Presidenti amerikan Joe Biden mbërriti sot (të mërkurën) në Izrael, duke filluar kështu një turne të rëndësishëm në Lindjen e Mesme të dominuar nga përpjekjet për të bindur aleatët e Gjirit për të shtuar prodhimin e naftës dhe afrimin e Izraelit me Arabinë Saudite. Presidenti do të qëndrojë dy ditë në Jeruzalem para se të takohet me presidentin palestinez të premten në Bregun Perëndimor. Avioni presidencial “Air Force One” do të flututojë direkt nga Izraeli për në Xhedah të Arabisë Saudite.
Zyrtarët amerikanë thonë se vizita e parë e Presidentit Biden në Lindjen e Mesme mund të ndihmojë në normalizimin e marrëdhënieve dipliomatike mes Izraelit dhe Arabisë Saudite. Në vigjilje të turneut të Presidentit Biden në Lindjen e Mesme Zëri i Amerikës bisedoi me koordinatorin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby.
Vizita e Presidentit Biden në Lindjen e Mesme ka një rëndësi të madhe për rajonin dhe sigurinë kombëtare amerikane, thotë për Zërin e Amerikës kordinatori i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby. Presidenti do të ketë një axhendë të ngjeshur bisedimesh, që nga përpjekjet e forcimit të mbrojtjes rajonale, përballjes me nevojat energjitike e deri tek angazhimi amerikan për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez dhe normalizimi diplomatik mes Arabisë Saudite dhe Izraelit, thotë për Zërin e Amerikës John Kirby, Koordinator për Komunikime Strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
“Në këtë vizitë ka shumë gjëra për të diskutuar. Çuarja më tej e parneritetit të mbrojtjes me Izraelin dhe riafrimimi i angazhimit tonë të hekurt për mbrojtjen e atij vendi. Takimi i Presidentit Biden me presidentin palestinez Mahmoud Abbas për të riafirmuar angazhimin amerikan për zgjidhen me dy shtete të konfliktit izraelito-palestinez. Në Arabinë Saudite, një partner strategjik për 80 vjet, Presidenti Biden do të bisedojë me Mbretin Salman”.
Ai thotë se Arabia Saudite vazhdon të mbështesë përpjekjet amerikane në Gjirin Persik për minimizimin e aktiviteteve destabilizuese iraniane. Zoti Kirby thotë se Presidenti Biden do të bisedojë me vendet partnere të gjirit lidhur me përpjekejt kundër terrorizmit, sigurisë energjitike dhe ushqimore dhe ndryshimeve klimatike, mes të tjerash.
“Do të duhet kohë për normalizimin e marrëdhënieve diplomatike (mes Arabisë Saudite dhe Izraelit). Është e qartë se këto janë vendime sovrane që duhet të marrin ato vende. Ne mbështesim Marrëveshjet e Abrahamit dhe duam të shohim vazhdimin e një normalizimi. Një Izrael më i integruar në rajon është më mirë për rajonin”.
Zoti Kirby thotë normalizimi do të sillte përfitime si për izraelitët ashtu dhe për fqinjët e tyre arabë dhe do të ishte në shërbim të interesave amerikane të sigurisë.
“Kur Presidenti Biden të fluturojë nga Izraeli direkt në Xhedah, kjo nuk është një gjë e vogël, ishte e paimagjinueshme më parë. Është një tjetër shembull i ngrohjes së marrëdhënieve të Izraelit me fqinjët arabë”.
Presidenti Biden do të shprehë mbështetjen për zgjidhjen me dy shtete të konfliktit izraelito-palestinez, kur të takohet me presidentin palestinez Mahmud Abbas në Bregun Perëndimor. Zoti Kirby theksoi rëndësinë e mbrojtjes kolektive përballë kërcënimeve nga Irani.
“Kemi kohë që po flasim për aftësi më të mira dhe më të integruara të mbrotjes ajrore në rajon. Një rrjet i përbashkët mbrojtjeje midis atyre vendeve të cilat po përballen me kërcënimet në rritje nga rraketat balistike iraniane”.
Nga Izraeli, Presidenti Biden do të shkojë në Xhedah të Arabisë Saudite, hera e parë që një president amerikan fluturon direkt nga Tel Avivi në Xhedah. Ky është një tjetër sinjal nga sauditët, të cilët ende nuk e njohin Izraelin.