Lidhje

Tajvani, çështja kryesore në telefonatën Biden-Xi


Presidenti amerikan Joe Biden dhe udhëheqësi kinez Xi Jinping biseduan gjerësisht të enjten në mëngjes mes tensioneve rreth një vizite të mundshme të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi në Tajvan, diçka që Pekini ka paralajmëruar se do të "përballej me përgjigje të fuqishme". Korrespondentja e Zërit të Amerikës pranë Shtëpisë së Bardhë, Patsy Widakuswara njofton.

Tajvani, çështja kryesore në telefonatën Biden-Xi
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:13 0:00

Ndërsa Tajvani zhvillonte stërvitjet e tij vjetore ushtarake, me veprime simuluese nëse Pekini sulmon, presidenti Joe Biden dhe presidenti kinez Xi Jinping zhvilluan një telefonatë, e pesta mes tyre që kur Bideni mori detyrën vitin e kaluar.

“Ata shkëmbyen pikëpamjet e tyre mbi luftën e Rusisë në Ukrainë dhe ndikimin global që ajo ka. Dhe më pas për Tajvanin, Presidenti Biden theksoi se politika e Shteteve të Bashkuara nuk ka ndryshuar dhe se Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë fuqimisht përpjekjet e njëanshme për të ndryshuar status quo-në ose për të minuar paqen dhe stabilitetin përgjatë ngushticës së Tajvanit, tha sekretarja e Shtypit të Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre.

Zyrtarët nuk thanë nëse telefonata uli tensionet dhe të dyja palët dhanë informacion të kufizuar.

“Në prezantimet e tyre publike të këtyre takimeve si Uashingtoni edhe Pekini, gjithmonë përshkruajnë atë që thanë. Asnjëra palë nuk flet kurrë për atë që dëgjoi, gjë që është ndoshta më e rëndësishmja. Duket se ata po dëgjojnë shumë pak”, thotë Robert Daly, në Qendrën Wilson.

Por Tajvani është çështja kryesore. Taipei ka organizuar stërvitje për sulm ajror, ndërsa shqetësimet rriten mbi tensionet e shkaktuara nga planet e pakonfirmuara të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi për të vizituar ishullin, që Pekini e konsideron provincën e tij të shkëputur.

“Mendoj se është e rëndësishme që ne të tregojmë mbështetje për Tajvanin. Unë gjithashtu mendoj se askush nga ne nuk ka thënë ndonjëherë se jemi për pavarësinë kur bëhet fjalë për Tajvanin. Kjo i takon Tajvanit ta vendosë”, tha zonja Pelosi.

Pekini ka paralajmëruar vazhdimisht se do të përgjigjet me forcë.

“Nëse SHBA-ja shtyn përpara dhe sfidon vijën përfundimtare të Kinës, ajo në mënyrë të pashmangshme do të përballet me përgjigje të fuqishme. Pala amerikane do të mbajë të gjitha pasojat që rrjedhin prej saj”, tha Zhao Lijian, zëdhënës i ministrisë së Jashme kineze.

Pekini kritikoi gjithashtu Aktin CHIPS që miratoi Dhomën e Përfaqësuesve të enjten. Legjislacioni do të nxisë prodhimin e mikroprocesorëve në SHBA, dhe do të financojë prodhimin dhe kërkimet shkencore për të rritur konkurrencën amerikane. Ajo është hartuar si një përpjekje për t’iu kundërpërgjigjur Kinës.

XS
SM
MD
LG