Telebanët festuan sot një vjetorin e marrjes nën kontroll të Kabulit, që çoi në largimin me shpejtësi nga vendi të udhëheqësve pro-perëndimorë, rënien e ekonomisë dhe ndryshimin rrënjësor të vendit.
Luftëtarë talibanë me mjekra, disa duke tundur armët, ose flamujt e bardhë të lëvizjes së tyre, organizuan një paradë të vogël në kryeqytet duke ecur në këmbë, biçikleta ose motorçikleta. Një grup i vogël marshoi para ambasadës amerikane duke hedhur parrulla si “Rroftë Islami” dhe “Vdekje Amerikës”.
Një vit pas asaj dite dramatike, gjithshka ka ndryshuar në Afganistan. Ish kryengritësit kanë vështirësi në qeverisjen e vendit dhe janë izoluar nga komuniteti ndërkombëtar. Rënia ekonomike ka bërë miliona afganas të bien në varfëri, ndërsa ndihmat e huaja janë ulur ndjeshëm. Grupet ekstreme brenda lëvizjes duket se kontrollojnë qeverinë, e cila ka vendosur kufizime të rrepta për arsimimin dhe punësimin e grave e vajzave, megjithëse premtuan të kundrtën kur morrën pushtetin.
Një vit pas ardhjes në pushtet, vajzat ende nuk lejohen në shkollë dhe grate janë të detyrura të mbulohen nga koka në këmbë kur dalin në publik, duke lënë jashtë vetëm sytë.
Gratë dhe vajzat afgane kanë përjetuar një ndryshim drastik të të drejtave dhe cilësisë së jetës së tyre që kur talebanët morën pushtetin vitin e kaluar pasi Shtetet e Bashkuara tërhoqën të gjitha trupat nga vendi. Ndërkohë administrata e presidentit Biden është zotuar të përdorë atë që e quajti fuqinë e plotë të mjeteve të saj për të mbrojtur gratë dhe vajzat në Afganistan.
Një vit pasi Talibanët morën kontrollin e Afganistanit, të drejtat e grave dhe vajzave janë pakësuar në mënyrë dramatike – pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të Shtëpisë së Bardhë për të bërë presion ndaj grupit islamik.
Gjatë tërheqjes kaotike vitin e kaluar, Shtëpia e Bardhë foli për ndikimin që kishte mbi grupin.
"Ne kemi një numër të madh mjetesh që mund t’i përdorim - me kalimin e kohës. Këtu përfshihen mjetet ekonomike, që ne do t'ia bëjmë të qartë talebanëve pasi lidhet me koordinimin për të vazhduar nxjerrjen e qytetarëve amerikanë dhe partnerëve tanë", tha sekretarja e Shtypit të Shtëpisë së Bardhë në atë kohë, Jen Psaki.
Por që kur mori pushtetin gushtin e kaluar, grupi i vijës së ashpër ka penguar shumicën e vajzave të shkojnë në shkollë, duke i detyruar ato të shkojnë në shkolla sekrete.
Ata kanë urdhëruar gjithashtu gratë të mbulojnë fytyrën dhe kanë ndaluar lëshimin e patentës së shoferit për gratë.
Grupi i lidh këto dekrete me interpretimin e tyre të rreptë të Islamit.
Presioni i Shteteve të Bashkuara nuk është i mjaftueshëm, thonë ekspertët.
“Ka qenë në thelb një mjet që nuk ka funksionuar, sinqerisht. Dhe ka ardhur koha që ta pranojmë këtë. Ekziston edhe çështja e njohjes diplomatike, por kjo është disi e largët. Dua të them, mund të përdoren mjete të tjera si çështja e një lloj ndihme tjetër, çështja e shkrirjes së rezervave të bankës qendrore, të gjitha ato pyetje janë disi më parësore. Pra kjo ka qënë një metodë që në thelb nuk ka funksionuar”, thotë Madiha Afzal me Institutin Brookings.
Shtetet e Bashkuara nuk janë i vetmi vend që ngre zërin për gratë afgane – vendet arabe, përfshirë Arabinë Saudite, janë përpjekur gjithashtu – përsëri, pa asnjë rezultat.
Analistët thonë se sanksionimi i talebanëve ka çuar në një krizë humanitare që dëmton në mënyrë disproporcionale gratë dhe fëmijët – dhe mund të kërcënojë përparësinë kryesore të Shteteve të Bashkuara për Afganistanin, që është parandalimi i shndërrimit të tij përsëri në një strehë terroriste.
"Shumë njerëz në Afganistan do të fajësojnë Shtetet e Bashkuara në një farë mase për gjendjen aktuale të krizës humanitare, duke argumentuar se Shtetet e Bashkuara udhëhoqën përpjekjet për të sanksionuar talebanët shumë vite më parë dhe sanksionet janë ende atje. Dhe për shkak të atyre sanksioneve nuk ka fonde që të hyjnë në vend dhe, kjo është një arsye e madhe për krizën ekonomike”, thotë Michael Kugelman me Qendrën Wilson.
Dhe çfarë duan gratë e Afganistanit?
"Ne duam të jetojmë si qenie të gjalla, si njerëz, dhe jo si robër në një cep të shtëpisë, të mos mbahemi në një kafaz dhe burrat tanë të shkojnë dhe të lypin për bukë. Nuk e duam kurrë këtë", thotë protestuesja Saira Sama.
Por për 19 milionë vajza dhe gra të Afganistanit, kjo kërkesë po refuzohet.