Në Uashington, stadiumi “Robert F. Kennedy Memorial”, i njohur si stadiumi “RFK”, ku i kanë zhvilluar ndeshjet disa nga skuadrat më të dashura të kryeqytetit, është i vjetër dhe tashmë jashtë funksionit. Ai u sjell shumë kujtime tifozëve, por tani është në proces të një shkatërrimi gradual deri në fund të vitit 2023 për t'i hapur rrugë një projekti të ri. Në kuadër të një fushate lamtumire, tifozët janë ftuar të blejnë disa nga ulset origjinale të stadiumit.
Stadiumi “RFK” në Uashington, dikur një objekt shumë i dashur për banorët e qytetit, tani është duke u shkatërruar. Kostoja për mirëmbajtjen e stadiumit, të ndërtuar në vitin 1961, është bërë shumë e lartë për qytetin. Pak ndeshje zhvillohen tashmë aty. Zyrtarët e qytetit nuk donin që procesi i shkatërrimit të tij të ishte një ngjarje e trishtuar.
“Stadiumi ka qenë një pjesë e mrekullueshme e Uashingtonit. Ne menduam që mënyra e duhur për të festuar rëndësinë e tij, ishte organizimi i një fushate lamtumire. Shkatërrimi i tij filloi në heshtje, por më vonë ky proces do të jetë më i dukshëm. Ne jemi shumë të entuziazmuar për fillimin fushatës së shitjes së ulseve të tij!”, thotë Ralph Morton nga autoritetit për organizimin e ngjarjeve sportive dhe kulutore në Uashington, “Events DC”.
“RFK” ishte një nga stadiumet e para në Shtetet e Bashkuara, i ndërtuar për organizimin e ndeshjeve të futbollit amerikan dhe bejsbollit. Aty i zhvillonin ndeshjet ekipi i futbollit amerikan “Uashington Commanders”, ekipet e bejsbollit “Senatorët e Uashingtonit” dhe “Uashington Nationals”, klubi i futbollit “DC United” dhe shumë ekipe të tjera. Aty janë zhvilluar ndeshje të Kupës së Botës më 1994 dhe 9 ndeshje futbolli gjatë Olimpiadës së vitit 1996, si dhe ndeshje boksi, gara çiklizmi dhe maratona.
Këngëtarë si Madonna, Rolling Stones, Aerosmith, Michael Jackson dhe Beatles kanë dhënë koncerte. Ai është vizituar nga shumë udhëheqës politikë, përfshirë presidentët John Kennedy, Lyndon Johnson, Richard Nixon dhe George W. Bush.
Në ceremoninë e lamtumirës, shumë të ftuar nuk mund të fshihnin emocionet e tyre. Ish-qendërmbrojtësi dhe trajneri i ekipit “Uashington Commanders”, Doug Williams, ka luajtur në këtë stadium kur ekipi fitoi Superbollin për herë të dytë në vitin 1989.
“Mendoj për djemtë që kanë luajtur para meje, si Dave Butz, Charlie Taylor, Bobbie Mitchell, afrikano-amerikani i parë që luajti në këtë stadium, dhe historinë e këtij stadiumit. Tani ai po shkatërrohet, është një moment i hidhur”, thotë ai.
Edhe portieri aktual i ekipit të futbollit, “DC United”, Bill Hamid, foli në ceremoninë lamtumirëse.
“Është një moment i dhimbshëm. Kam bërë një tatuazh në ndeshjen time të parë si lojtar profesionist në këtë stadium më 5 maj të vitit 2010. Ajo ishte ndeshja e parë që fituam në atë sezon!”, thotë ai.
Kur u pyet se çfarë do të ndërtohet në këtë zonë pas shkatërrimit të stadiumit, kryebashkiakja e Uashingtonit, Muriel Bowser, nuk dha një përgjigje të qartë.
“Mbi 20 milionë njerëz në vit e vizitojnë Uashingtonin. Atyre u pëlqejnë të shohin ndërtesa që u kushtohen amerikanëve të famshëm, si Robert F. Kennedy. Pra, ne e dimë se kapitulli tjetër i kësaj zone duhet t’i japë nderimin e duhur zotit Robert F. Kennedy”, tha ajo.
Shkatërrimi i stadiumit do të zgjasë rreth një vit. Ndërkohë, tifozët dhe sportistët do të kenë ende kohë t’i thonë atij lamtumirë për herë të fundit.