I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak tha të martën në Prishtinë se është vënë në përpjekje për të siguruar një takim të nivelit të lartë Kosovë – Serbi për të diskutuar mbi marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në bazë të propozimit që u bë i njohur si nisma franko-gjermane, e mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara.
Blloku tha se u ka dorëzuar Kosovës dhe Serbisë versionin e fundit të propozimit dhe shefi i politikës së Jashtme Josep Borrell tha të martën në Tiranë se ky është një moment i rëndësishëm në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë
“Versioni i fundit i tekstit është dërguar dje në Serbi dhe sot në Kosovë. Ata tani duhet të angazhohen në diskutime serioze sepse në këtë moment ekziston një mundësi e madhe”, tha ai.
Zoti Borell që po merr pjesë në takimin e lartë të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor në Tiranë, nuk dha ndonjë hollësi rreth propozimit, i cili nga ajo çfarë është thënë deri tani, nuk parasheh njohje të ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, një kërkesë e vazhdueshme e Kosovës, por një marrëveshje që siguron përparimin e të dyja vendeve drejt proceseve integruese.
As zoti Lajçak që po qëndron në Prishtinë nuk foli për hollësitë e propozimit por tha se është duke punuar për të siguruar një takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë në javët e ardhshme, ndërsa e vlerësoi me rëndësi që edhe Kosova edhe Serbia e kanë pranuar propozimin e Bashkimit Evropian si bazë për negociata e takime dhe duhet shfrytëzuar frymën aktuale pozitive.
Agjencia e lajmeve Reuters citoi një diplomat evropian i cili nuk ka dashur te identifikohet, të ketë thënë se propozimi është rishkruar pasi janë dëgjuar të dyja palët. Propozimi tha ai përmban një aneks "me një kalendar të qartë veprimesh - kur dhe si duhet të ndodhin gjërat”.
Zoti Lajçak tha në Prishtinë se Bashkimi Evropian nuk dëshiron zvarritje të procesit.
“Deri në mars, edhe pse unë nuk jam adhurues i afateve meqë kemi pasur shumë afate kohore këtu, por do të thosha që deri në muajin mars të vitit tjetër do të shohim ku jemi, sa kemi shënuar përparim dhe se ku po shkon ky proces”, tha zoti Lajçak.
As Beogradi e as Prishtina nuk e kanë komentuar përmbajtjen e tekstit të ri të marrëveshjes, për të cilën kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se duhet të përqendrohet në njohjen e ndërsjellë.
Zoti Lajçak i cili të hënën ishte në Beograd tha se pas tejkalimit të krizave të njëpasnjëshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është hapur mundësia për diskutime përmbajtjesore.
“Kjo është saktësisht arsyeja që unë jam këtu – për të kthyer diskutimet tona në çështjen e normalizimit të marrëdhënieve dhe për të diskutuar hapat e radhës së këtij procesi i cili bazohet në dokumentin që dorëzova këtu me 9 shtator. Ne duam të shfrytëzojmë këtë moment, kështu që po punojmë për një takim të nivelit të lartë ku do të trajtohet çështja e normalizimit, ne duam që ky takim të ndodhë brenda javësh”, tha zoti Lajçak.
Zoti Lajçak tha se me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë ka biseduar edhe për situatën në veri pas braktisjes së institucioneve vendase nga serbët në fillim të muajit të kaluar mes mospajtimeve rreth përdorimit të targave të makinave të lëshuara nga Serbia. Ndonëse palët arritën një pajtim për targat më 23 nëntor, nuk pati ndonjë pajtim rreth kthimit të serbëve në institucione, ndërsa autoritetet po bëjnë përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për pushtetin komunal në veri.
“Një gjë është e qartë, ne kemi një boshllëk serioz, boshllëk në siguri që nuk është mirë për banorët atje dhe për askënd dhe ne padyshim do të donim të kthehej një situatë normale ku policia është aty duke kryer detyrat e veta dhe gjyqësori është funksional e duke kryer punët. Kjo është ajo që unë kisha nevojë të dëgjoj nga të dy palët prandaj unë vërtetë ua transmetova pritshmëritë e Bashkimit Evropian dhe ne jemi të gatshëm të ndihmojnë në kthimin e situatës normale”, tha ai.
Zoti Lajçak tha se në procesin e dialogut të dyja palët kanë bërë shumë premtime dhe disa prej tyre janë zbatuar e disa jo.
“Çdo që për të cilën ka marrëveshje duhet të zbatohet, kjo është shumë e qartë, përndryshe procesi nuk do të ketë kurrë sukses”, tha ai.
Bashkimi Evropian u bëri thirrje gjatë javës së kaluar Kosovës dhe Serbisë të veprojnë në mënyrë evropiane dhe të shmangin veprimet dhe retorikën që mund të nxisë tensione.