Lidhje

Osmani: Serbia është burim i destabilizimit të Kosovës


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Udhëheqësit e Kosovës akuzuan të shtunën Serbinë se po përpiqet të destabilizojë Kosovën, pas vendimit të përfaqësuesve politikë të serbëve të Kosovës që të largohen nga institucionet qendrore e lokale.

Në një njoftim për shtyp, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha të shtunën se largimi i tyre është akt kundër demokracisë dhe sundimit të rendit e ligjit.

Ky veprim i nxitur nga Serbia, vërteton edhe njëherë atë që e kemi thënë shumë herë, se Serbia është burim i destabilizimit të Kosovës dhe rajonit për shkak të synimeve të saj territoriale dhe hegjemoniste”, tha Presidentja Osmani duke nënvizuar se zbatimi i rendit dhe ligjit nuk përbën kërcënim për asnjë qytetar të Kosovës, pa dallim përkatësie etnike.

Por, vendosja e rendit dhe ligjit përbën rrezik për strukturat ilegale të dirigjuara nga Beogradi të cilat synojnë destabilizimin e Kosovës dhe rajonit. Veprimi i sotëm i Serbisë, paraqet tërheqje të saj të njëanshme nga marrëveshjet e Brukselit për shuarjen e strukturave ilegale të saj në Kosovë”, tha ajo duke akuzuar Beogradin për lidhje të ngushta me Kremlinin.

Reagime pas vendimit të Listës Serbe për largimin nga institucionet e Kosovës
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:08 0:00

Në një postim në rrjete sociale, Kryeministri Kurti përmendi takimet e Presidentit serb Aleksandër Vuçiç me ambasadorin rus në Beograd, ndërsa akuzoi këtë të fundit se po bëhet, siç tha ai, vegël e Kremlinit.

Është e qartë se për çfarë bëhet fjalë: presidenti i Serbisë ka gënjyer dhe ka zhgënjyer amerikanët dhe evropianët; ai shumë shpesh takon dhe koordinohet me ambasadorin rus në Beograd”, tha Kryeministri Kurti.

Ai u bëri thirrje qytetarëve serbë në Kosovë që të ruajnë qetësinë, paqen, sigurinë dhe të mos i brakstisin institucionet e Kosovës duke rënë pre e siç tha manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike.

Unë nuk jam kryeministër kundër juve, por Beogradi është kundër meje. Unë jam kryeministër që do t’ju shërbej duke respektuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se deri tash autoritetet e rendit kanë lëshuar 843 paralajmërime ndaj serbëve të Kosovës lidhur me çështjen e afateve për konvertim të targave dhe se do të vazhdohet njësoj deri me 21 nëntor.

Partitë opozitare në Kosovë shprehën shqetësimin e tyre me situatën në veri, ndërsa i bënë thirrje Kryeministrit Albin Kurti, të reflektojë dhe të sqarojë se si do të garantohet ruajtja e rendit publik dhe sovranitetit të vendit.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha në një reagim në rrjete sociale se zhvillimet e sotme në veri të vendit shënojnë një akt të paprecedent të cënimit të sovranitetit juridik e shtetëror të Republikës së Kosovës.

Ai tha se i takon qeverisë të sqarojë seriozitetin e kësaj situate, duke theksuar se rreziku i përshkallëzimit është i dukshëm.

Jam jashtëzakonisht i shqetësuar me këto zhvillime dhe në rrethana kur nuk ka një epilog të qartë rreth tyre është obligim i qeverisë që t’ua sqarojë qytetarëve se çka në të vërtetë është duke ndodhur atje”, tha ai.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se përkeqësimi i situatës në veri nuk është në të mirë të askujt përpos atyre që siç tha ndjekin agjendat ruse.

Duke ju bërë thirrje qytetarëve serbë të Kosovës të përmbahen e të mos bien pre siç tha e politikave të gabuara, zoti Haradinaj theksoi se është momenti i fundit që Kryeministri Kurti të reflektoj.

Sa i përket Kurtit, janë momentet e fundit që të reflektojë dhe të ndërprejë shkatërrimin e vendit, përndryshe do të jemi të detyruar ta ndërprejmë ne, me të gjitha mjetet demokratike në dispozicion”, tha zoti Haradinaj në një postim në rrjetet sociale.

Lidhja Demokratike e Kosovës në një njoftim për media ftoi institucionet e vendit për bashkërendim të ngushtë me aleatët amerikanë dhe evropianë.

Në kohën e zhvillimeve të fundit në veri të vendit, Kosovës i duhet udhëheqje e matur që nuk bjen në grackat destabilizuese të Serbisë, por që synim ka integrimin e vazhdueshëm e të plotë të serbëve të Kosovës e që mjet të domosdoshëm ka koordinimin e ngushtë me aleatë ndërkombëtarë”, thuhet në njoftim ndërsa theksohet se mungesa e një bashkërendimi të tillë “i nxitë dhe shërben agjendat destabilizuese e provokuese në territorin e Kosovës”.

Diplomatët perëndimorë në vazhdimësi i kanë kërkuar Kosovës të shtyjë për dhjetë muaj zbatimin e vendimit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia për shkak të rrezikut për shtimin e tensioneve dhe krijimin e hapësirës për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

XS
SM
MD
LG