Në Kosovë dita ndërkombëtare e personave të zhdukur nga dhuna u shënua me veprimtari të ndryshme. Organizatat humanitare në vend bënë thirrje për më shumë angazhim në zbardhjen e fatit të mbi një mijë e 600 të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë, për të cilët ende nuk dihet asgjë.
Një derë e vendosur në sheshin kryesor të Prishtinës të martën, simbolizon pritjen e familjarëve për të mësuar mbi fatin e mbi një mijë e 600 personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Dera u vendos nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, si pjesë e veprimtarive me të cilat në Kosovë po shënohet 30 gushti - Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve me dhunë.
“Kur flasim me familjarë të personave të pagjetur, imazhi i derës, hapja e derës nga familjarët, nga më të dashurit e tyre, prija pra se dera një ditë do të hapet, gjithmonë është në përjetimet e tyre, gjithmonë është pjesë e rrëfimeve të tyre, prandaj e kemi menduar që është një simbol shumë i fuqishëm edhe për të rritur bashkëndjesinë sociale të qytetarëve të Kosovës me familjarët. Por është edhe thirrje proteste për institucionet publike që kjo derë mbetet e hapur për shkak që shpresa e lufta jonë për të vërtetën, për gjetjen e këtyre personave dhe ofrimin e drejtësisë për krimet ndaj tyre vazhon”, thotë Marigona Shabiu nga kjo organizatë.
Ajo shprehu shqetësimin me mungesën e përparimit në zbardhjen e fatit të të pagjeturve, proces ky që siç tha ajo ka ngecur për shkak të mungesës së vullnetit politik, posaçërisht në Serbi.
“Thirrja jonë e vazhdueshme si shoqëri civile është që çështja e personave të zhdukur të trajtohet si çështje humanitare dhe të trajtohet me përparësi edhe në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. E kemi parë që kjo temë është përfshirë, po diskutohet edhe në nivel të dialogut politik, mirëpo prapë ka tendenca të politizimit që është realisht shumë e dhimbshme. Ne bëjmë thirrje që pavarësisht problematikave e mosmarrëveshjeve tjera politike, të gjitha këto duhet të lihen anash dhe duhet bërë çdo përpjekje maksimale që këta persona të gjinden dhe t’u kthehen familjarëve të tyre”, tha ajo.
Pak metra më tutje, dhjetëra fotografi të familjarëve të të zhdukurve në Kosovë u shfaqën në një ekspozitë të Kryqit të Kuq e cila synon të nxjerrë në pah ankthin dhe dhimbjen e pritjes së shumë familjeve anembanë Kosovës.
“Thëniet të cilat i kemi marrë nga familjarët e personave të zhdukur, jemi munduar që atë që e kanë ndjerë ata për këto 23 vite, ta shprehim këtu dhe i kemi fotografuar gjatë vizitës që i kemi bërë. Këtu siç i keni parë janë edhe disa thënie të shkëputura, ‘diçka gjithmonë mungon’, ‘kurrë nuk jemi komplet’, ‘ankth’, ‘pritje’, këto janë disa prej fjalëve të cilat familjarët na i kanë shprehur”, i tha Zërit të Amerikës, Adelina Syla, bashkërenduese e shërbimit të kërkimit në Kryqin e Kuq të Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha të martën se të zhdukurit paraqesin një nga krimet më të rënda të kryera nga regjimi serb gjatë luftës në Kosovë, ndërsa nënvizoi se Kosova ka hedhur propozime konkrete që ndihmojnë ndriçimin fatit të tyre, por nuk ka gjetur ende bashkëpunimin e autoriteteve serbe.
Ajo i bëri këto komente pas nderimeve tek obelisku kushtuar personave të zhdukur në oborrin e parlamentit të Kosovës, bashkë me kryeministrin Albin Kurti.
“Për fat të keq, Serbia akoma nuk e ka pranuar këtë propozim, por shpresojmë që me trysninë ndërkombëtare, përfundimisht të arrihet kjo marrëveshje e cila do ta shtrinte rrugën drejt zbardhjes së fatit të të zhdukurve me dhunë. Prandaj edhe një herë, në këtë ditë që të gjithë ndajmë dhimbjen me familjarët, të cilët që nga viti 1999 e akoma deri më sot janë në ankth të madh, sepse sic e them gjithnjë ata nuk janë familjarë të vetëm mbi një mijë e 600 të zhdukurve, por janë familjarë të gjithsecilit prej nesh”, tha presidentja Osmani.
“Besoj që përveç hapjes së arkivave në Beograd, edhe qytetarët në Serbi duhet të ndihmojnë duke folur për atë që dinë. Por, jo vetëm në Serbi. Është e nevojshme, që gjithë qytetarët të flasin për informacionet, që mund t’i kenë. Ne e dënojmë për çdo ditë me veprimtarinë tonë institucionale, me qëndrimet tona shtetërore, gjenocidin e Serbisë në Kosovë. E një ndër shprehjet më të egra, më të dhimbshme, që na ka shkaktuar shumë vuajtje, humbje e ankth të gjenocidit të Serbisë në Kosovë, janë edhe të pagjeturit, të zhdukurit me dhunë, që vazhdojnë të ngelen një plagë e hapur për shtetin tonë dhe shoqërinë tone”, tha kryeministri Kurti.
Kosova doli nga lufta që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Një pjesë e madhe e trupave u gjetën në varreza masive ne Serbi ku ishin dërguar nga forcat serbe në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre. Varreza më e madhe është zbuluar në vitin 2001, në Batajnicë afër Beogradit, ku në terrenet e stërvitjeve të forcave të posaçme serbe u gjetën trupat e 800 shqiptarëve të Kosovës.
Edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e 1 mijë e 621 personave të zhdukur, pjesa më e madhe e të cilëve janë të përkatësisë kombëtare shqiptare.