Rreth 100 metra nga pjesa lindore e qytetit të Shkodrës, shtrati i lumit Kir, një nga tre lumenjtë që rrethojnë qytetin, shfaqet i mbushur me mbeturina nga më të ndryshmet, që vazhdojnë të hidhen, thuajse çdo ditë, nga individë, biznese dhe vetë institucionet vendore.
Banori i zonës, Fejzi Shahini, thotë se situata i ngjan një katastrofe mjedisore:
“Këtu është një katastrofë e mjedisit, një papastërti e paparë. Prandaj, bashkia duhet të vërë dorë. Ose me lanë dikë me u interesu për këtë situatë, ose me ba një pastrim dhe me i mbledh këto mbeturina dhe me i dërgu më poshtë. Absolutisht këtu hidhen pa kriter dhe krijohen shumë probleme”.
Shtrati i lumit Kir, prej më shumë se 20 vitesh është shndërruar në një nga vendgrumbullimet e jashtëligjshme të mbeturinave, megjithëse ndodhet fare pranë një prej qyteteve më të mëdha të Shqipërisë. Hedhja dhe djegia e tyre kanë qenë një alarm i vazhdueshëm për vetë banorët, të cilëve u rrezikohet jeta dhe shëndeti. Drejtuesi i shoqatës “Eko Mendje”, Mirsad Basha, thotë se situata i ngjan një katastrofe mjedisore dhe se, dëmi që i shkaktohet shëndetit të banorëve dhe mjedisit natyror, është shumë i madh.
Në vitin 2011, në afërsi të Bushatit, rreth 15 kilometra nga qyteti i Shkodrës, u ndërtua një nga landfillet e para në Shqipëri për grumbullimin e mbeturinave urbane të Shkodrës, Malësisë së Madhe dhe Pukës. Por, çmimi që duhet të paguajnë bashkitë për depozitimin e mbetjeve në landfill, si dhe rritja e kostos së transportit nga shtrenjtimi i çmimit të naftës, kanë shtyrë disa prej bashkive, por edhe individë dhe biznese private të vazhdojnë të hedhin mbeturinat në shtretërit e lumenjve apo në vende të hapura dhe të pamiratuara, në afërsi të qyteteve.
“Situata është shumë problematike, sidomos në këtë pjesë të lumit Kir, ku prej vitesh është një problem shumë i madh. Në këtë moment, shikojmë se është një katastrofë shumë e madhe mjedisore. Tani që lumi është më i shterrur, shikojmë që njerëzit hedhin më shumë mbeturina. Duke i hedhur në mes të lumit, përveçse ka një shkatërrim të madh mjedisor, por edhe shtrati i lumit devijohet, vijnë rreshjet e mëdha të dimrit dhe ka përmbytje”.
Eksperti i mjedisit, Mark Rupa, tregon një tjetër zonë të jashtëligjshme, të ndotur nga hedhja e mbeturinave, në Malësi të Madhe. Goma, inerte, xhama dhe mbeturina nga më të ndryshmet mbulojnë një sipërfaqe te madhe toke. Gjatë periudhës së vjeshtës dhe dimrit, filtrimet e ujërave të ndotura shkarkohen në liqenin e Shkodrës, duke ndikuar në ndotjen e tij. Shqipëria, thotë eksperti Rupa, ka prodhuar një numër të madh ligjesh për mjedisin dhe menaxhimin e integruar të mbeturinave, megjithatë, janë vetë institucionet qe i shkelin këto ligje duke lejuar ndotjen e shtretërve të lumenjve dhe, në pergjithësi, të mjedisit.
“Ndotja ndodh sepse infrastruktura, së bashku me sistemin e menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri është akoma në nivele primitive. Njëkohësisht, kemi vetë institucionet shtetërore që e shkelin ligjin, janë bashkitë që e shkelin ligjin, janë institucionet e monitorimit të mjedisit që e shkelin ligjin. Bashkitë e Shqipërisë, në bazë të ligjit të vitit 2011 e kanë detyrim grumbullimin, ndarjen në burim, trajtimin dhe depozitimin e mbetjeve në vende të caktuara dhe të miratuara me ligj. Kjo gjë nuk ndodh”.
Agjencitë e monitorimit të mjedisit heshtin, thotë eksperti Rupa, ndërsa në të gjithë webet, e adaptuara për informimin publik, mungojnë të dhënat mbi ndarjen e mbetjeve në burim, si grumbullohen dhe trajtohen, apo cilat janë sfidat kryesore.
Përqendrimi, kohët e fundit i vëmendjes dhe investimeve tek ndërtimi i inceneratorëve, sipas ekspertit Rupa ka dekurajuar të gjithë sistemin e deritanishëm të mbledhjes së mbeturinave, që nga ndarja e tyre në burim, e deri tek riciklimi, ku veprojnë një numër jo i vogël biznesesh.
“Bashkitë, për momentin, janë në gjendje që t’i kontollojnë hapësirat. Ato e dijnë ku janë problemet në lidhje me ndotjet, por nuk janë në gjendje që t’i menaxhojnë, sepse vetë përqasja, vetë sistemi i menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri ngelet përsëri në nivel primitiv. Ne duhet t’i japim përparësi aktorëve të ndryshëm, që mund të përfshihen në menaxhimin e mbetjeve, siç janë aktorët e sektorit privat që merren me riciklimin, janë sektorët privat që merren me grumbullimin e fragmenteve të ndryshme të mbetjeve. Pra nuk duhet të jetë vetëm një aktor që merret me menaxhimin e mbetjeve”.
Çdo vit, lumenjtë, por edhe përmbytjet, vazhdojnë të marrin me vete miliona metër kub mbetje të rrezikshme duke ndotur territorin përrreth si dhe vijën bregdetare, jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të vendeve fqinje me të.
“Nuk ka probleme që ndotet vetëm një lum, sepse janë të gjithë lumenjtë e ndotur, por është problem se uji, rreshjet, vazhdojnë të ndoten duke u hedhur deri në det. Kështuqë, prishet ekosistemi, prishet turizmi, prishet imazhi i qyteteve, i Shqipërisë në turizëm e, po ashtu, edhe tek instancat e tjera institucionale mjedisore”.
Sipas të dhënave te INSTAT, të marra nga 61 bashkitë e vendit, Shqipëria gjeneron çdo vit rreth 1 milion e 200 mijë tonë mbetje urbane, tregues ky që rritet nga vitit në vit. Një pjesë prej këtyre mbetjeve hidhen jashtë landfilleve dhe venddepozitimeve të miratuara, gjë që e bën të ngutshëm menaxhimin më të mirë të tyre për të mbrojtur territorin nga ndotja.