Banorët e Parisit u përleshën me policinë gjatë javës së kaluar pas vendimit të presidentit francez Emmanuel Macron për të rritur moshën e pensionit. Presidenti Macron tani përballet me një publik të zemëruar dhe pasojat politike të vendimit të tij. Por në jug të Parisit, një tjetër krizë po afrohet për banorët e rajonit pasi thatësira e dimrit mund të dëmtojë perspektivat e tyre për punë.
Rritja e moshës së daljes në pension ka shkaktuar protesta të mëdha në Paris, duke detyruar policinë gjatë fundjavë që të përdorte topa uji për shpërndarjen e tyre.
Por gati 800 kilometra në jug të kryeqytetit punëtorët po përballen me një kërcënim tjetër dhe ekzistencial pranë digës së liqenit Montbel.
“Aktualisht jemi në nivelin 15 milionë metra kub ujë në liqen, rreth 25 për qind të kapacitetit maksimal. Në këtë periudhë të vitit, zakonisht jemi më afër 60 për qind të kapacitetit”, thotë Xavier Rouja, menaxher i digës së liqenit Montbel.
Ai shtoi se ka nevojë për një menaxhim të veçantë të ujit në verë për të balancuar burimet pas dimrit më të thatë francez në 64 vjet.
Liqeni artificial Montbel u krijua në vitin 1985 kryesisht për të ujitur të mbjellat. Që atëherë ai është bërë një destinacion për shëtitje dhe kamping. Por vetëm në shkurt, rajoni pati një mungesë reshjesh në nivel 80 për qind.
“Liqeni Montbel garanton të ardhurat tona. Pa ujë në rajonin tonë, fermat nuk mund të mbijetojnë. Shumë prej tyre do të zhdukeshin nëse nuk do të kemi ujë”, thotë Christophe Mascarenc, president i Shoqatës Rajonale të Fermerëve për Sistemet e Ujitjes.
Fermerët thonë se tashmë janë detyruar të kalojnë në kultivimin e kulturave bujqësore më miqësore ndaj dimrit, që nuk mbështeten në ujitje, por thonë se kjo ka dëmtuar të ardhurat e tyre. Ekspertët thonë se fermerët duhet të përshtaten më këtë situatë të re.
“Në vitin 2022 kemi pasur kushte moti, që do të jenë mesatare në vitin 2050 për shkak të ndryshimeve klimatike. Kështu që ne duhet të mësohemi dhe të përshtatemi me këtë lloj moti. Diga e Montbelit është një shembull i këtij deficiti uji dhe i rënies së mëtejshme të nivelit të ujit në të ardhmen”, thotë Franck Solacroup, drejtues i Delegacionit për rrjedhën e sipërme të lumit Garonne.
Mediat njoftojnë se autoritetet franceze po punojnë në një plan për të devijuar një lumë aty pranë për të rimbushur liqenin, por janë përballur me reagime nga organizatat e mbrojtjes së mjedisit. Pra, për momentin, industritë lokale të bujqësisë dhe turizmit kanë mbetur pa zgjidhje.