Lidhje

Përpjekje për rimëkëmbje në Gaza pas sulmit izraelit


Israeli airstrike in Gaza City
Israeli airstrike in Gaza City

Një armëpushim midis Xhihadit Islamik dhe Izraelit duket se po respektohet pas tre ditë luftimesh të ashpra. Përleshjet e fundit në Gaza nxorrën në pah problemet me të cilat vazhdojnë të përballen 2 milionë palestinezët që jetojnë atje. Nivelet e varfërisë dhe papunësisë janë të larta dhe 95 për qind e ujit është i papijshëm.

Përpjekje për rimëkëmbje në Gaza pas sulmit izraelit
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:28 0:00

Pas tre ditë luftimesh të ashpra midis Izraelit dhe lëvizjes Xhihadi Islamik në Gaza, duket se një armëpushim mes dy palëve po respektohet. Kryeministri izraelit Yair Lapid vlerësoi sukseset taktike të ushtrisë, por politikani i qendrës gjithashtu u përpoq të afrohej me 2 milionë palestinezët e Gazës.

“Dua t'i drejtohem banorëve të Gazës dhe t'u them se ka një rrugë tjetër. Ne dimë të mbrohemi nga kushdo që na kërcënon, por dimë gjithashtu si t'u japim punë dhe një jetë dinjitoze kujtdo që dëshiron të jetojë në paqe pranë nesh”, tha kryeministri izraelit.

Megjithatë, për shumë banorë të Gazës, sulmet izraelite janë ato që po lënë më shumë shkatërrim dhe po rëndojnë situatën.

“Shtëpia ime u dëmtua nga një bombë izraelite dhe ne tani po qëndrojmë me të afërmit. Nuk e di se çfarë do të bëjmë. Babai im vdiq një vit më parë, kështu që jam vetëm me nënën, motrat dhe dy vëllezërit e vegjël. Nuk kemi para, as për ushqim”, thotë banorja e Gazës Yara Mahamu.

Lëvizja islamike Hamas, e cila kontrollon Gazën, këtë herë qëndroi jashtë luftimeve. Analistët palestinezë sugjerojnë se Hamasi nuk donte të rrezikonte përfitimet që merr nga Izraeli, përfshirë kalimin e karburantit nëpër pikat e kontrollit dhe pothuajse 15,000 leje për punëtorët e Gazës për të hyrë në Izrael. Secili prej këtyre punëtorëve mbështet rreth 10 persona.

“Përfituesi më i madh në skenën palestineze është Hamasi. Hamasi, dëshmoi se ka fuqinë në Gaza dhe se mund të frenojë Xhihadin Islamik”, thotë analisti palestinez Ghaith Al-Omari.

Por armëpushimi nuk bën asgjë për zgjidhjen e problemeve endemike në Gaza, ku dy të tretat e banorëve jetojnë në varfëri, papunësia është mbi 50 për qind dhe shumica e popullsisë jeton me ndihmën ushqimore të Kombeve të Bashkuara.

“Ka qasje të kufizuar në udhëtime. Banorët furnizohen me energji elektrike 12 orë në ditë, ndonjëherë vetëm katër orë në ditë. Infrastruktura është shumë e dobët për arsye të ndryshme. Ka mungesa të ilaçeve dhe pajisjeve. Disa nga mjekët e talentuar janë larguar nga Gaza. Uji në Gaza është shumë i kripur dhe pothuajse 95 për qind e tij nuk është i pijshëm”, thotë analisti ekonomik palestinez Omar Shaban.

Shumë banorë thonë se pa një zgjidhje humanitare për problemet e Gazës është vetëm çështje kohe deri në valën e ardhshme të dhunës.

XS
SM
MD
LG