izbica është një ndër dëshmitë e shumta që shteti serb ka kryer gjenocid dhe qëllimin e kishte të shfaroste popullin shqiptar. Prandaj edhe sot këtu e ndajmë dhimbjen me të gjitha familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre, sepse dhimbja e tyre është dhimbje e Kosovës”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani të martën.

“Jemi këtu sot që të nderojmë dhe përkujtojmë të vrarët nga regjimi fashist e gjenocidal i Millosheviqit në Izbicë. Për drejtësinë, për viktimat dhe familjet që janë gjithashtu viktimë si i gjithë populli do të angazhohemi përjetë, vazhdimisht”, tha kryeministri, Albin Kurti.

Beqir Shala, banor i kësaj zone rrëfen për Zërin e Amerikës se mëngjesin e 28 marsit të vitit 1999 forcat serbe kishin grumbulluar kryesisht burra e djem në këtë pjesë të fshatit. Ai thotë t’i ketë dëgjuar të shtënat e armëve nga një kodër në afërsi ku po fshihej bashkë me dy persona të tjerë.

“Pasdite rreth orës njëmbëdhjetë apo dymbëdhjetë, nuk e di saktësisht orën, por sipas krismave rafalle që kanë qenë, janë pushkatuar në pesë grupe. Tri grupe janë pushkatuar në këtë pjesën këndej, dy në atë pjesën andej kodrës”, thotë ai.

Të nesërmen, Beqiri ishte në mesin e disa dhjetëra fshatarëve që ndihmuan për t’i varrosur kufomat.

“Diku deri në 50 veta kemi qenë që është dashur t’i bartim e të ua bëjmë varrimin. I kemi varrosur ashtu siç kanë qenë, me batanije që kemi pasur i kemi mbështjellë i kemi varrosur”, rrëfen ai.

Forcat serbe pas pak ditësh kishin zhvarrosur kufomat dhe i kishin shpërndarë në varreza masive në Kosovë e Serbi, në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre. Edhe sot e kësaj dite disa varreza në Izbicë janë të zbrazta sepse nuk janë gjetur trupat e të gjithë të vrarëve.

Beqiri thotë se trupin e xhaxhait e kishin gjetur pas tri vitesh në një varrezë masive në zonën e Vushtrrisë, mbi 20 kilometra larg Prishtinës. Ai thotë se është me rëndësi të ndriçohet fati i të gjithë të zhdukurve gjatë luftës.

“Të paktën kur e din ku është, ku po flenë eshtrat e tij, je më rehat je më i qetë. Kështu që është brenga më e madhe e krejt atyre njerëzve që sot e kësaj ditë pas 24 vitesh nuk dinë për të afërmit e vet”, thotë ai.

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se personat e zhdukur janë trashëgimia më e dhimbshme e luftës.

Në marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që u arrit në Ohër me 18 mars, palët u pajtuan të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, si çështje urgjente.

Por zoti Blakaj, thotë se nëse bëhet fjalë vetëm për deklaratë, nuk ka shpresë se mund të ndikojë në përshpejtimin e këtij procesi.

“Nëse bëhet fjalë vetëm për deklaratë, atëherë kam frikë që është vetëm një dështim i radhës, mirëpo nëse ekziston një plan i veprimit prapa këtij dakordimi i cili në mënyrë të saktë përshkruan veprimet që do t’i ndërmarrin palët për zbardhjen e fatit të të zhdukurve, mund të shresojmë”, thotë ai.

Sa i takon vënies së drejtësisë në vend lidhur me krimet e luftës, zoti Blakaj thotë se deri tash 71 persona janë dënuar gjithsej me aktgjykim të plotfuqishëm, ndërsa thekson mungesën e dënimeve ndaj zyrtarëve të lartë të përfshirë në këto krime.

“Presidenti i atëhershëm i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç ka vdekur para se t’i jepej verdikti, ndërsa gjashtë zyrtarë të lartë serbë janë dënuar para Tribunalit të Hagës. Dhe kjo është e tëra sepse në gjykimet tjera që kanë ndodhur edhe në Serbi edhe në Kosovë, nuk ka pasur zyrtarë të lartë e as të mesëm të forcave serbe që janë dënuar”, thotë zoti Blakaj.

Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, ndërsa edhe 24 vjet më pas nuk dihet asgjë për fatin e mbi 1 mijë e 600 personave.

XS
SM
MD
LG