Industria izraelite e armëve po rritet me shpejtësi, kryesisht për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë dhe rritjes së kërcënimeve ushtarake iraniane në Lindjen e Mesme dhe më gjerë. Kompania izraelite e mbrojtjes “Rafael” nënshkroi kohët e fundit një marrëveshje me kompaninë amerikane “Lockheed Martin” për të zhvilluar, testuar dhe prodhuar një sistem të ri mbrojtjeje ajrore me rreze lazer, të njohur si “Rrezja e Hekurt”. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Linda Gradstein njofton nga Jeruzalemi.
Eksportet izraelite të armëve u rritën 30 për qind vitin e kaluar, duke arritur në 11.3 miliardë dollarë. Vitin e ardhshëm këto shifra pritet të rriten. Analistët izraelitë të sigurisë besojnë se kjo po ndodh për shkak të luftës në Ukrainë.
"Pushtimi rus i Ukrainës ishte dhe ende është, si një sinjal alarmi për NATO-n. Është lufta e parë në tokën evropiane, në të cilin NATO është pothuajse e përfshirë në luftë, ose afër një konflikti me Rusinë. Ky ndërgjegjësim ka bërë që NATO papritur të kuptojë se ka nevojë për të gjitha llojet e armëve, jo vetëm nga Shtetet e Bashkuara. Por, edhe për të rritur blerjet e tyre nga Izraeli”, vlerëson korrespondenti i gazetës “Haaretz” që merret me çështjet e inteligjencës, Yossi Melman.
Analistët thonë se një nga arsyet pse armët izraelite pëlqehën më shumë është se ato provohen në kushte beteje, ndryshe nga armët e eksportuesve të tjerë.
“Rusia, para luftës së Ukrainës, ishte eksportuesi më i madh ose eksportuesi i dytë më i madh i armëve në botë. Tregu i tyre po shembet sepse armatimi rus nuk funksionon mirë. Të gjithë po e shohin këtë në Ukrainë. Shumë vende shkojnë në Izrael për të blerë sisteme të reja, sepse janë të pakënaqur me sistemet ruse që kanë”, thotë Shlomo Shpiro, drejtori i “Institutit Europa” në Universitetin “Bar-Ilan” në Izrael.
Analistët gjithashtu thonë se teknologjia izraelite shihet si një mjet i rëndësishëm kundër kërcënimit në rritje të fuqisë ushtarake iraniane.
Nuk janë vetëm vendet evropiane ato që janë të shqetësuara nga Irani, por edhe vende si Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Maroku. Këto vende , para dy vjetësh, nënshkruan marrëveshje paqeje me Izraelin, të njohura si Marrëveshjet e Abrahamit.
“Irani, i cili ka qenë burim destabiliteti më parë vetëm në Lindjen e Mesme, tani po dërgon papritmas dronë në Rusi dhe po krijon një aleancë ushtarake me Rusinë për ta ndryshuar kursin e luftës kundër Ukrainës, ku Moska po shënon humbje. Pra, të gjithë këta faktorë po bashkohen dhe lufta po e ndihmon Izraelin në këtë kuptim, po ndihmon pozitën izraelite në botë dhe në Evropë. Për këtë arsye, Izraeli po rrit tregun e saj të armatimeve”, thotë gazetari dhe eksperti i çështjeve të sigurisë, Yossi Melman.
Industria izraelite e armëve do të marrë një shtysë tjetër nga marrëveshja e fundit midis kompanisë izraelite “Rafael” dhe asaj amerikane “Lockheed Martin”, për të bashkëpunuar në sistemin e ri antiajror me lazer të njohur si “Iron Beam”, “Rrezja e Hekurt”.