Lidhje

Partia GERB e së djathtës së qendrës, pritet të fitojë në zgjedhjet e Bullgarisë


Në Bullgari, partia e së djathtës së qendrës GERB e ish-kryeministrit Bojko Borisov pritet të dalë fituese në zgjedhjet e së dielës, të katërtat në më pak se dy vjet, sipas rezultateve të pjesshme, por shanset e saj për të formuar një qeveri koalicioni mbeten të paqarta.

Rezultatet e pjesshme zyrtare pas numërimit të 99% të votave, tregojnë se GERB fitoi me 25.4%. Rivalja e saj kryesore, partia reformiste “Ne Vazhdojmë Ndryshimin” e Kiril Petkovit, koalicioni qeveritar i të cilit u rrëzua në qershor, doli i dyti me 20.2%.

Rezultatet sugjerojnë se bisedimet për koalicion do të jenë të vështira në një parlament të përçarë, mandje mund të ketë edhe zgjedhje të tjera të parakohëshme në vendin anëtar të Bashkimit Evropian.

Secili nga skenarët do të zgjaste paqëndrueshmërinë politike mes rritjes së lartë të çmimeve të energjisë dhe të artikujve të konsumit dhe luftës në Ukrainë, dhe do të rriste shanset që Bullgaria të mos arrijë të hyjë në vitin 2024 në zonën e euros, siç është parashikuar.

Sipas rezultateve të pjesshme, pesë parti politike parsshikohet të hyjnë në parlamentin e ardhshëm. Rezultatet përfundimtare zyrtare priten të enjten.
Përpjekjet për të krijuar një koalicion funksional ndërlikohen nga fakti se shumë nga kundërshtarët politikë të zotit Borisov e akuzojnë atë se ka lejuar korrupsionin e përhapur të rritet edhe më tej gjatë qeverisjes së tij dhjetëvjeçare që përfundoi vitin e kaluar. Ai vetë i mohon akuzat.

Disa votues në shtetin anëtar më të varfër të Bashkimit Evropian thonë se ish-kryeministri Borisov ofron stabilitet dhe ka përvojën diplomatike të nevojshme për të menazhuar marrëdhëniet komplekse të Bullgarisë me Rusinë.

Zoti Borisov ende nuk ka komentuar mbi rezultatet e zgjedhjeve. Përpara votimit ai la të kuptohej se do të ishte i hapur për bisedime me të gjitha partitë politike dhe u bëri thirrje rivalëve të tij që të tregohen "të arsyeshëm" përpara dimrit të vështirë.
“Ne Vazhdojmë Ndryshimin” ka pranuar humbjen dhe ka thënë se do të qëndrojë në opozitë.

"Ne jemi zotuar se nuk do të hyjmë në koalicion me GERB-in dhe do t'i qëndrojmë besnikë premtimit tonë," tha zoti Petkov të hënën, duke shtuar se partia e tij mbetet e palëkundur në luftën kundër korrupsionit të përhapur.

XS
SM
MD
LG