Ligjvënësit amerikanë do të ndërmarrin një hap të rëndësishëm këtë javë drejt shfuqizimit të një autorizimi të pushtetit presidencial për luftë, që ka ekzistuar për disa dekada, pasi një përpjekje për të rivendosur autoritetin në Kongres, duket se ka fituar mbështetje në rritje.
"Si demokratët dhe republikanët kanë arritur në të njëjtin përfundim: ne duhet ta lëmë pas nesh luftën në Irak njëherë e përgjithmonë. Dhe për këtë, duhet të shfuqizojmë autoritetin ligjor që nisi luftën", tha udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer javën e kaluar, duke vlerësuar përpjekjet dypartiake.
Ligjvënësit kanë bërë përpjekje të shumta vitet e fundit për të shfuqizuar Autorizimet e vitit 2001 dhe 2002 për Përdorimin e Forcës Ushtarake, të miratuara pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, duke u dhënë presidentëve amerikanë kompetenca të gjera për të kryer operacione ushtarake, pa të drejtën kushtetuese të Kongresit për miratim.
Deri më sot, çdo përpjekje ka dështuar mes kritikave se shfuqizimi i këtyre autorizimeve rrezikon sigurinë kombëtare të SHBA dhe forcat amerikane jashtë vendit.
Përveç shfuqizimit që autorizonte luftën e vitit 2003 në Irak, legjislacioni në shqyrtim këtë javë në Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit do të shfuqizonte gjithashtu autorizimin e vitit 1991 që lejoi Presidentin George Herbert Walker Bush të dërgonte forca në Irak.
"Iraku është një partner strategjik i Shteteve të Bashkuara në avancimin e sigurisë dhe stabilitetit të Lindjes së Mesme. Fatkeqësisht, sipas këtyre ligjeve që janë ende në fuqi, Iraku është ende teknikisht një armik i Shteteve të Bashkuara," tha senatori republikan Todd Young, një mbështesës i legjislacionit. "Kjo mospërputhje dhe pasaktësi duhet të korrigjohet. Kongresi duhet të bëjë punën e tij dhe të marrë seriozisht vendimin që jo vetëm ta detyrojë Amerikën në luftë, por të thotë në mënyrë të. prerë se ne nuk jemi më në luftë".
Presidentët e të dyja palëve kanë përdorur autorizimin e vitit 2002 si justifikim për veprimet ushtarake përtej qëllimit të tij fillestar. Në vitin 2014, presidenti demokrat Barack Obama përdori autorizimin për të justifikuar sulmet ajrore pa miratimin e Kongresit kundër militantëve të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri. Presidenti republikan Donald Trump përdori të njëjtin autorizim në 2020 për të justifikuar sulmin ajror që vrau gjeneralin iranian Qassim Suleimani në Irak.
Një gamë e gjerë ligjvënësish amerikanë mbështesin tani legjislacionin, duke argumentuar se Kongresi ka neglizhuar përgjegjësitë e tij kushtetuese për disa dekada. Hera e fundit që Kongresi përdori zyrtarisht pushtetin e tij për të shpallur luftë ishte në vitin 1942 kundër Rumanisë, Bullgarisë dhe Hungarisë. Që nga ajo kohë, Kongresi u ka dhënë presidentëve amerikanë autoritet më të gjerë për të kryer operacione ushtarake.
"Kongresi është përgjegjës për shpalljen e luftërave dhe përfundimin e tyre, sepse vendimet po aq të rëndësishme sa për dërgimin ose jo të trupave tona në rrezik, kërkojnë një diskutim të kujdesshëm dhe konsensus", tha senatori demokrat Tim Kaine, një tjetër bashkësponsor i legjislacionit. "Autorizimet e vitit 1991 dhe 2002 nuk janë më të nevojshme, nuk shërbejnë për asnjë qëllim operacional dhe rrezikojnë keqpërdorimin e mundshëm".
Pasi legjislacioni të kalojë në komision, ai do të shkojë për një votim të plotë në Senatin me shumicë demokratike. Pritet të ketë mbështetje të mjaftueshme republikane për ta miratuar .
Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë demokratike shfuqizoi autorizimin në vitin 2002 me një votim 268-161 në qershor 2021, por projeklgiji nuk arriti të miratohej në Senat. Autorizimi i vitit 2001 për luftën e SHBA-së në Afganistan mbetet gjithashtu ligj, pavarësisht përpjekjeve të mëparshme për një shfuqizimin.