Lidhje

Sulm kibernetik ndaj infrastrukturës shtetërore në Malin e Zi


Montenegro cyber attack
Montenegro cyber attack

Infrastruktura dixhitale e qeverisë në Malin e Zi është goditur nga një sulm kibernetik "i paprecedentë" dhe janë marrë masa të shpejta për të zbutur ndikimin e tij, thanë autoritetet të premten.

“Disa shërbime u çaktivizuan përkohësisht për arsye sigurie, por nuk është rrezikuar siguria e llogarive të qytetarëve dhe kompanive dhe të dhënat e tyre”, tha ministri malazez i Administratës Publike, Marash Dukaj në një postim në Twitter.

Zoti Dukaj tha se sulmi, i cili filloi të enjten mbrëma, i ngjante disa të tjerëve në vitet e fundit në vendin e vogël ballkanik dhe se Mali i Zi, një anëtar i NATO-s, kishte informuar aleatët e tij për këtë situatë. '

Agjencia e Sigurisë Kombëtare e Malit të Zit tha se “metodologjia e sulmit ishte karakteristikë e shërbimeve ruse të zbulimit”.

"Një sulm këmbëngulës dhe i vazhdueshëm kibernetik është duke ndodhur në Malin e Zi", paralajmëroi Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Podgoricë në faqen e saj të internetit. “Sulmi mund të përfshijë ndërprerje të shërbimeve publike, transportit (përfshirë pikat kufitare dhe aeroportin) dhe sektorët e telekomunikacionit”.

Ambasada këshilloi qytetarët amerikanë që të kufizojnë lëvizjen dhe udhëtimin në Malin e Zi vetëm për gjërat e nevojshme dhe të mbajnë me vete dokumentet e udhëtimit.

Portali i lajmeve në internet, “Vijesti” citoi Agjencinë e Sigurisë Kombëtare të thoshte se sulmi ishte "i paprecedentë".

Kryeministri në largim Dritan Abazoviç thirri një seancë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të premten në mbrëmje, për të diskutuar zhvillimet lidhur me sulmin kibernetik. Zoti Abazoviç tha se sulmi ishte i motivuar politikisht, duke pasuar rënien e qeverisë së tij javën e kaluar. “Është një çështje shumë serioze. Ky është një sulm shumë serioz. Po ndjekim nga afër situatën. Agjencia e Sigurisë Kombëtare, Drejtoria e Policisë dhe Ministria e Mbrojtjes po ndjekin nga afër situatën. Mendoj se ky është një sulm i motivuar politikisht”, tha zoti Abazoviç.

Hakerët sulmuan infrastrukturën dixhitale shtetërore të Malit të Zi edhe në ditën e zgjedhjeve në vitin 2016, dhe më pas përsëri në një hark kohor prej disa muajsh në vitin 2017, kur ish-republika e vogël jugosllave ishte në prag të anëtarësimit në NATO.

Aleanca ushtarake perëndimore është në dijeni të raporteve për sulme kibernetike në Mal të Zi dhe e gatshme të ndihmojë autoritetet e saj nëse është e nevojshme, tha për shërbimin serb të Zërit të Amerikës një zyrtar i NATO-s, i cili foli në kushte anonimiteti.

XS
SM
MD
LG