Ndërsa fermerët amerikanë mbjellin kulturat bujqësore këtë vit, çmimet e drithërave si misri dhe soja janë afër niveleve rekord. Çmimet e larta kanë rritur koston si për fermerët ashtu edhe për konsumatorët.
Ndërsa mbjell misër dhe sojë në arat e tij në veri të Ilinoit, fermeri Mark Tuttle pret që ky të jetë një vit shumë i mirë për çmimet e këtyre produkteve bujqësore.
“Ne shisnim misër për 2 dollarë për një kohë të gjatë dhe e përballuam atë, dhe tani një shinik (ose 25 kilogramë) miser shitet me një çmimi prej 8 dollarësh.”
Çmimet e sojës janë gjithashtu afër niveleve rekord. Ky është gjithashtu lajm i mirë për fermerët.
"Por kjo po shoqërohet me rritjen e kostos për gjërat e tjera", thotë fermeri Mark Tuttle.
Kjo përfshin rritjen e çmimit të plehrave kimike dhe atë të farës.
“Në kohën kur misri kushtonte 2 dollarë, misri i farës ishte ndoshta 80 dollarë për hektar. Tani çmimi i farës është 140 deri 160 dollarë për hektar. Gjithçka është dyfishuar”, thotë fermeri Mark Tuttle.
Rritja e çmimeve është shkaktuar nga problemet me zinxhirin global të furnizimit të drithërave si misri, soja dhe gruri të nxitura nga pandemia e koronavirusit dhe sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës.
"Nuk ka pothuajse asnjë transport mallrash nga Deti i Zi. Nga portet në Detin e Zi Rusia dhe Ukraina transportonin pothuajse të gjitha eksportet e drithërave. Pikërisht në atë zonë tani për shkak të luftës është ndërprerë transporti i 30 për qind të eksporteve globale të grurit dhe kjo ka ndikuar edhe në eksportet e misrit.”
Mike Doherty, ekonomist i lartë i Byrosë së Fermave në Ilinoi, thotë se Rusia është gjithashtu një furnizues i rëndësishëm ndërkombëtar i naftës dhe gazit natyror. Sanksionet ndaj Rusisë, të vendosura për shkak të sulmit të saj ndaj Ukrainës, kanë pakësuar furnizimet me nafën ruse. Kjo po nxit blerësit të kërkojnë tregje të tjera, duke shkaktuar rritjen e çmimit të naftës.
“Çmimet në rritje të naftës janë në të vërtetë ato që po shkaktojnë rritjen e çmimit të plehrave kimike”, thotë zoti Doherty.
Fermerët mbështeten te plehrat kimike për kultivimin e kulturave të tyre bujqësore. Por fermeri Mark Tuttle thotë se edhe rritja e çmimit të naftës, që ai e përdor për traktorët dhe kamionët e tij, po rrit koston e mbjelljes së kulturave bujqësore.
"Unë e di se ata duan të kalojnë në përdorimin e burimeve të energjisë së gjelbër, por të gjitha pajisjet e fermerëve punojnë me naftë dhe nuk mund të kufizojmë furnizimin tonë me naftë tani", thotë ai.
Lufta në Evropën Lindore, thatësira në pjesën perëndimore të Shteteve të Bashkuara dhe Amerikën e Jugut, si dhe rritja e kërkesës për biokarburantet që prodhohen nga misri dhe soja për të kompensuar koston e rritur të naftës po kontribuojnë në rritjen e kostove për ushqimin dhe rritjen e inflacionit.
“Inflacioni është i lartë për ne tani, ka arritur deri në 10 për qind. Kjo rritje e inflacionit po ndikon fermerët dhe konsumatorët.”
Për këtë arsye pritshmëritë e fermerit Mark Tuttle mbi të ardhurat që ai mund të fitojë këtë vit janë ndikuar nga niveli i shpenzimeve paraprake që ai do të ketë për kultivimin e produkteve bujqësore.
“Volumi krahasuar me 20 vjet më parë është shumë i ngjashëm, por shpenzimet janë më të mëdha. Tani traktorët kushtojnë 250 mijë dollarë. Dikur blinim traktorë për 80 mijë dollarë. Pra, inflacioni e ka rënduar situatën. Standardi i jetesës ndoshta nuk do të ndryshojë shumë. Kemi të bëjmë vetëm me qarkullim të dollarit”, thotë ai.
Një strukturë çmimesh e ndikuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë.
"Lufta nuk është e mirë për askënd", thotë fermeri Mark Tuttle.