I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, pritet që të qëndrojë në Prishtinë në kuadër të përpjekjeve për të çuar përpara propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.
Vizita e tij pason takimet e së premtes së kaluar në Prishtinë dhe në Beograd së bashku me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe këshilltarët e udhëheqësve të Francës, Gjermanisë dhe Italisë.
Diplomatët perëndimorë po u bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përfitojnë nga propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Propozimi evropian parasheh zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të deritashme të arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i bëri thirrje të martën Kosovës që të pranojë propozimin evropian që u bë i njohur si nisma franko-gjermane.
Në një postim në rrjetin Twitter, zoti Chollet tha se bisedoi me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe diskutoi “për propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe për t’i kërkuar Kosovës ta pranojë atë”, shkroi ai.
Zoti Chollet tha se me kryeministrin Kurti ka diskutuar edhe për ecjen përpara me diskutimet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në kontekstin e dialogut dhe nevojën që zyrtarët serbë të Kosovës të kthehen në vendet e tyre të punës.
Qeveria e Kosovës as të mërkurën nuk foli për kërkesat e diplomatëve perëndimorë kundruall Prishtinës zyrtare.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka thënë se Serbia do të përballet me pasoja të rënda nëse nuk pajtohet me propozimin evropian. Presidenti serb përmes një video mesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale tha se do të shkojë në parlament për t’u përgjigjur për të gjitha çështjet që lidhen me propozimin, në të cilin theksohet se duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e deritashme të arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Autoritetet në Prishtinë thonë se çështja e Asociacionit mund të trajtohet në kuadër të marrëveshjes përfundimtare me Serbinë dhe se nuk mund të bëhet një mekanizëm një etnik sepse nuk është në frymën e Kushtetutës së vendit.
Por diplomatët amerikanë kanë theksuar se themelimi i Asociacionit është çështje e ndarë nga propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve dhe për javën që vjen kanë paralajmëruar hapjen e diskutimeve për këtë çështje.