Lidhje

Moska:  Marrëveshja e grurit me Ukrainën zgjatet vetëm për 60 ditë 


Kombet e Bashkuara konfirmuan se marrëveshja për eksportin e grurit ukrainas nga portet e Detit të Zi, e cila do të skadonte të shtunën, është zgjatur, por nuk ka thënë për sa kohë.

Sipas kushteve të marrëveshjes, rinovimi duhet të jetë për 120 ditë, por Rusia tha se do ta zgjasë atë vetëm për gjysmën e kësaj periudhe.

Rusia ra dakord të zgjasë marrëveshjen e grurit për vetëm 60 ditë, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë Maria Zakharova për agjencinë ruse të lajmeve TASS të shtunën. “E përsërisim edhe një herë. Rusia ra dakord të zgjasë marrëveshjen për 60 ditë”.

“Iniciativa e Detit të Zi për drithërat, së bashku me Memorandumin e Mirëkuptimit për promovimin e produkteve ushqimore dhe plehrave ruse në tregjet botërore, janë kritike për sigurinë globale të ushqimit, veçanërisht për vendet në zhvillim”, tha në një deklaratë zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric. “Ne mbetemi fuqishëm të përkushtuar ndaj të dyja marrëveshjeve dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve të dyfishojnë përpjekjet e tyre për t'i zbatuar ato plotësisht".

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili, së bashku me Kombet e Bashkuara, ndihmuan në ndërmjetësimin e marrëveshjes, konfirmoi gjithashtu se ajo ishte zgjatur, por nuk specifikoi për sa kohë.

Ministri i infrastrukturës i Ukrainës kishte thënë në një postim në Twitter se zgjatja e marrëveshjes ishte për 120 ditë.

Për javë të tëra, Kombet e Bashkuara kanë punuar për ta mbajtur marrëveshjen plotësisht funksionale pasi Rusia kishte ngritur ankesa për zbatimin e tij.

Që kur u nënshkrua më 22 korrik në Stamboll dhe u shty në nëntor, nisma ka lehtësuar eksportin e afro 25 milionë tonëve drithëra dhe produkte të tjera ushqimore nga tre porte të Detit të Zi në Ukrainë për në tregjet globale.

Një memorandum mirëkuptimi midis Rusisë dhe Kombeve të Bashkuara ka arritur të zbusë shqetësimet e bankave, transportuesve dhe aktorëve të tjerë të sektorit privat për të bërë biznes me Rusinë.

“Si rezultat, tregjet janë qetësuar dhe çmimet globale të ushqimeve kanë vazhduar të bien”, tha të premten shefi i OKB-së për çështje humanitare, Martin Griffiths. Ai dhe shefja e tregtisë së OKB-së, Rebeca Grynspan, u takuan në fillim të kësaj jave në Gjenevë me zëvendësministrin e jashtëm rus Sergey Vershinin, teksa bënin përpjekje që të mbanin Moskën tërësisht të përfshirë.

OKB-ja ka theksuar se marrëveshja e grurit ka qenë kritike në uljen e çmimeve globale të ushqimeve, të cilat u rritën për shkak të pandemisë COVID-19 dhe pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë. Rusia dhe Ukraina janë prodhuesit kryesorë globalë të ushqimit.

XS
SM
MD
LG