Lidhje

SHBA, sanksione të reja ndaj kompanive dhe elitës ruse për luftën në Ukrainë


Uashingtoni vendosi të martën një raund të ri sanksionesh që kanë në shënjestër elitat e lidhura me Kremlinin për rolin e tyre në mbështetjen e luftës së presidentit rus Vladimir Putin kundër Ukrainës.

“Ndërsa njerëzit e pafajshëm vuajnë nga lufta agresive e paligjshme e Rusisë, aleatët e Putinit janë pasuruar dhe po financojnë një stil jetese të pasur”, tha në një deklaratë Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen.

Sanksionet financiare goditën bashkëpunëtorin e presidentit Putin dhe miliarderin Andrey Grigoryevich Guryev, i cili është pronar i pallatit Witanhurst, i dyti për nga madhësia në Londër pas Pallatit Buckingham.

Në shënjestër të këtyre sanksioneve është edhe djali i zotit Guryev dhe jahti Alfa Nero në Karaibe.

Viktor Filippovich Rashnikov, një nga taksapaguesit më të mëdhenj të Rusisë, dhe dy filialet e kompanisë së tij MMK, e cila është ndër prodhuesit më të mëdhenj të çelikut në botë, gjithashtu u goditën me sanksione, si dhe dy anëtare të tjera të elitës ruse: Alina Maratovna Kabaeva dhe Natalya Valeryevna Popova, thuhet në deklaratë.

"Departamenti i Thesarit do të përdorë çdo mjet në dispozicionin tonë për t'u siguruar që elitat ruse dhe mbështetësit e Kremlinit të mbahen përgjegjës për bashkëpunimin e tyre në luftën që ka shkaktuar shumë të vrarë", tha Sekretarja Yellen, duke shtuar se qëllimi është "pakësimi i të ardhurave dhe infrastrukturës që mbështetë luftën e paprovokuar të Rusisë në Ukrainë."

Në një veprim të përbashkët, Departamenti i Shtetit vendosi sanksione, duke përfshirë kufizimet e vizave, ndaj oligarkëve që "drejtojnë kompani me të ardhura të mëdha", duke përfshirë sipërmarrësit Dmitry Aleksandrovich Pumpyanskiy, Andrey Igorevich Melnichenko dhe Alexander Anatolevich Ponomarenko, si dhe rreth 900 zyrtarë, dhe një sërë firmash të lidhura me mbrojtjen dhe teknologjinë që ndihmojnë "makinerinë ruse të luftës".

Sanksionet e Departamentit të Thesarit mundësojnë konfiskimin e çdo fondi ose prone në Shtetet e Bashkuara të këtyre individëve ose organizatave dhe ndalojnë firmat me bazë në Amerikë të bëjnë marrëveshje financiare me ta, megjithëse investitorët do të kenë disa javë kohë për të mbyllur transaksionet me kompaninë MMK.

XS
SM
MD
LG