Që nga fillimi i sulmit rus ndaj Ukrainës në shkurt, miliona njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Një pjesë e tyre janë strehuar në Ukrainën perëndimore dhe të tjerët kanë shkuar në vendet fqinje si Polonia. Shumë prej tyre morën me vete pak gjëra, por disa të tjerë sollën me vete bizneset e tyre. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anna Kostutschenko bisedoi me disa sipërmarrës, që janë vendosur në Lviv.
Të gjithë këta njerëz janë sipërmarrës, që dikur kishin zyrat e tyre në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës.
“Biznesi im filloi si një kompani e vogël udhëtimesh. Më pas u shndërrua në një qendër arsimore, ku ofronim kurse të gjermanishtes, polonishtes dhe anglishtes”.
Por kur Kharkivi filloi të bombardohej nga forcat ruse, ai u detyrua të ndërpriste punën dhe shumë punonjës të tij u larguan nga vendi. Zoti Savitsky gjithashtu evakuoi anëtarët e familjes së tij, të cilët shkuan jashtë vendit. Ai në fund u vendos në Lviv, ku filloi të bënte punë vullnetare.
“Gjatë largimit nga shtëpia dëgjuam shpërthime dhe ishim në panik. E dija që nëse nuk do të bëhesha pjesëtar i Forcave të Armatosura, do të gjeja një mënyrë tjetër për të qenë i dobishëm për vendin tim. Unë jam i mirë në krijimin e lidhjeve mes njerëzve, dhe të gjithë sipërmarrësit atje kërkonin diçka të tillë!”, thotë ai.
Zoti Savitsky bashkoi sipërmarrësit e Kharkivit dhe ngriti një qendër humanitare në Lviv për të ndihmuar njerëzit nga Ukraina lindore.
Maxym Udovychenko është pronar i një zinxhiri supermarketesh në Kharkiv. Shtëpia e tij u shkatërrua nga një raketë ruse.
Tani ai ndihmon në evakuimin e njerëzve. Në shumë raste, ai duhet t'i bindë ata të largohen.
“Bombardimet e vazhdueshme ndërhyjnë në aftësinë e njerëzve për të menduar, në mënyrë që ata të besojnë se janë të sigurt. Por unë e kuptoj që së shpejti kjo zonë do të bllokohet, dhe pastaj vullnetarët nuk do të jenë në gjendje të evakuojnë njerëzit, siç ndodhi në Mariupol”, thotë Maxym Udovychenko, sipërmarrës nga Kharkivi.
Sipërmarrësit në këtë qendër gjithashtu mbledhin ndihma humanitare dhe ndihmojnë rreth një mijë njerëz në ditë. Ndihmat vijnë nga Shtetet e Bashkuara dhe nga mbarë Evropa, thotë Pavlo Pismenkov, menaxher i këtij projekti.
“Ne kemi vendosur kontakte me organizatat ndërkombëtarë dhe ukrainase për të mbledhur dhe dërguar ndihma humanitare në Kharkiv. Organizojmë dërgesa për njerëzit që nuk mund të shkojnë në pikat e shpërndarjes së ndihmave. Dërgojmë ushqime, pelena dhe pajisje për ekipet e kërkim-shpëtimit”, thotë Pavlo Pismenskov, sipërmarrës nga Kharkiv.
Përvoja shumëvjeçare në fushën e biznesit u lejon këtyre sipërmarrësve të organizojnë shpejt dërgesat, të kuptojnë vështirësitë logjistike dhe t'i mbajnë gjërat nën kontroll.
"Unë menaxhoj qendrën logjistike dhe aktivitetet e vullnetarëve që punojnë me banorët, mbrojtjen territoriale, dhe forcat e armatosura, të cilët punojnë shumë për t'u siguruar që po bëjnë atë që është më e nevojshme", thotë sipërmarrësi Sereda.
Të gjithë njerëzit në këtë qendër humanitare thonë se kanë të njëjtin qëllim.
“Buzëqeshjet e të gjithë fëmijëve dhe të gjithë ukrainasve, janë të rëndësishme për mua. Është shumë e vështirë për mua të shoh fëmijët nën stres të jashtëzakonshëm, të ulur në bodrume”, thotë sipërmarrësi Serhiy Stavisky.
Kjo qendër e pazakontë biznesi punon pa ndërprerje, shtatë ditë në javë.