Lidhje

Zemërim ndaj Rusisë në fshatin polak të goditur me raketë


Zemërim ndaj Rusisë në fshatin polak të goditur me raketë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:44 0:00

Zemërim ndaj Rusisë në fshatin polak të goditur me raketë

Fshati polak Przewodow, vetëm pesë kilometra larg kufirit ukrainas, tërhoqi vëmendjen e botës ditë më parë kur një sulm i gabuar me raketë shtoi rreziqet se NATO-ja mund të detyrohej të hynte në një luftë me Rusinë. Analistët perëndimorë besojnë se shpërthimi që la dy të vrarë u shkaktua nga një raketë ukrainase me qëllime mbrojtëse kundër një sulmi masiv ajror rus. Kievi nuk e ka pranuar autorësinë ndërsa incidenti në fjalë ofron një mundësi për të kuptuar se sa lehtë mund të përhapet lufta.

Vendi i shpërthimit, një hambar gruri në një fermë prej 2500 hektarësh, tashmë i bllokuar nga hetuesit, përdorej për të strehuar refugjatë ukrainas.

Raketa “qorre” goditi fshatin polak Przewodow pranë kufirit me Ukrainën, duke shkaktuar vrasjen e dy vetëve. Ata u bënë viktimat e para të agresionit rus në Ukrainë.

Gjatë orëve të para pas shpërthimit, thotë kryebashkiaku i rajonit Grzegorz Drewnik, u krijua ndjesia se po fillonte një luftë e re botërore.

“Përshtypja e parë ishte po fillonte një luftë botërore. Edhe njerëzit e tjerë në vendngjarje mendonin kështu, se diçka vërtet e tmerrshme do të niste”.

Ata u qetësuan kur Varshava tha se nuk ishte sulm ndaj Polonisë por aksident, që mendohej të ishte shkaktuar nga një raketë e gabuar e lëshuar nga Ukraina për t’u mbrojtur nga sulmet ruse.

Vendasit, thotë ai, janë bërë edhe më të fortë që nga fillimi luftës, duke ndihmuar refugjatët ukrainas që largohen nga agresioni rus. Shumë nga ata janë të vetëdijshëm se lufta është në pragun e shtëpisë dhe mund t’i cënojë ata në çdo kohë.

“Është e tmerrshme. Rusia po vepron barbarisht. Këto gjëra nuk mund të ndodhin tani, u përkasin shekujve 14 apo 15. Ajo që po ndodh tani është tragjedi për shoqërinë dhe mbarë botën”, thotë për Zërin e Amerikës kryebashkiaku Grzegorz Drewnik.

Presidenti polak Andrzej Duda vizitoi këtë komunitet të enjten për të bërë nderimet e tij. Ai u tha gazetarëve se qeveria do të zhvillojë një hetim të plotë mbi incidentin dhe se hetuesit ukrainas do të lejohen të vizitojnë vendin e ngjarjes.

“Ne dhe ekspertët jemi të bindur se raketa ishte një aksident. Raketa nuk kishte në shënjestër Poloninë, dhe nuk mund ta konsiderojmë si sulm ndaj Polonisë. Në kufirin tonë po zhvillohet një luftë. Rusia goditi Ukrainën me qindra raketa dhe Kievi po mbrohej. Gjërat ndodhën dhe askush nuk donte të dëmtonte askënd në Poloni, apo të vriste dikë”, tha presidenti polak.

Banorët i thanë Zërit të Amerikës se shpresojnë që NATO-ja do t’i mbrojë ata në rast të zgjerimit të konfliktit, ndërsa fajësojnë Rusinë për sulmin.

“Nuk e di se e kujt është raketa, por Rusia duhet të zhduket nga harta. Kjo është bindja ime, ata duhet të paguajnë për bëmat e tyre, për Ukrainën”, thotë Tomasz Bernatzky, banor i fshatit.

Ndërkohë, banorët e zonës po përpiqen të kthehet në normalitet, madje pa e ditur se si do të jetë e nesërmja.

XS
SM
MD
LG