Moldavia po lufton atë që zyrtarët thonë se është përpjekje ruse për të destabilizuar ish-republikën e vogël sovjetike, e cila kufizohet me Ukrainën dhe prej kohësh është rreshtuar pro Perëndimit. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Ricardo Marquina, udhëheqësit moldavë kanë nisur një fushatë kundër propagandës ruse, që ka rihapur debatin mbi përdorimin e gjuhës ruse dhe lirinë e shprehjes.
Presidentja e Moldavisë Maia Sandu flet me ton serioz ndërsa i drejtohet kombit të saj. Qeveria e këtij vendi të vogël beson se Rusia, një vit pasi filloi agresionin në Ukrainë, ka një plan për të ndryshuar dhunshëm pushtetin në vendin e saj.
“Qëllimi i veprimeve të Rusisë është përmbysja e rendit kushtetues, ndryshimi i qeverisë legjitime në Kishinau me një qeveri të paligjshme, e cila do ta vinte vendin tonë në shërbim të Rusisë”, thotë Maia Sandu, presidente e Moldavisë.
Shoqëria moldave është thellësisht e ndarë midis atyre që flasin rumanisht, me lidhje historike me Rumaninë dhe Evropën dhe rusishtfolësve, që mbajnë lidhje të forta me Moskën.
Kjo ndarje ka krijuar terrenin e përsosur për propagandën ruse për të promovuar politikën e Kremlinit, ashtu siç ndodhi në Ukrainë.
Qeveria moldave i hoqi licencën e transmetimit televizionit RTR Moldova, si dhe pesë kanaleve të tjera në gjuhën ruse.
Arsyetimi zyrtar është se ato transmetojnë në mënyrë të paligjshme programe të prodhuara në Rusi, por arsyeja jo zyrtare është se janë dora e Kremlinit në Moldavi.
Punonjësit e këtij kanali televiziv e kritikojnë vendimin dhe thonë se ai lë një pjesë të madhe të popullsisë pa program, që është i pamundur të krijohet në Moldavi për shkak të mungesës së të ardhurave nga reklamat.
“Përmbajtja nga Rusia që ne transmetojmë është tradicionale për shumë shikues moldavë. Në Moldavi ka shumë njerëz që flasin rusisht dhe u pëlqejnë shumë këto programe, që janë të pamundura të prodhohen këtu”, thotë Vasily Moyseenko, gazetar tek RTR Moldavia.
Mbyllja e këtyre kanaleve ka rihapur debatin për lirinë e shprehjes gjatë kohës së luftës. Autoritetet përgjegjëse megjithatë janë të prerë për arsyet e vendimit.
Liria e fjalës nuk do të thotë liri për të dezinformuar"
“Liria e fjalës nuk do të thotë liri për të dezinformuar. Ne pamë se si raportonin disa stacione televizive para luftës. Para luftës ne vumë re se një grup i stacioneve mediatike përgatitën këtë sulm ndaj Ukrainës. Ishte një përgatitje informative dhe justifikim për agresionin që do të vinte”, tha Liliana Vitu, presidente e Këshillit Audiovizual të Moldavisë.
Mikhail Sirkeli është një nga komentatorët politik me kanalin më të njohur në YouTube në Moldavi. Sipas tij, kanalet televizive të pezulluara janë altoparlantët e presidentit rus, Vladimir Putin.
Ata po nxisin urrejtjen kundër Ukrainës. Ata po promovojnë linjën e përgjithshme të politikës ruse”
“Duhet të zgjedhësh mes lirisë së fjalës nga njëra anë dhe nga ana tjetër sigurisë së vendit. Ata po nxisin urrejtjen kundër Ukrainës. Ata po promovojnë linjën e përgjithshme të politikës ruse”, thotë Mikhail Sirkeli, komentator politik moldav në YouTube.
Të tjerë besojnë se pezullimi i këtyre kanaleve rusishtfolëse është një sulm kundër lirisë së shtypit. Kjo është pikëpamja e televizionit GRT, një kanal në rajonin jugor të Gagauzisë që transmeton në rusisht, rumanisht dhe gjuhën lokale dhe që nuk është mbyllur.
“Është e vështirë të thuhet se ekziston liria e fjalës kur disa njerëz në pushtet përpiqen përmes ndikimit të tyre të shtypin, ose të diktojnë diçka. Prandaj mendoj se nuk ka liri të fjalës”, thotë Drejtori i Televizionit GRT në Moldavi.
Moldavia u është bashkuar vendeve në Evropë në ndalimin e kanaleve të propagandës ruse, por duke pasur një popullsi kaq të madhe rusishtfolëse, debati në këtë vend shkon shumë më thellë.