Lidhje

Franca, Argjentina përballen për Kupën e Botës


Finalja e Kampionatit Botëror të Futbollit vë përballë kampionen aktuale Francën dhe Argjentinën në stadiumin Lusail në Katar.

Secila nga skuadrat synon të marrë titullin e tretë kampion.

Kroacia fitoi 2-1 ndaj Marokut në ndeshjen për vendin e tretë të shtunën, një lojë e bukur që shërbeu për të ngritur siparin për spektaklin kryesor ku Lionel Messi ka shansin e fundit për triumf botëror, nëse ekipi i tij fiton ndaj Francës.

Trajneri i Francës, Didier Deschamps ka zënë tashmë vendin e tij në mesin e më të mëdhenjve të sportit - si lojtar dhe trajner - por mund të shkojë një hap më tej nëse ekipi i tij fiton, pasi do të bëhej trajneri i parë që fiton tituj dy here radhaz në këtë post që pas Luftës së Dytë Botërore.

Hera e fundit që këto dy skuadra ishin përballë njëra-tjetrës, ishte në Kupën e Botës 2018 ku Franca mundi Argjentinën 4-3, një ndeshje që u konsiderua si më argëtuesja e Kampionatit në Rusi.

Finalja do të ketë gjithashtu një përplasje mes yjeve të dy brezave kur Messi 35-vjeçar, që luan në ndeshjen e tij të fundit të Kupës së Botës, të përballet me 23-vjeçarin Kylian Mbappe.

Secili nga lojtarët kanë shënuar pesë gola në Kupën e Botës dhe kanë gjasa të largohen nga Katari me tre trofe, pasi konkurrojnë gjithashtu për Këpucën e Artë për golshënuesin më të mirë, si dhe Topin e Artë për lojtarin më të mirë të turneut.

XS
SM
MD
LG