Lidhje

FMN, paralajmëron mbi rrezikun për rënie të madhe ekonomike


IMF Global Economy
IMF Global Economy

Dy ekonomistë të njohur dhanë të enjten parashikime të ndryshme mbi të ardhmen e ekonomisë globale.

Kristalina Georgieva, drejtore e Fondit Monetar Ndërkombëtar, tha në një diskutim në Universitetin Georgetown të enjten se FMN-ja po ul sërish parashikimet e saj për rritjen ekonomike globale në vitin 2023. Ajo tha se rritja ekonomike botërore do të jetë 4 trilionë dollarë më e ulët, deri në vitin 2026.

"Gjërat kanë më shumë gjasa të përkeqësohen përpara se të ndodhë sërish një përmirësim i tyre", tha ajo, duke shtuar se sulmi rus ndaj Ukrainës që filloi në shkurt ka ndryshuar në mënyrë dramatike këndvështrimin e FMN-së për ekonominë. "Rreziqet për një rënie ekonomike po rriten", tha ajo, duke e quajtur mjedisin aktual ekonomik një "periudhë brishtësie historike".

Ndërkohë, Sekretarja amerikane e Departamentit të Thesarit, Janet Yellen, gjatë një diskutimi në Qendrën për Zhvillimin Global, u përqendrua në mënyrën se si Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj mund të kontribuojnë në investimet afatgjata në ekonominë globale.

Janet Yellen
Janet Yellen

Ajo bëri thirrje për zgjidhje ambicioze politike dhe nuk e përdori fjalën "rënie" ekonomike. Por pavarësisht pikëpamjes më të matur të zonjës Yellen, ajo tha se “ekonomia globale përballet me pasiguri të konsiderueshme”.

Lufta në Ukrainë ka rritur me shpejtësi çmimet e ushqimit dhe energjisë në nivel global, në disa vende. Rusia, një nga furnizuesit kryesor global të energjisë dhe plehrave kimike, ka përshkallëzuar ndjeshëm konfliktin dhe ka nxjerrë në pah dobësitë rreth furnizimit global të ushqimit dhe energjisë.

Edhe pandemia e COVID-19, rritja e inflacionit dhe përkeqësimi i kushteve klimatike po ndikojnë në ekonomitë botërore dhe po përkeqësojnë krizat e tjera, si nivelet e larta të borxhit që kanë vendet me të ardhura më të ulëta.

Zonja Georgieva tha se FMN-ja vlerëson se vendet që përbëjnë një të tretën e ekonomisë botërore do të shohin të paktën dy tremujorë radhazi të tkurrjes ekonomike këtë vit ose vitin e ardhshëm dhe shtoi se institucioni që ajo drejton ka ulur parashikimet mbi rritjen globale tashmë tre herë. Tani FMN-ja parashikon një rritje ekonomike me 3.2% për vitin 2022 dhe 2.9% për vitin 2023.

Parashikimet e zymta të FMN-së vijnë pasi bankat qendrore në mbarë botën po rrisin normat e interesit me shpresën për të zbutur inflacionit e lartë. Rezerva Federale e Shteteve të Bashkuara ka qenë më agresive në rritjen e normave të interesit për të luftuar inflacionin. Këtë javë edhe bankat qendrore nga Azia deri në Britani kanë filluar të rrisin normat e tyre të interesit.

Zonja Georgieva tha se “shtrëngimi i politikës monetare shumë dhe shumë shpejt - dhe duke e bërë këtë në një mënyrë të sinkronizuar nëpër vende mund të shtyjë shumë ekonomi në recesion të zgjatur.”

Maurice Obstfeld, ekonomist në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley, shkroi kohët e fundit se shtrëngimi i tepërt nga Rezerva Federale mund të “çojë ekonominë botërore në një tkurrje të panevojshme të fortë”.

Zonja Yellen ra dakord të enjten se “shtrëngimi makroekonomik në vendet e përparuara mund të ketë pasoja ndërkombëtare”.

Fjalimet e dy ekonomistëve vijnë përpara takimeve vjetore që mbahen javën e ardhshme të FMN-së me 190 vende anëtare dhe agjencisë së saj simotër huadhënëse, Bankës Botërore, të cilat synojnë të trajtojnë një sërë rreziqesh për ekonominë globale.

Zonja Georgieva tha se Perspektiva e përditësuar Ekonomike Botërore e fondit që do të publikohet javën e ardhshme ul shifrat e rritjes për vitin e ardhshëm.

Shumë vende tani po ndjejnë ndikime të mëdha nga pushtimi i Ukrainës në ekonomitë e tyre dhe parashikimet e zymta të FMN-së janë në përputhje me parashikimet e tjera për rënie të rritjes.

Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik javën e kaluar tha se ekonomia globale do të humbasë 2.8 trilion dollarë në prodhim në vitin 2023 për shkak të luftës.

Parashikimet vijnë pasi aleanca OPEC+ e vendeve eksportuese të naftës vendosi të mërkurën të ulë ndjeshëm prodhimin si reagim ndaj çmimeve të ulëta të naftës, një lëvizje kjo që mund t'i japë një tjetër goditje ekonomisë globale në vështirësi dhe të rrisë çmimet e naftës, një temë e ndjeshme politike për udhëheqësit amerikanë pak përpara zgjedhjeve për Kongresin, që do mbahen në nëntor.

Zonja Yellen tha duke qenë se shumë vende në zhvillim po përballen njëkohësisht me shumë sfida, nga borxhi tek uria deri tek çmimet në rritje, “kjo nuk është koha që ne të tërhiqemi”.

“Ne kemi nevojë për ambicie në përditësimin e vizionit tonë për financimin dhe realizimin e zhvillimit. Dhe ne kemi nevojë për ambicie në përmbushjen e sfidave tona globale”, tha ajo.

XS
SM
MD
LG