Në historinë e Ukrainës qyteti i Zaporizhias njihet si një fortesë që për shekuj me radhë ka qëndruar kundër pushtimeve të huaja. Tani, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Anna Chernikova, qyteti po e merr sërish këtë rol, duke u kthyer në një strehë për mijëra njerëz të zhvendosur brenda vendit, kryesisht banorë që u detyruan të largohen nga rajonet jugore dhe lindore që kontrollohen nga forcat ruse.
Qyteti i Zaporizhias në Ukrainën juglindore për muaj të tërë po përballet me sulme të vazhdueshme dhe të pamëshirshme të Rusisë dhe nuk ka shenja se kjo situatë po shkon drejt fundit.
Qyteti, që njihet për lidhjet e tij historike me luftëtarët legjendarë të Ukrainës – Kozakët Zaporizhianë – tani është kthyer në një qendër për ukrainasit e zhvendosur brenda vendit, që ikin nga territoret e pushtuara nga Rusia në jug dhe lindje.
Zaporizhia ka mirëpritur rreth 400 mijë persona të zhvendosur. Më shumë se 100 mijë kanë gjetur një shtëpi të dytë atje.
Valentyna është larguar nga qyteti i pushtuar i Heniçeskut në rajonin e Khersonit së bashku me djalin e saj. Ajo i tha Zërit të Amerikës se iu deshën tre ditë për të arritur në territorin e kontrolluar nga Ukraina.
“Donim me ngulm të arrinim në qytetin e Zaporizhias, sepse situata ishte bërë e padurueshme. Donim të shihnim flamujt tanë, popullin tonë, të ndjenim tokën tonë amtare nën këmbët tona, të shihnim buzëqeshjen e popullit tonë të sinqertë ukrainas. Ardhja deri këtu ishte e vështirë dhe stresuese. Për shkak të bombardimeve na kthyen. Kaluam natën në një makinë. Shumë e vështirë”, thotë ajo.
Zaporizhia është një pikë strategjike për kundërsulmin e Ukrainës në jug. Javëve të fundit qyteti po përballet me bombardime intensive. Raketat ruse kanë vrarë një numër të madh civilësh dhe kanë plagosur qindra të tjerë.
Shumë organizata bamirësie janë të angazhuara në këtë qytet. Përfaqësuesit e tyre thonë se njerëzit kanë nevojë për mbështetje të menjëhershme humanitare dhe psikokogjike.
“Duhet të kuptojmë realitetin e ri se rreziqe të paimagjinueshme, tani janë të mundura. Pra, për fat të keq, duhet të jetojmë nën këto rrethana”, thotë Viacheslav Dundukov nga organizata “Buzëqeshja”.
Qyteti i Zaporizhias po përjeton reputacionin historik të një fortese në juglindje të Ukrainës, një njohje e fituar ndër shekuj. Qytetarët e saj janë të gatshëm që edhe një herë të sakrifikojnë për të ndihmuar të tjerët.