Kleriku shiit me ndikim në Irak, Moqtada al-Sadr, u bëri thirrje të martën pasuesve të tij që t’u jepnin fund protestave në qendër të Bagdadit dhe u kërkoi falje irakianëve pasi të paktën 23 persona u vranë në përleshjet mes grupeve rivale myslimane shiite.
"Ky nuk është revolucion, sepse ka humbur karakterin e tij paqësor. Derdhja e gjakut irakian është e ndaluar", tha kleriku al-Sadr.
Ai u dha një orë afat përkrahësve të tij, që të largoheshin nga protestat në Zonën e Gjelbër të fortifikuar në qendër të Bagdadit, ku ata prej javësh kanë hyrë në selinë e parlamentit.
"Brenda 60 minutash, nëse Lëvizja Sadriste nuk tërhiqet, përfshirë edhe protestën në parlament, atëherë unë do të largohem nga lëvizja," tha ai.
Fjalimi i tij erdhi një ditë pasi dhuna më e rëndë në kryeqytetin irakian prej vitesh bëri që Irani fqinj të mbyllte kufirin dhe të ndalonte fluturimet për në Irak.
Përplasjet e së hënës në mes të fraksioneve rivale të shumicës myslimane shiite të Irakut pasojnë 10 muaj bllokimi politik që nga zgjedhjet parlamentare të tetorit, gjë që ka ngjallur frikë për përshkallëzim trazirash.
Al-Sadr doli si fituesi kryesor në zgjedhje, por dështoi në përpjekjet për të formuar një qeveri me partitë sunite dhe ato kurde, duke përjashtuar grupet shiite të mbështetura nga Irani.
Dhuna e kësaj jave shpërtheu pasi ai tha se po tërhiqej nga të gjitha angazhimet politike - një vendim që ai tha se e merrte si përgjigje ndaj dështimit të udhëheqësve dhe partive të tjera shiite për të reformuar një sistem qeverisës që ai e cilësoi të korruptuar dhe të kalbur.
Më herët të martën, militantët qëlluan me raketa në Zonën e Gjelbër dhe persona të armatosur qarkullonin në kamionë duke mbajtur mitralozë dhe granatahedhës.
Një zyrtar i qeverisë irakiane, duke folur në kushte anonimiteti, tha se autoritetet nuk ishin në gjendje të vendosnin kontroll. "Qeveria është e pafuqishme ta ndalojë këtë, sepse edhe ushtria është e ndarë mes besnikëve të Iranit dhe Sadristëve," tha zyrtari.
Ushtria irakiane shpalli një ndalim-qarkullimi në gjithë vendin dhe u kërkoi protestuesve të largoheshin nga Zona e Gjelbër, ndërsa Shtetet e Bashkuara i cilësuan trazirat si shqetësuese, si edhe bënë thirrje për dialog për të lehtësuar problemet politike të Irakut.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se Uashingtoni nuk e sheh të nevojshme për momentin të evakuojë personelin e ambasadës në Zonën e Gjelbër të Bagdadit.