Lidhje

Dokumentet e klasifikuara -Polemika thekson debatin mbi mbrojtjen e sekreteve qeveritare


Departamenti Amerikan i Drejtësisë po kryen hetime rreth gjetjes së dokumenteve sekrete në shtëpinë private të presidentit Joe Biden, si edhe në atë të paraardhësit të tij Donald Trump. Siç njofton korrespondetja e Zërit të Amerikës Veronica Balderas Iglesias, debati i hapur me këtë rast ka shtruar edhe pyetjen, përse kaq shumë informacione qeveritare janë sekrete dhe si duhen mbrojtur ato.

Në muzeun ndërkombëtar të spiunazhit këtu në Uashington, qytetarët mund të shohin nga afër kopjet e dokumenteve të klasifikuara. Shenjat "tepër sekrete", "sekret" ose "konfidenciale" kanë të bëjnë me dëmin e perceptuar që do të shkaktohej nëse informacioni do të binte në duar të gabuara, shpjegon historiani Andrew Hammond.

“Mund të bëhet fjalë për një operacion sekret të fshehtë. Mund të jetë informacion që ka të bëjë me politikën e jashtme amerikane, ose me dislokimin e ushtrisë amerikane. // Në përgjithësi, gjithmonë janë çështje që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare”.

Zoti Hammond shton se në Shtetet e Bashkuara, 18 agjenci të ndryshme të inteligjencës janë përgjegjëse për mbledhjen, analizimin dhe shpërndarjen e këtij informacioni. Por relativisht pak njerëz kanë qasje në dokumentat "tepër sekrete" dhe ata duhet të mbyllen fizikisht në Objektet e Informacionit të Ndarjes së Sigurt që njihen si "SCIF".

“Nuk mund të jesh vetëm i ulur në tavolinën e zyrës, por duhet të hysh në një qendër të tillë, ku njerëzit nuk 3 mund të të dëgjojnë. Pra, ka shumë shtresa të ndryshme kontrolli dhe sigurie”, shpjegon historiani.

Zëri i Amerikës u kërkoi disa agjencive qeveritare të demonstrojnë se si i përdorin qëndra të tilla të izoluara dhe metoda të tjera për të mbajtur sekret informacionin, por rregullat e tyre i ndalojnë ato që ta ndajnë këtë informacion me publikun.

Sidoqoftë, dokumentet e klasifikuara nuk qëndrojnë gjithmonë në mjedise zyrtare dhe shumë të sigurta.

Në fakt, prokurorët e pavarur aktualisht po hetojnë arsyet përse Presidenti Joe Biden dhe paraardhësi i tij Donald Trump, ruajtën materiale të ndjeshme pa autorizimin e duhur. Situata hedh dritë mbi nevojën për të përmirësuar sistemet për menaxhimin e dokumenteve të klasifikuara, veçanërisht duke pasur parasysh se administratat presidenciale ndryshojnë, thotë Michael Evans, një analist i lartë në Arkivin e Sigurisë Kombëtare.

“Duhet të ketë një bazë të dhënash që të përfshijë të gjithë titujt dhe datat, rreshtin e subjektit, krijuesin, çfarëdo të dhënash që dëshiron. // Sepse atëherë nuk do të humbasë ose ka shumë më pak gjasa që mund të humbasë ose të merret diku".

Në të njëjtën kohë, Evans mbron idenë për më shumë transparencë.

XS
SM
MD
LG