Lidhje

Tregu i vështirë i punës në Kinë për miliona të rinj të diplomuar


10.8 milionë të diplomuar kinezë pritet të hyjnë në tregun e punës në një ekonomi të dobët për shkak të masave shtrënguese ndaj COVID-19. Papunësia mes të rinjve në Kinë është 20%, 4 herë më e lartë se niveli i përgjithshëm.

Vendet e punës për të diplomuarit e rinj janë përparësia kryesore për qeverinë kineze që po përpiqet të ruajë stabilitetin mes rreziqeve me të cilat përballet ekonomia.

Liu Qian është një nga 11 milionë të diplomuarit e rinj në Kinë, të dëshpëruar për të gjetur një vend pune në një treg të zymtë pasi bllokimet e COVID-19 i detyruan fabrikat, restorantet dhe bizneset e tjera të mbyllen.

Ato që mbijetuan po shkurtojnë vendet e punës dhe pagat.

“Që në momentin që fillova të kërkoja punë, u ndjeva sikur e ardhmja ime u thërrmua dhe nuk e di nëse mund ta vë më jetën time në vijë”, thotë Liu Qian.

26 vjeçarja, thotë se disa punëdhënës nuk pranuan ta punësojnë kur ajo kërkoi një pagë mujore prej 8,000 juanë apo 1,200 dollarë.

Sipas Liepin, një platformë për tregun e punës, mesatarja e të diplomuarve vitin e kaluar paguhej me 9,800 juanë apo 1,500 dollarë në muaj.

Mungesa e vendeve të punës në Kinë është e ngjashme me përpjekjet e të rinjve në mbarë botën për të gjetur punë në ekonomitë në depresion, por është veçanërisht e ndjeshme politikisht në një vit kur presidenti Xi Jinping pritet të përpiqet të zgjasë kohën e tij në pushtet.

Bllokimet e përsëritura që mbyllin fabrikat dhe zyrat në Shangai dhe qendra të tjera industriale për javë të tëra, kanë dëmtuar tregun tradicional të punës, thotë Zhang Chenggang, profesor në Universitetin të Ekonomisë dhe Biznesit në Pekin.

"Tregu i punës është i mbushur me pasiguri. Është shkatërruese për kompanitë e mesme dhe të vogla që nuk kanë fleksibilitet ndaj rrezikut. Ne pamë në mars dhe prill shumë kompani të mesme dhe të vogla që u tkurrën duke ulur nevojat e tyre për punësim".

Të diplomuarit vijnë shpesh nga familje urbane që janë përfituesit më të mëdhenj nga rritja ekonomike e Kinës, një burim i rëndësishëm i mbështetjes politike.

Për fat të mirë, një shtëpi botuese punësoi Liu Qian në fund të korrikut, dy muaj pas diplomimit të saj.

Shkalla zyrtare e papunësisë në qershor për personat e moshës 16 deri në 24 vjeç ishte pothuajse 20%, krahasuar me 5.5% që është niveli i përgjithshëm i papunësisë.

Kryeministri Li Keqiang, zyrtari më i lartë ekonomik dhe numri 2 në partinë në pushtet, tha në mars se qeveria shpresonte të gjeneronte 13 milionë vende të reja pune këtë vit, por nuk tha se sa kinezë mund të humbasin punën nga mbyllja e kompanive.

Profesori Zhang Chenggang thotë se ekonomia kineze po ecën përpara, por gjithmonë ka pasiguri në treg.

“Në të ardhmen, do të përballemi me sfidat teknologjike dhe sfidat e faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm. Pasiguritë e tregut të punës do të vazhdojnë të ekzistojnë dhe madje do të rriten. Pra për studentët e universitetit, më e rëndësishmja është aftësia për t'u përshtatur me mjedisin e pasigurive dhe për t’i kapërcyer pasiguritë me aftësitë e tyre".

Qasja jashtëzakonisht e ashpër e Kinës ndaj COVID-19 ka mbajtur të ulët numrin e rasteve, por kostoja e jetesës po rritet.

Ekonomia u tkurr në tremujorin prill-qershor pasi aktiviteti i fabrikave dhe shpenzimet konsumatore ranë.

Partia në pushtet nuk ka përmendur më premtimin për arritjen e objektivit zyrtar të rritjes ekonomike prej 5.5% këtë vit.

XS
SM
MD
LG