Lidhje

Amazon pezullon përkohësisht ndërtimin e qendrës së dytë në Virxhinia


Amazon-Headquarters-Pause
Amazon-Headquarters-Pause

Amazon ndërpreu përkohësisht punën për ndërtimin e selisë së saj të dytë në Virxhinia pas numrit më të madh të pushimeve nga puna në historinë e kompanisë dhe ndryshimit të qasjes mbi punën nga shtëpia të personelit të saj.

Kompania me seli në Siatëll ka vendosur të shtyjë fillimin e punës për ndërtimin e qendrës “PenPlace”, faza e dytë e zhvillimit të selisë së saj në Virxhinia veriore, tha John Schoettler, shefi i pasurive të paluajtshme të kompanisë Amazon, përmes një deklarate. Ai tha se kompania ka punësuar tashmë më shumë se 8000 punonjës dhe do t'i mirëpresë ata në qendrën “Met Park”, faza e parë e zhvillimit të selisë së saj të re në Virxhinia, e cila do të hapet në qershor.

"Ne vazhdimisht i analizojmë dhe vlerësojmë planet hapësinore për t'u siguruar që ato i përshtaten nevojave tona të biznesit dhe krijojnë një përvojë të shkëlqyer për punonjësit. Meqenëse “Met Park” do të ketë hapësirë për të akomoduar më shumë se 14000 punonjës, ne kemi vendosur të shtyjmë për pak kohë fillimin e punës për ndërtimin e qendrës së dytë “PenPlace”, tha zoti Schoettler.

Ai gjithashtu theksoi se kompania mbetet "e përkushtuar ndaj Arlingtonit" dhe rajonit lokal në Virxhinian veriore, të cilin kompania Amazon e zgjodhi, së bashku me qytetin e Nju Jorkut, për ndërtimin e qendrave të saj të reja disa vite më parë. Më shumë se 230 bashki kishin konkurruar fillimisht për të qenë mikëpritës të këtyre projekteve. Nju Jorku fitoi konkursin duke premtuar rreth 3 miliardë dollarë lehtësira tatimore dhe grante, mes përfitimeve të tjera, por kundërshtimi nga politikanët vendas, udhëheqësit e sindikatave dhe aktivistët e detyroi kompaninë Amazon të anulonte planet e saj atje.

Në shkurt të vitit 2021, kompania Amazon tha se do të ndërtonte një kullë 107 metra të gjatë për të ankoruar fazën e dytë të planeve të saj të zhvillimit në Arlington. Ndërtesat e reja pritej të ishin zyra për 25000 punëtorë që kompania kishte parashikuar t’i punësonte. Zëdhënësi i kompanisë Amazon, Zach Goldsztejn, tha se këto plane nuk kanë ndryshuar dhe pauza e ndërtimit nuk është rezultat ose pasojë e shkurtimeve të fundit të vendeve të punës, të cilat prekën 18000 punonjës.

Shkurtimet e vendeve të punës ishin pjesë e një plani më të gjerë të uljes së kostos për shkak të ngadalësimit të ritmit të shitjeve të shkaktuar nga frika e një rënie të mundshme ekonomike. “Meta”, “Salesforce” dhe kompani të tjera të teknologjisë, shumë prej të cilave kanë punësuar një numër të madhe njerëzish në vitet e fundit, gjithashtu kanë shkurtuar personelin e tyre.

Mes shkurtimeve të vendeve të punës, Amazon u ka kërkuar punonjësve të saj të kthehen në zyrë. Muajin e kaluar, Shefi Ekzekutiv i kompanisë Amazon, Andy Jassy tha se kompania do t'u kërkonte punonjësve të kthehen në zyrë të paktën tre ditë në javë, një ndryshim nga politika e mëparshme që lejonte drejtuesit e departamenteve të ndryshme të kompanisë të vendosnin vetë për këtë. Ndryshimi, i cili do të hyjë në fuqi më 1 maj, ka nxitur reagime nga punonjësit që thonë se preferojnë të punojnë nga shtëpia.

Zoti Goldsztejn tha se kompania pret të rifillojë punën përgatitore për fazën e dytë të ndërtimit të qëndrës së saj në Virxhinia më vonë këtë vit, duke përfshirë aplikimin për lejet e nevojshme. Ai tha se koha e saktë se kur do të rifillojë puna për këtë projekt ende nuk është përcaktuar. Kompania kishte thënë më parë se planifikonte të përfundonte projektin deri në vitin 2025.

XS
SM
MD
LG