Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ofrojnë të dhëna zbulimi për Ukrainën, pas ndryshimeve më të fundit të zyrtarëve në rrethin e brendshëm të Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy, u shpreh Departamenti amerikan i Shtetit.
"Jemi në kontakt të përditshëm me partnerët ukrainas... Ne nuk investojmë në personalitete, ne investojmë në institucione. Kemi një marrëdhënie për ndarje të të dhënave të zbulimit me homologët ukrainas... Po e vazhdojmë këtë" praktikë, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy emëroi të hënën një zyrtar me përvojë në siguri dhe në luftën kundër korrupsionit si kreun në detyrë të agjencisë për sigurinë e brendshme, pasi shkarkoi papritur paraardhësin e tij.
Zoti Zelenskiy dekretoi emërimin e Vasyl Maliukut si shef në detyrë të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror, një ditë pasi pezulloi nga posti Ivan Bakanovin, një mik i tij që nga fëmijëria, për atë që ai e cilësoi si një dështim për çrrënjosjen e tradhëtarëve në agjenci.
Presidenti Zelenskiy pezulloi gjithashtu të dielën prokuroren e përgjithshme Iryna Venediktova, duke thënë se kishte pasur dhjetëra raste të bashkëpunimit me Rusinë nga zyrtarë të prokurorisë dhe të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror.
Në një ndryshim tjetër të nivelit të lartë, parlamenti votoi të hënën për të pranuar dorëheqjen e ministres së politikave sociale Maryna Lazebna. Ajo nuk dha hollësi për arsyet e dorëheqjes së saj, të cilën e paraqiti javën e kaluar.
Kryeministri Denys Shmyhal lëshoi një deklaratë duke e falënderuar për punën e saj "efektive" në këtë rol që nga marsi 2020.
Ai nuk tha se kush do ta zëvendësonte atë.