Lidhje

SHBA i kërkon Armenisë dhe Azerbajxhanit që të ulin tensionet


Rajoni Nagorno-Karabakh
Rajoni Nagorno-Karabakh

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i kërkoi të hënën presidentit të Azerbajxhanit Ilham Aliyev që të dyfishojë përpjekjet në diskutimet e paqes me Armeninë, ndërsa nxiti rihapjen e menjëhershme të korridorit tregtar Lichan, njoftoi Departamenti i Shtetit.

Tensionet midis Armenisë dhe Azerbajxhanit janë thelluar si rezultat i bllokimit gjatë javëve të fundit të rrugës së vetme që lidh Armeninë me rajonin e diskutueshëm të Nagorno-Karabakut.

Bisedimet e kryediplomatit Blinken me zotin Aliyev të hënën pasuan telefonatën që zhvilloi sekretari i shtetit me kryeministrin armen Nikol Pashinyan të mërkurën, ku u fol mbi përpjekjet për të rifilluar bisedimet dypalëshe me Azerbajxhanin.

“Ai (Blinken) theksoi se rreziku i një krize humanitare në korridorin Lachin minon perspektivat për paqe midis Armenisë dhe Azerbajxhanit”, u shpreh Departamenti i Shtetit përmes një deklarate të hënën.

Gjatë bisedës me Presidentin Ilham Aliyev, zoti Blinken gjithashtu ngriti shqetësimet amerikane lidhur me të drejtat e njeriut në Azerbajxhan, shtoi Departamenti i Shtetit.

Javën e kaluar, Rusia i tha gjithashtu Azerbajxhanit se rruga kryesore që të çon në rajonin e diskutueshëm të Nagorno-Karabakut duhet të spastrohet sa më shpejt nga protestuesit, por Bakuja nuk ka ndryshuar qendrim.

Rajoni Nagorno-Karabak njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por banohet nga një popullsi kryesisht armene. Çështja po bëhet një problem i madh për Rusinë, e cila dëshiron të mbajë marrëdhënie të mira me Azerbajxhanin dhe Armeninë, dy shtete të vogla ish-sovjetike në rajonin e Kaukazit.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha javën e kaluar se Rusia ishte e gatshme që të vendoste trupa në kufirin armeno-azer për të ulur tensionet, por qendrimi i vijës së ashpër të Jerevanit e kishte penguar atë deri më tani.

XS
SM
MD
LG