Lidhje

Indonezi, fushata e imunizimit ndaj poliomielitit goditet nga dezinformatat mbi sëmundjen


Indonezi, fushata e imunizimit ndaj poliomielitit dhe dezinformimi
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:33 0:00

Indonezi, fushata e imunizimit ndaj poliomielitit dhe dezinformimi

Shfaqja e disa rasteve me poliomielit ka nxitur një fushatë të re imunizimi në Indonezi, një vend ku rreth 10 vite më parë, sëmundja ngjitëse u deklarua e zhdukur. Por fushata po ndesh në probleme kryesisht në një provincë konservatore, dhe autoritetet fajësojnë për këtë dezinformimin e përhapur se vaksina bie ndesh me besimet fetare.

Shumë fëmijë, shoqëruar nga prindërit e tyre u rreshtuan për t'u vaksinuar kundër poliomielitit në sheshin e qytetit Sigli, i cili ndodhet në skajin verior të ishullit indonezian të Sumatrës. Fushata nisi pas identifikimit të katër rasteve me poliomelit, një sëmundje tejet ngjitëse që u shpall e zhdukur rreth 10 vite më parë. Virusi u zbulua për herë të parë në tetor, tek një djalë 7-vjeçar që vuante nga paraliza e pjesshme. Ai jetonte në provincën Aceh pranë qytetit Sigli. Që nga ajo kohë janë zbuluar tre raste të tjera. Ky zhvillim ka nxitur një fushatë imunizimi masiv dhe shpërndarje në masë të informacionit mbi sëmundjen.

Indonezi, fushata e imunizimit ndaj poliomielitit dhe dezinformimi
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:33 0:00

Zyrtarët thonë se niveli i imunizimit ndaj poliomielitit në provincën konservatore është shumë më i ulët në krahasim me pjesën tjetër të vendit. Sipas tyre përpjekjet po pengohen nga dezinformimi i përhapur se vaksina bie ndesh me besimet fetare, krahas informacioneve të tjera të pavërteta rreth saj. Po kështu qeveria i ka dhënë përparësi vaksinimeve kundër COVID-19-s.

Fushata që filloi më 28 nëntor synon të vaksinojë rreth 1.2 milionë fëmijë në këtë provincë, thotë Maxi Rein Rondonuwu, drejtor i përgjithshëm për Kontrollin dhe Parandalimin e sëmundjeve, në ministrinë e Shëndetësisë.

“Sa herë që paraqitet një rast me paralizë, duhet ta raportojmë, pasi kemi marrë një çertifikatë se në vend është zhdukur poliomieliti. Të gjitha rastet e njoftuara dërgohen për t’u analizuar në zyrën qendrore”, thotë ai.

Me një popullsi prej 275 milionë banorësh, Indonezia është vendi i katërt më i populluar në botë si dhe kombi më i madh me shumicë myslimane.

Provinca Aceh është tejet konservatore dhe e vetmja në vend që lejohet të praktikojë Sheriatin sipas besimit mysliman. Ky ishte një lëshim i bërë nga qeveria në vitin 2006 për t'i dhënë fund një lufte me separatistët.

Lajmet e rreme se vaksina e poliomielitit përmban mish derri ose alkool, të ndaluara sipas besimeve myslimane, janë përhapur veçanërisht në zonat rurale, duke i ndërlikuar përpjekjet për vaksinim, thotë kreu i zyrës së Shëndetësisë në provincën Aceh, Hanif.

“Kjo sëmundje kur shfaqet me simptoma shkakton paralizë të përhershme, ndaj po kryejmë një fushatë imunizimi në mënyrë që në Aceh të mos shfaqet më, asnjë rast me poliomielit”, thotë ai.

Në vitin 1988 Asambleja Botërore e Shëndetësisë miratoi një rezolutë për çrrënjosjen globale të poliomielitit. Që nga ajo kohë rastet janë ulur me më shumë se 99%, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Sëmundja u zhduk në Indonezi në vitin 2014, dhe vetëm në dy vende, Afganistan dhe Pakistan, sëmundja ngjitëse ndeshet rregullisht në zona të caktuara.

Poliomieliti prek kryesisht fëmijët nën moshën 5 vjeç. Megjithatë, njerëzit e pavaksinuar, të çdo moshe, mund të infektohen dhe raste të kësaj natyre, ndonëse sporadike, vazhdojnë të shfaqen.

XS
SM
MD
LG