Lidhje

Drejtuesi ekzekutiv i TikTok-ut do të dëshmojë përpara Kongresit


Shefi ekzekutiv i TikTok, Shou Zi Chew, është planifikuar të dëshmojë para Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Energjinë dhe Tregtinë më 23 mars. Ligjvënësit janë të shqetësuar se qeveria kineze mund të ketë qasje tek të dhënat e përdoruesve të aplikacionit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Deana Mitchell shpjegon se çfarë mund të presim nga seanca në Kongres.

Drejtuesi ekzekutiv i TikTok-ut do të dëshmojë përpara Kongresit
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:00 0:00

Shefi ekzekutiv i TikTok-ut, Shou Zi Chew pritet të përballet me pyetje nga ligjvënësit amerikanë në lidhje me praktikat e privatësisë dhe sigurisë së të dhënave të aplikacionit në pronësinë kineze, politikat e sigurisë për fëmijët dhe lidhjet me Partinë Komuniste.

Në një seancë të mëparshme mbi kërcënimet e sigurisë, senatori Marco Rubio pyeti drejtorin e FBI-së Christopher Wray për kompaninë mëmë të TikTok, ByteDance, e cila e ka selinë në Pekin.

"A mundet që qeveria kineze, duke qënë pronare e firmës ByteDance, e cila nga ana e saj ka në pronësi filialin amerikan - nëse do të dëshironte, do ta detyronte ByteDance të bashkëpunonte dhe ta përdorte TikTok-un për të kontrolluar të dhënat e miliona përdoruesve?"

“Po”, u përgjigj drejtori i FBI-së.

A mund ta përdorin atë për të kontrolluar aplikacionin që është në miliona pajisje, nëse iu jepet mundësia?"

“Po”, u përgjigj drejtori i FBI-së.

“Ata mund të mbledhin të dhënat tona, të manipulojnë informacionin, të helmojnë mendjet e miliona njerëzve. Ky është një kërcënim thelbësor për sigurinë kombëtare për vendin, me të cilin nuk jemi përballur në të kaluarën”, tha senatori Rubio.

Drejtuesit e TikTok-ut, si shefja e komunikimit të politikave publike Brooke Oberwetter, thonë se kompania po trajton shqetësimet e sigurisë në Shtetet e Bashkuara.

“Së pari dhe më e rëndësishmja, qeveria kineze nuk ka kërkuar kurrë të shohë të dhënat e përdoruesve amerikanë dhe ne kurrë nuk u kemi dhënë atyre të dhëna, as nuk do ta bënim, nëse do të na e kërkonin një gjë të tillë. Të gjitha të dhënat tona tani kalojnë përmes infrastrukturës Oracle Cloud, ku mbahen në një mjedis të sigurt, që menaxhohet nga ekipi ynë i sigurisë së të dhënave në Shtetet e Bashkuara".

Studiuesi i Fondacionit Heritage, Jake Denton thotë se të kesh TikTok në telefonin tënd është si të kesh me vete një balonë personale mbikqyrëse.

“Ky aplikacion duket miqësor, por është dëmtues. Ai është i aftë në mënyrë unike të mbikëqyr dhe mbledh sasi masive të dhënash. Ekziston edhe një propagandë e madhe kineze. Ka një grumbullim të madh të të dhënave që thjesht krijon një cënueshmëri masive për amerikanët e zakonshëm dhe qeverinë tonë”.

Në dhjetor, TikTok-u u ndalua në pajisjet në pronësi federale. Disa shtete, duke përfshirë Teksasin dhe Misisipin, kanë marrë masa gjithashtu për të kufizuar aplikacionin. Por studiuesi James Lewis thotë se një ndalim i plotë nuk ka gjasa të ndodhë.

“Fatkeqësisht, për njerëzit që duan të ndalojnë TikTok-un, Kushtetuta nuk i lejon ta bëjnë një gjë të tillë. Teksasi ka autoritetin të thotë, 'Nuk mund ta përdorësh atë në një pajisje shtetërore. Nuk mund ta përdorësh në punë në një rrjet shtetëror”, por nuk mund t'u thuash njerëzve se çfarë të bëjnë në jetën e tyre private”.

Kongresi po shqyrton një legjislacion dypartiak që do t'i jepte Presidentit Joe Biden pushtet për të ndaluar çdo teknologji me bazë të huaj, që përbën një kërcënim për sigurinë kombëtare.

XS
SM
MD
LG