Lidhje

Bjellorusia në pozitat e bashkëpunëtores së Rusisë kundër Ukrainës


Bjellorusia në pozitat e bashkëpunëtores së Rusisë kundër Ukrainës
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:45 0:00

Bjellorusia është shndërruar në bashkëpunëtore e Rusisë për agresionin ushtarak ndaj Ukrainës. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Maxim Moskalkov, forcat ruse e përdorën këtë vend si një bazë për lëshimin e raketave dhe për sulmet ajrore ndaj Ukrainës. Në përgjigje, vendet perëndimore kanë vendosur sanksione të ashpra ndaj Bjellorusisë.

Gjatë sulmit rus në Ukrainë, Bjellorusia ka vepruar si një aleate de facto e Rusisë.

Vendi pa dalje në det është drejtuar nga Presidenti Aleksandr Lukashenko që nga viti 1994 dhe ka mbajtur lidhje të ngushta me Moskën.

Përgjatë kufirit me Ukrainën, Bjellorusia ka lejuar forcat ruse të përdorin territorin e saj për të filluar sulmet dhe raketat ruse janë nisur drejt Ukrainës nga territori bjellorus.

Në përgjigje, vendet perëndimore kanë vendosur sanksione të ashpra ndaj Bjellorusisë, që kanë ndikuar tek të gjithë sektorët e ekonomisë.

Presidenti bjellorus Lukashenko ka dalë në mbrojtje të sulmit të Rusisë, por nuk ka angazhuar në luftime forca ushtarake.

“Forcat bjelloruse nuk e kaluan ndonjëherë kufirin ukrainas për të ndihmuar Rusinë. Mendoj se kjo nuk ndodhi pjesërisht pasi brenda Bjellorusisë elita ushtarake ia bëri të qartë Lukashenkos se nëse do të ndodhte kështu, kishte shumë gjasa që një pjesë e madhe e ushtarëve bjellorusë do të ndërronin anën dhe do të mbështesnin Ukrainën. Ishte një dekurajim i fortë për Lukashenkon”, thotë Alevtina Snihir, nga Fondi Gjerman Marshall.

Bjellorusia shtypi me ashpërsi protestat paqësore kundër qeverisë në gusht 2020. Pasi u burgosën rreth 1300 persona, demonstratat u fashitën.

Por, kur Rusia filloi sulmin ndaj Ukrainës këtë vit, njerëzit dolën sërish në rrugë dhe grupet e opozitës po punojnë në mënyrë aktive për të ndihmuar ukrainasit.

“Po veprojnë luftëtarët guerilas. Janë përpjekur të ndalin përparimin e forcave ruse drejt kufirit ukrainas. Një burim informacioni, Belaruski Hajun, publikon në kohë reale për të njoftuar lexuesit për fluturimet e avionëve rusë që nisen nga territori i Bjellorusisë, si dhe për lëshimin e e raketave, për t’i dhënë kështu ukrainasve më shumë kohë të reagojnë dhe të gjejnë një vend më të sigurtë”, thotë Valery Kavaleuski, anëtar i opozitës bjelloruse.

Dhe janë të paktën dy regjimente bjelloruse që kanë kaluar kufirin dhe i janë bashkuar palës ukrainase.

Por perceptimi perëndimor dhe ukrainas për Bjellorusinë është gjithnjë e më negativ. Dhe ekspertët thonë se gjërat nuk ka gjasa të ndryshojnë atje, nëse Presidenti rus Vladimir Putin vazhdon të qëndrojë në pushtet.

“Rusët kanë investuar shumë për ta ndihmuar Lukashenkon të mbijetojë. I dhanë shumë ndihma financiare; dërguan gazetarë që të kontrollojnë transmetimet. Ushtritë janë afruar shumë me njëra-tjetrën. Jam i bindur se shërbimet ruse të zbulimit e kanë depërtuar tërësisht Bjellorusinë. Në këtë pikë, Lukashenko po bën çfarë ata dëshirojnë”, thotë Kenneth Yalowitz, ish-ambasador amerikan në Bjellorusi.

Tani për tani, Bjellorusia vazhdon të bëjë stërvitje ushtarake përgjatë kufirit me Ukrainën dhe rishtazi njoftoi se avionët bjellorusë kanë tashmë kapacitetin për të mbartur armë bërthamore ruse.

XS
SM
MD
LG