Lidhje

Në një fjalim para kombit, Biden do të vërë në shënjestër ekstremizmin politik


Presidenti amerikan Joe Biden do t'u bëjë thirrje amerikanëve gjatë një fjalimi të enjten në mbrëmje që të shprehen kundër ekstremizmit kur të shkojnë në kutinë e votimit në nëntor, ndërsa ai intensifikon kritikat ndaj politikanëve që mbështesin ish-presidentin Donald Trump.

Fjalimi që ai do të mbajë në Filadelfia, vendlindja e demokracisë amerikane, është në kuadrin e një kthese të ndjeshme nga ana e presidentit Biden ndërsa afrohen zgjedhjet e Kongresit.

Ai pasqyron një urgjencë në rritje për t’iu përgjigjur prirjeve antidemokratike mes republikanëve, si dhe nevojën për të parandaluar një fitore masive republikane në nëntor, si edhe për të krijuar mbështetje për një rikandidim të mundshëm të tij në vitin 2024, thonë këshilltarët e tij.

Pasi ia kushtoi pjesën më të madhe të vëmendjes në vitin 2022 inflacionit të lartë në vend dhe agresionit rus në Ukrainë, dhe pasi u infektua dy herë me COVID-19 gjatë verës, zoti Biden filloi ditët e fundit të vërë në shënjestër republikanët e lidhur me zotin Trump.

Në një aktivitet për mbledhje fondesh javën e kaluar në Maryland, presidenti Biden e krahasoi atë që e quajti " filozofi ekstreme të MAGA-s" - që e merr emrin nga lëvizja e ish-presidentin Trump "Ta bëjmë Amerikën Përsëri Madhështore " – me një "gjysmë-fashizëm".

Të martën, në një nga tre vizitat brenda një jave në shtetin e Pensilvanisë, që është një fushëbetejë politike, zoti Biden foli ashpër ndaj kërcënimeve kundër FBI-së pas një kontrolli në shtëpinë e zotit Trump në Florida, duke i quajtur ato "të pështira".

Ai ironizoi anëtarët republikanë të Kongresit të cilët refuzuan të dënojnë sulmin e 6 janarit në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara, por nuk e përmendi me emër zotin Trump.

Në Filadelfia, zoti Biden do të "flasë për vlerat themelore" të Amerikës, "çfarë rrezikohet në këtë moment dhe si ne dhe ai do të vazhdojmë të mbrojë barazinë dhe demokracinë," tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean Pierre.

Ai do të flasë gjithashtu për "në një mënyrë shumë të drejtpërdrejtë për atë që ai e sheh si kërcënim në kohën e sotme," tha ajo.

Përpara fjalimit të presidentit Biden, udhëheqësi republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy e akuzoi atë se po lë pas dore krimin dhe inflacionin "për të shpërfillur punonjësit amerikanë". Zoti McCarthy planifikon të mbajë një fjalim në qytetin e lindjes së zotit Biden, Scranton, Pensilvani, përpara fjalës së presidentit.

Zonja Jean-Pierre vuri në dukje se senatori McCarthy e dënoi sulmin e dhunshëm të 6 janarit ndaj Kapitolit të udhëhequr nga mbështetësit e (ish-presidentit) Trump menjëherë pasi ai ndodhi.

"Ne pajtohemi me Kevin McCarthy-n e 6 janarit," tha ajo. "Ajo që dëgjojmë është se ai ka ndryshuar qëndrim."

ZGJEDHJET E LIRA NË RREZIK?

Presidenti Biden do ta mbajë fjalimin në Sallën e Pavarësisë, ku u ra dakord për Deklaratën e Pavarësisë dhe Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara.

Historianë, studiues ligjorë dhe disa zyrtarë të zgjedhur thonë se me rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit përcaktohet mënyra se si shihen zgjedhjet e lira dhe përkushtimi ndaj sundimit të ligjit.

Ata thonë se humbja e shumicës nga demokratët në Kongres jo vetëm që do ta bënte zotin Biden një president joefektiv, por mund ta kthente kontrollin mbi certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale tek simpatizantët e zotit Trump, disa prej të cilëve nuk e pranuan kurrë fitoren e zotit Bideni në vitin 2020 dhe janë zotuar t’i

Të përballur me kërcënime pas humbjes së ish-presidentit Trump, një ndër pesë punonjës zgjedhorë të anketuar këtë vit thanë se mund të largohen përpara zgjedhjeve të ardhshme presidenciale.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se megjithëse a ai do të flasë për kërcënimin e drejtpërdrejtë ndaj demokracisë nga mbështetësit ekstremistë të zotit Trump dhe republikanët e MAGA-s, "Ky nuk është një fjalim për ish-presidentin”.

"Është një fjalim optimist. Është një fjalim për atë që mund të arrijmë ne si vend, si demokraci."

XS
SM
MD
LG