Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të enjten se qeveria e Kosovës është e përkushtuar t’i trajtojë në mënyrë të barabartë të gjitha komunitetet jo shumicë në vend, por pa lejuar favorizimin e cilësdo prej tyre.
Ai i bëri këto komente gjatë një debati mbi “Pakicat në Kosovën e pavarur”, i cili u organizua në kuadër të veprimtarive me rastin e përvjetorit të 15-të të pavarësisë së Kosovës, që shënohet të premten.
“Qeveria jonë është e angazhuar që të gjithë qytetarët e Kosovës të trajtohen pa diskriminim. Kjo nënkupton që të mos ketë favorizime sepse privilegjet për dikë, bëhen pastaj diskriminim për dikë tjetër dhe barazia nuk na mbron vetëm nga diskriminimi, por edhe nga privilegjet e nga favorizimet sepse një pjesë e konsiderueshme e diskriminimeve nuk nisin si diskriminime, por nisin si favorizime për dikë, si privilegjim për dikë e më pas bëhen diskriminim për të tjerët”, tha kryeministri Kurti.
Kryeministri qartazi iu referua trysnisë perëndimore për fillimin e zbatimit të marrëveshjes për themelimin Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin ai ka vendosur disa kushte.
Zëvendëskryeministrja e Kosovës për çështje të pakicave dhe të drejtave të njeriut, Emilija Rexhepi, tha se 15 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, komunitetet pakicë vazhdojnë të përballen me sfida në fusha të ndryshme siç është punësimi.
“Do të ofrojmë kushte shumë më të mira për jetën e të gjitha komuniteteve në Kosovë, siguri si dhe ndalim të ikjes së të rinjve nga vendi, do të arrijmë një pajtueshmëri më të lartë të bashkëjetesës ndërmjet të gjitha komuniteteve dhe së bashku me shqiptarët, duke e ndarë të mirën dhe të keqen, do të ndërtojmë një të ardhme më të ndritshme për të gjithë ne. Ne duhet të jetojmë së bashku dhe nuk ka alternativë tjetër”, tha ajo.
Përfaqësues të komuniteteve jo shumicë thanë gjatë këtij debati se përgjatë këtyre viteve pavarësi, Kosova ka shënuar përparim në trajtimin e tyre, por ende ka punë për të bërë.
“Ne vetëm sa kemi filluar procesin e vërtetë të integrimit dhe ky proces natyrisht që do të ketë ulje ngritjet e veta, do të ketë sfida, por unë jam i sigurt se nëse punojmë ashtu siç kemi planifikuar me kryeministrin, rezultati nuk do të mungoj. Kemi disa ide siç është themelimi i një shtëpie të miqësisë shqiptaro –serbe”, tha ministri për Komunitete dhe Kthim, nga radhët e komunitetit serb, Nenad Rashiq.
“Punësimi është dhe mbetet sfida kryesore e komunitetit rom ku si pasojë ndikon në një mirëqenie aspak të mirë të këtij komuniteti. Arsimi i komunitetit rom nuk po e them që është i mirë por që nga shpallja e pavarësisë e deri më sot ka pasur progres të jashtëzakonshëm që nga vijueshmëria e sistemit fillor e deri te përfundimi i fakulteteve”, tha kryetari i grupit parlamentar multi etnik, Ergjan Galushi.
Kosova të premten shënon 15 vjetorin e pavarësisë së shpallur në vitin 2008, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evrpian, por kundërshtohet nga Serbia e cila mbështetet në përkrahjen e Rusisë dhe Kinës.