Lidhje

Tavani për çmimin e karburantit në Hungari mund të krijojë një ngërç të ri me BE-në


Makinat duke u furnizuar në një pikë karburanti të kompanisë hungareze MOL në Budapest
Makinat duke u furnizuar në një pikë karburanti të kompanisë hungareze MOL në Budapest

Inflacioni në rritje në Hungari detyroi kryeministrin e vendit të marrë masa për uljen e çmimit të karburantit. Qeveria gjithashtu ka vendosur një taksë për “fitimet shtesë”, siç i quan ajo, të kompanive të linjave ajrore. Kompani si Ryanair dhe Easyjet janë detyruar tashmë të rrisin çmimet e biletave dhe këto politika të qeverisë hungareze kanë krijuar debat me BE-në dhe disa ekonomistë.

Pasojat e tavanit të çmimit të karburanteve në Hungari
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:30 0:00

Masat më të fundit të qeverisë nacionaliste të Hungarisë për të zbutur efektet e rënies së ekonomisë dhe rritjes së inflacionit, po kundërshtohen nga disa prej kompanive të prekura dhe rrezikojnë të krijojnë një ngërç të ri mes Budapestit dhe Bashkimit Evropian.

Duke lënë mënjanë modelin konservator fiskal me sa më pak rregulla dhe një kapitalizëm të tregut të lirë, Kryeministri i djathtë populist Viktor Orban i është përgjigjur inflacionit më të lartë në Hungari që prej 25 vitesh, duke vendosur tavane zyrtare për çmimin e karburantit dhe produkteve të ndryshme ushqimore, si dhe duke vjelur taksa të veçanta nga sektorë të caktuar të ekonomisë.

Gjatë një interviste javën e kaluar, zoti Orban fajësoi luftën në Ukrainë dhe sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, për vështirësitë ekonomike të Hungarisë.

“Një situatë e jashtëzakonshme kërkon masa të jashtëzakonshme. Në raste të tilla devijimi nga rregullat e përgjithshme është i lejueshëm, madje edhe i detyrueshëm. Nuk ka mënyrë tjetër për të mbrojtur interesat e popullit hungarez. Po të mos kishim tavan, çmimi i karburantit do ishte deri në 2.35 dollarë për litër. Rritja e karburantit do të reflektohej menjëherë edhe në rritjen e çmimeve të tjera”, tha Kryeministri Orban.

Viktor Orban
Viktor Orban

Megjithëse disa nga këto politika ndihmojnë konsumatorët hungarezë, duke u ofruar atyre çmime më të ulëta në periudhën afatshkurtër, kompanitë vendase dhe shumëkombëshe janë të zemëruara. Ato thonë se këto politika po dëmtojnë bilancet e tyre dhe aftësinë për të konkuruar në treg.

BE-ja kundërshton një masë të miratuar në Hungari në muajin maj, sipas së cilës shoferët me targa të huaja nuk mund të përfitojnë nga tavani i vendosur ndaj çmimit të karburantit, por duhet ta paguajnë atë me çmimin real të tregut. BE-ja e quan këtë praktikë diskriminuese dhe ka kërcënuar se do të ndërmarrë hapa ligjore.

“U kërkojmë burokratëve në Bruksel të mos ndjekin logjikën e barazisë, por të kuptojnë më në fund se në vendet që gjenden më pranë zonës së luftës, masat e jashtëzakonshme mund të jenë të nevojshme”, tha zoti Orban.

Disa konsumatorë hungarezë, pagat e të cilëve janë ndër më të ulëtat në Bashkimin Evropian, thonë se çmimet e reduktuara të karburantit po i ndihmojnë, ndërsa vazhdojnë të rriten çmimet e prodhimeve të tjera, në veçanti atyre ushqimore.

Është mirë të ketë tavan. Makinat me targa hungareze mund të furnizohen me karburant me 1.25 dollarë litri. Do të kishim vuajtur nëse çmimi do të shkonte më lart”, thotë Krizstian Orsos, marangoz në qytetin Somogyvar.

Jozsef Toth është fermer në pension nga një fshat i vogël hungarez. Megjithë pensionin e tij të vogël, ai nuk është dakort për çmimin më të lartë që u vendoset të huajve.

“Është mirë për ne, por disi e çuditshme që të huajt duhet të paguajnë më shumë. Nëse do të shkonim ne tek vendet e tyre, atëherë do të duhej të na e shisnin ata neve më shtrenjtë (karburantin)”, thotë zoti Toth.

Rafineria kryesore e kompanisë hungareze MOL (Szazhalombatta, Hungari)
Rafineria kryesore e kompanisë hungareze MOL (Szazhalombatta, Hungari)

Gyorgy Suranyi është ekonomist dhe ish-guvernator i bankës qendrore të Hungarisë. Ai është kundër vendosjes së tavaneve në çmime si një strategji për të lehtësuar barrën financiare. Gjithashtu, ai shpjegon se inflacioni pati filluar kohë përpara se Rusia të sulmonte Ukrainën.

Krahas inflacionit dhe rritjes së çmimeve të konsumit, Hungaria po përballet edhe me një defiçit buxhetor në rritje. Kjo e shtyu qeverinë të njoftojë se do të vendosë taksa të reja ndaj fitimeve shtesë në disa sektorë, si bankat, siguracionet dhe udhëtimet ajrore. Qeveria thotë se këto kompani do të kontribuojnë kështu për rimëkëmbjen ekonomike nga të ardhurat e tyre shtesë për shkak të kërkesës së rritur. Por ekonomistët thonë se shumica e kompanive nuk kanë fitime më të mëdha se zakonisht.

“Duhet të ishte lejuar çmimi të luhatet sipas kërkesave dhe siç e përcaktojnë çmimet në tregun botëror. Meqë kështu do të ishte krijuar fitim domethënës shtesë për kompaninë monopol hungareze (të karburanteve), nga ky fitim mund të ishte marrë tatimi shtesë”, thotë ekonomisti Suranyi.

Kompanitë ajrore janë dakort. Drejtori i kompanisë ajrore, Ryanair, me seli në Irlandë, Michael O’Leary, e quajti taksën e re hungareze “një grabitje komitësh”. Së bashku me kompaninë tjetër ajrore britanike EasyJet, dhe atë hungareze të fluturimeve me kosto të ulëta Wizz Air, atyre tashmë do t’u duhet t’i shtojnë 10 Euro çmimit të çdo bilete për të përballuar taksën e re.

XS
SM
MD
LG