Presidenti Joe Biden përsëriti paralajmërimet e tij për ndryshimin klimatik dhe premtoi ndihma federale për Kaliforninë, pas sasisë së madhe të rreshjeve kohët e fundit që kanë shkaktuan përmbytje në shkallë të gjerë. Por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell, kritikët thonë se ai nuk ka bërë sa ç’duhet, ndërkohë që ata që lavdërojnë politikat dhe iniciativat e tij ligjore për klimën thonë se ndryshimi nuk do të vijë brenda natës.
Qiejt gri mbi Kaliforni, të ashtuquajturin shteti i artë, janë shembulli më i fundit i motit ekstrem që Presidenti Joe Biden thotë se është shkaktuar nga ndryshimet klimatike.
Moti ekstrem i shkaktuar nga ndryshimet klimatike krijon stuhi më të mëdha dhe më të shpeshta.
Presidenti Biden e vizitoi Kaliforninë të enjten për të vlerësuar dëmin e shkaktuar nga përmbytjet e fundit, për të premtuar ndihma federale dhe për të dhënë një mesazh:
“Duhet të investojmë tek një infrastrukturë më e fortë për të zvogëluar ndikimin e këtyre katastrofave, pasi në një kuptim ato i shtohen njëra-tjetrës. Kemi caktuar tashmë fondet nga ligji për infrastrukturën që firmosa një vit më parë”, tha Presidenti Biden.
Ai tha se ka marrë edhe masa të tjera me ligjin e miratuar së fundmi për uljen e inflacionit, që cakton rreth 400 miliardë dollarë fonde federale për energjinë e pastër, me qëllim përmbushjen e detyrimeve të Shteteve të Bashkuara në kuadrin e Marrëveshjes së Parisit për uljen e ngrohjes globale nën nivelin 2 gradë Celcius.
Presidenti Biden ka mbështetur gjithashtu teknologjitë e reja amerikane për energjinë e pastër me qëllim uljen e nivelit të gazeve ndotës, që shkencëtarët thonë se shkaktojnë ndryshimet klimatike.
Sherri Goodman nga Programi për Ndryshimin dhe Sigurinë Mjedisore të Qendrës Wilson thotë se qeveria amerikane e ka parë ndryshimin klimatik prej kohësh si një kërcënim.
“Duhet t’i shohim si rreziqe komplekse dhe në rritje, pasi njëri rrezik – furtunat e ushqyera nga zjarret në pyje – kanë në vazhdim ndikim tek faza e ardhshme e zhvillimeve klimatike, tek ngjarjet ekstreme, tek ndryshimet e vrullshme atmosferike; ato ndërveprojnë”, thotë zonja Goodman.
Barra financiare duhet të përballohet nga qeveria dhe sektori privat së bashku, thotë ajo. Ky mesazh iu dha edhe pjesëmarrësve në Forumin Botëror Ekonomik.
Presidenti Biden dërgoi në këtë forum në Davos të Zvicrës përfaqësuesin e tij më të lartë për klimën, John Kerry.
Drejtuesi i grupit financiar Zurich Insurance Group thotë se organizatat e ndryshme duhet të bashkojnë forcat për të luftuar ndryshimin klimatik.
“Zgjidhja e ndryshimeve klimatike i ngjason një pune në ekip. Nuk vjen nga vetëm një sektor, pra duhet të jenë të përfshira qeveritë. Bizneset, sektori financiar duhet të punojnë së bashku për të trajtuar këto çështje vërtet komplekse dhe në sistem”, thotë John Scott, drejtues për riskun financiar në “Zurich Insurance Group”.
Zonja Goodman thotë se ndryshimi do të kërkojë kohë.
“Nuk mund të heqim dorë menjëherë nga karburanti. Do të përdorim naftë dhe gaz edhe për disa kohë”, thotë ajo.
Por kritikët thonë se udhëheqësit duhet të jenë më agresivë, në veçanti kur bëhet fjalë për t’u përballur me industritë që ndotin mjedisin.
“Nuk mundemi ta ndreqim këtë problem pa veprim të fortë nga qeveria. Dhe kjo duhet të fillojë duke u përballur me kompanitë e hidrokarbureve që janë në epiqendër të problemit dhe që janë përpjekur prej kohësh të çorientojnë vëmendjen, të mohojnë dhe t’i shtyjnë gjërat”, thotë Kassie Ziegel, nga Qendra për Diversitet Biologjik, në Institutin për Legjislacionin Klimatik.
Disa nga kundërshtarët politikë të Presidentit Biden, madje edhe disa kolegë demokratë, kanë kundërshtuar miratimin e ligjeve më të forta, duke argumentuar se këta sektorë industrialë krijojnë vende të vlefshme pune.
A po bën pra Presidenti Biden më shumë se ç’duhet, apo jo mjaftueshëm? Vetëm koha, dhe temperaturat, do ta tregojnë.