Lidhje

Kërcënimi terrorist nuk është zhdukur me vrasjen e al-Zawahirit


Vrasja nga Shtetet e Bashkuara e udhëheqësit të al-Kaidës në Afganistan, ishte një goditje për udhëheqjen e grupit terrorist. Por, a do të ndikojë kjo në degët e kësaj organizate në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Azi? Shtëpia e Bardhë thotë se nuk po i heq sytë nga kërcënimet terroriste që mund të shfaqen dhe studiuesit e terrorizmit thonë se Shtetet e Bashkuara duhet të jenë vigjilente dhe të durueshme.

Kërcënimi terrorist nuk është zhdukur me vrasjen e al-Zawahirit
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:53 0:00

Shtëpia e Bardhë thotë se ka "besim të lartë" se sulmi i saj vrau shefin e Al-Kaidës, Ayman al-Zawahiri.

“E kemi eliminuar kreun e Al Kaidës”, njoftoi presidenti amerikan, Biden.

Por Shtëpia e Bardhë thotë gjithashtu se vrasja e al-Zawahirit mund të mos e neutralizojë kërcënimin.

"Ata janë në Afrikën e Veriut, ata janë në Sahel, ata janë në të gjithë Lindjen e Mesme dhe ata janë në Jemen. E kuptoj se jemi të fokusuar në Afganistan. Por, ne nuk po e heqim vëmendjen nga pjesa tjetër e botës”, thotë John Kirby nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare.

Që kur Osama bin Laden e formoi këtë grup në vitin 1988, Al-Kaida është përhapur me degë të shumta që i bashkon mungesa e tolerancës, urrejtja ndaj SHBA-së dhe Izraelit dhe një interpretim i rreptë i Islamit.

“Al-Kaida mund të mos jetë duke planifikuar në mënyrë aktive, operacionale një sulm në tokën amerikane, por ajo mbetet ideologjikisht kundër SHBA-së dhe vetë ky fakt është diçka që ne nuk duhet ta anashkalojmë”, thotë Michael Kugelman nga qendra “Wilson”.

Afrika është kontinenti ku degët kanë lulëzuar.

“Këshilla ime për presidentin Biden dhe qeverinë amerikane është që vrasja e udhëheqësit është një aspekt shumë i vogël i luftës kundër terrorizmit. Vëmendja në të vërtetë duhet të jetë në trajtimin e faktorëve politikë dhe ekonomikë që në fakt e mbrojnë terrorizmin”, thotë Martin Ewi nga Institut për Studime të Sigurisë.

Por vdekja e al-Zawahirit do të ndikojë te këto grupe. Ndonëse, nuk shihej si udhëheqës karizmatik si Bin Laden, ai ishte udhëheqës i disiplinuar.

“Al-Zawahiri ishte efektiv në mbajtjen e këtij rrjeti më të gjerë të filialeve, grupeve ekskluzive dhe degëve së bashku, nga Afrika Lindore dhe më gjerë. Kjo ishte arritja e tij, ruajtja e asaj aleance gjatë periudhës së trazuar të Pranverës Arabe dhe ngritjes së Shtetit Islamik”, vlerëson Colin Clarke nga organizata Soufan.

Presidenti Biden ishte i qartë se si të vazhdohet tutje.

“Administrata ime do të vazhdojë të monitorojë dhe trajtojë me vigjilencë kërcënimet nga Al-Kaida, pavarësisht se nga vijnë ato”, tha presidenti Biden.

Analistët nxisin gjithashtu durim.

“Këto grupe janë të durueshme dhe janë të afta. Unë e di që të gjithë duan të fokusohen në konkurrencën me Rusinë dhe Kinën dhe të lënë pas luften globale kundër terrorizmit, por për t'i hedhur poshtë këto grupe si problem i të shkuarës, nuk duhet të ngutemi e ta marrim situatën shtruar”, vlerëson zoti Clarke.

Al-Kaida sulmoi Qendrën Botërore të Tregtisë për herë të parë në vitin 1993, duke vrarë gjashtë persona. Në atë kohë, ata ishin një grup relativisht i panjohur derisa kryen sulmet e 11 shtatorit 2001.

XS
SM
MD
LG