Lidhje

Thirrjet e Trumpit për protesta marrin reagim të heshtur nga mbështetësit


Trump Legal Troubles Protests
Trump Legal Troubles Protests

UASHINGTON (AP) - Thirrjet e ish-Presidentit Donald Trump për protesta përpara ngritjes së mundshme të aktakuzës nga prokuroria e Nju Jorkut, kanë ndeshur kryesish në heshtjen e mbështetësve të tij. Madje disa nga besnikët e tij më të flaktë, e kanë hedhur poshtë idenë, duke e konsideruar si një humbje kohe, apo një kurth të forcave të zbatimit të ligjit.

Kjo gjë ka ngritur pikëpyetje nëse zoti Trump, ndonëse një pretendent kryesor i republikanëve në garën presidenciale të vitit 2024, e që vazhdon të ketë ndjekës të përkushtuar, ka ende fuqinë për të mobilizuar mbështetësit e ekstremit të djathtë, ashtu siç bëri më shumë se dy vite më parë, para 6 janarit 2021, sulmit të dhunshëm ndaj Kapitolit. Ky reagim sugjeron gjithashtu se qindra arrestimet që pasuan sulmin ndaj Kapitolit, përfshirë dënimet për një kohë të gjatë me burg, mund të kenë zbehur dëshirën për të përsëritur trazira masive.

Megjithatë, forcat e zbatimit të ligjit në Nju Jork po vazhdojnë të monitorojë nga afër bisedat në internet që paralajmërojnë protesta dhe dhunë nëse zoti Trump arrestohet. Kërcënimet ndryshojnë për nga specifika dhe besueshmëria, thanë katër zyrtarë për agjencinë ‘Associated Press’. Mesazhet e postuara kryesisht në internet, janë thirrje për protestues të armatosur, që të bllokojnë oficerët e zbatimit të ligjit dhe të përpiqen të ndalojnë çdo arrestim të mundshëm, thanë zyrtarët.

Klubi i të Rinjve Republikan të Nju Jorkut ka njoftuar planet për një protestë në Manhatan të hënën. Po kështu postime nxitëse por të izoluara, u shfaqën në platformat e mediave sociale nga mbështetësit e tij, që bënin thirrje për një konfrontim të armatosur me forcat e rendit, në rezidencën e ish-presidentit në Mar-a- Lago të Floridës.

Por gati dy ditë pasi zoti Trump pretendoi në platformën e tij “Truth Social” se ai pret të arrestohet të martën dhe nxiti ndjekësit të protestonin, ka pak shenja që tregojnë se thirrja e tij ka arritur të frymëzojë mbështetësit për t’u organizuar dhe grumbulluar sikurse ndodhi më 6 janar. Në fakt, një organizator i njohur për mitingjet që i paraprinë trazirave në Kapitol, postoi në Twitter se ai synonte të mos përzihej.

Ali Alexander, i cili organizator i lëvizjes "Stop the Steal", ‘Ndalni Vjedhjen’, organizoi gjithashtu mitingje për të mbështetur pretendimet e pabaza të zotit Trump se demokratët i vodhën zgjedhjet e 2020-ës, paralajmëroi mbështetësit e ish-presidentit se do të "burgosen ose do të marrin dënime më të ashpra", nëse protestojnë në qytetin e Nju Jorkut.

“Atje ju nuk do të keni liri apo të drejta”, shkruante ai në Twitter.

Një nga aleatët e zotit Alexander në fushatën e tij "Stop the Steal" ishte dhe mbështetësi i teorive të konspiracionit, Alex Jones, i cili përforcoi pretendimet për manipulim në zgjedhje në emisionin e tij ‘Infowars’. Zoti Alexander shkruante në internet se kishte biseduar me zotin Jones dhe tha se asnjëri prej tyre nuk do të protestonte këtë herë.

"Ne të dy kemi mjaft probleme nga beteja me qeverinë", shkruante ai. "Asnjë miliarder nuk po mbulon faturat tona", shtonte ai më tej.

Kjo është në kontrast me ditët para trazirave të Kapitolit, kur zoti Trump nxiti mbështetësit duke i ftuar në Uashington për një "protestë të madhe" më 6 janar, duke postuar në Twitter, "Hajdeni, do të jetë një ngjarje e madhe!"

Mijëra mbështetës të zotit Trump sulmuan Kapitolin atë ditë, duke shpërthyer dritaret dhe duke u përleshur dhunshëm me oficerët e policisë, në një përpjekje që në fund dështoi, për të ndaluar çertifikimin e fitores në zgjedhje të demokratit Joe Biden.

Rreth 1000 pjesëmarrës në sulmin e dhunshëm janë arrestuar tashmë, shumë prej tyre kanë fatura të larta ligjore dhe kanë shprehur keqardhje e pendim në gjykatë për veprimet e tyre. Disa janë ankuar se ndihen të braktisur nga zoti Trump. Nga ana tjetër teoritë e konspiracionit se trazirat u nxitën apo u organizuan nga informatorë të fshehtë të zbatimit të ligjit, që vepronim mes turmës, kanë vazhduar të lulëzojnë në internet, Mbështetësit e zotit Trump i përmendin ato si një bazë për të shmangur një protestë të re në shkallë të gjerë.

John Scott-Railton, ekspert me përvojë të gjatë në organizatën ‘Citizen Lab’, i cili ka studiuar lëvizjen "Stop the Steal" në internet, tha se ankthi i të futurit në kurth nga të ashtuquajturit agjentë provokatorë, po ushqen "paranojën se nëse shkojnë dhe kryejnë akte dhune, mund të kapen dhe mund të ketë pasoja”.

“Kjo duket se ka venitur gatishmërinë e shumë njerëzve për të bërë deklarata të forta për të qenë të gatshëm për t'u përfshirë në dhunë”, thotë ai.

Një juri e madhe po heton pagesat e fshehta të bëra ndaj dy grave që pretendojnë se kanë pasur marrëdhënie seksuale me zotin Trump. Prokurorët nuk kanë thënë se kur mund të përfundojë puna e tyre apo se kur mund të ngrihen akuzat.

Qasja e ndryshme rreth asaj se sa larg duhet shkuar për të mbështetur ish-Presidentin Trump në betejën e tij kundër ndjekjes penale, është shtrirë edhe në sferën politike. Ish-Nënpresidenti Mike Pence, që pritet të sfidojë zotin Trump në garën për të siguruar kandidimin zyrtar nga Partia Republikane për Shtëpinë e Bardhë, e kritikoi atë gjatë një interviste për kanalin ‘ABC News’ këtë fundjavë duke e cilësuar "të pamatur" referuar veprimeve të tij më 6 janar. Ai shtoi se historia do ta mbante atë përgjegjës. Po nga ana tjetër zoti Pence ai i bëri jehonë komenteve të ish-presidentit se një aktakuzë ndaj tij, do të kishte një ngarkesë politike.

“Nuk kam asnjë dyshim se Presidenti Trump di të kujdeset për veten e tij, dhe ai do ta bëjë këtë gjë. Por kjo nuk e justifikon një ndjekje politike ndaj një ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha zoti Pence.

Dita e hapjes së konferencës së republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve në Orlando të Floridës, u venit me shpejtësi nga lajmet për një aktakuzë të mundshme. Kryetari Kevin McCarthy dhe republikanë të tjerë të Dhomës së Përfaqësuesve, thanë se një gjë e tillë do të ishte skandaloze, si dhe kritikuan Prokurorin e Qarkut Alvin Bragg rreth atyre që i cilësuan tregues të shfrenuar të kriminalitetit, në qytetin e Nju Jorkut.

Zoti McCarthy tha se ai ka mbledhur ekspertë të Kongresit për të hetuar nëse prokurori Bragg ka përdorur grantet e Departamentit të Drejtësisë për të ndjekur çështjen kundër zotit Trump. Por pavarësisht retorikës së nxehtë ndaj prokurorit, udhëheqësit republikanë nuk i mbështetën thirrjet e ish-presidentit që protestuesit të "marrin situatën në dorë”, sikurse është shprehur ai.

“Nuk mendoj se njerëzit duhet të protestojnë për këtë gjë. Edhe kur bisedon me vetë Presidenti Trump, kupton se edhe ai vetë nuk e mendon një gjë të tillë", tha zoti McCarthy.

XS
SM
MD
LG