Lidhje

Bridget Brink: Është interes jetik i Amerikës të ketë paqe dhe siguri në Evropë


Ambasadorja amerikane në Ukrainë, Bridget Brink, tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se është në interesin jetik të Shteteve të Bashkuara që të ketë paqe e siguri në Evropë, prandaj përpjekjet e saj janë përqendruar në mbështetjen e një Ukraine që do të jetë e lirë dhe e gatshme të vendos për të ardhmen e saj.

Brink: Paqja dhe siguria në Evropë, interes jetik i Amerikës
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:59 0:00

Zonja Brink e cila u konfirmua në muajin maj në postin e ambasadores amerikane në Ukrainë tha se me të marrë detyrën vendosi pesë synime të menjëhershme.

“I pari ishte të ndihmoja Ukrainën të mbrohet. Synimi i dytë të ndihmoj në sigurimin e llogaridhënies dhe drejtësisë për krimet e luftës dhe mizoritë. I treti, të ndihmoj për të siguruar që ndihma humanitare, veçanërisht ndihma e financuar nga Shtetet e Bashkuara, të arrijë te ata që kanë nevojë, veçanërisht në zonat e konfliktit. I katërti është të mbikëqyret kjo sasi masive e ndihmës amerikane dhe së fundmi pjesa më e këndshme e punës, të bashkojmë ekipin tonë, amerikanët dhe ukrainasit që punojnë në ambasadë”.

Presidenti ukrainas Volodymir Zelenskyy, ka ritheksuar shpesh se ndihma ndërkombëtare është e domosdoshme për vendin e tij për t’u përballur me agresionin rus, duke kritikuar herë pas here aleatët perëndimorë përfshirë Shtetet e Bashkuara, për zvarritje të ndihmës ushtarake.

“Do të thosha se që nga fillimi i luftës dhe madje edhe më parë, ne kemi qenë plotësisht të përqendruar që Ukrainës t'i sigurojmë mjetet e sigurisë, armët që u duhen sa më shpejt të jetë e mundur dhe ky është në fakt përqendrimi im numër një. Unë mendoj se ka pasur disa probleme në fillim, dhe unë jam këtu vetëm për t'u siguruar që gjithçka që po bëjmë është duke mbështetur drejtpërdrejt ukrainasit në vijën e parë dhe gjithashtu, duke ndihmuar Ukrainën të përmirësojë pozicionin e saj në fushën e betejës, gjë që ne besojmë se do të ndihmojë negociatat e saj, pozicionin e saj në një kohë kur kjo të jetë e përshtatshme”.

Ambasadorja Brink tha se është tepër e rëndësishme për ekzistencën e Ukrainës, por është gjithashtu tepër e rëndësishme për sigurinë evropiane dhe për Shtetet e Bashkuara, që të mos lejohet ndryshimi me forcë i kufijve.

“Unë mendoj se ne që jemi mbështetës kaq të fortë brenda qeverisë amerikane, brenda popullsisë amerikane, e mbështesim Ukrainën sepse ne e shohim dhe e kuptojmë të ardhmen që duan ukrainasit. Dhe kjo është një e ardhme ku Ukraina është e lirë, e pavarur, e begatë, sovrane dhe duhet të vendosë për të ardhmen e saj. Për ne si amerikanë, kjo paraqet atë ne jemi. Pra, ajo që unë do të shpresoja, ajo që planifikoj të bëj dhe ajo që po bëjmë është të mbështesim Ukrainën në këtë detyrë të menjëhershme për të ngadhënjyer në përpjekjen e saj për të mbrojtur veten, që është jashtëzakonisht e rëndësishme. Unë mendoj se të gjithë do të pajtoheshin. Dhe mendoj se qeveria këtu dhe njerëzit këtu do të bien dakord që një detyrë tjetër e rëndësishme është dhe do të jetë përpjekja reformuese, e cila do t'i sigurojë Ukrainës një të ardhme për fëmijët e saj”.

Udhëheqësit perëndimor e shohin luftën e Ukrainës kundër agresionit rus si luftë për vlerat perëndimore, ndërsa vëzhguesit tërheqin vërejtjen për pasojat që mund të kishte dështimi i saj në këtë luftë.

“Ukraina nuk do të dështojë dhe ne do të vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën për aq kohë sa të duhet. Dhe siç e përmenda, kjo është padyshim shumë e rëndësishme për Ukrainën, dhe është gjithashtu shumë e rëndësishme për sigurinë evropiane. Është me të vërtetë e rëndësishme për Amerikën, sepse siç ka thënë Presidenti Joe Biden, është moralisht e papranueshme ajo që ka ndodhur nga ky sulm i paprovokuar i pajustifikuar ndaj një kombi sovran. Por, është gjithashtu në interesin jetik të Amerikës që të ketë paqe dhe siguri në Evropë”.

Ambasadorja Brink tha se agresioni rus mund të ketë pasoja që shkojnë përtej Ukrainës dhe kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara duan t’i ndihmojnë asaj të ngadhënjejë dhe njëkohësisht janë bërë pjesë e planeve për rindërtimin e saj pas luftës.

XS
SM
MD
LG