Lidhje

Komisioni Kongresit shpalos gjetjet mbi sulmin e vitit 2021 në Kapitol


Një komision Dhomës së Përfaqësuesve që hetoi sulmin e 6 janarit të vitit 2021 në Kapitol, mbajti seancën e parë publike të enjten në mbrëmje, duke shfaqur pamje dramatike të trazirave të dhunshme dhe fragmente intervistash me anëtarë të rrethit të ngushtë të ish presidentit amerikan, Donald Trump.

Seanca dëgjimore dyorëshe që u shfaq në televizion, e para në një seri prej shtatë syresh sa janë planifikuar për këtë muaj, pasoi një hetim të gjerë mbi sulmin e mbështetësve të ish presidentit Trump, i cili humbi në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 përballë presidentit Joe Biden.

Ndërsa hollësitë kryesore të gjetjeve të komisionit rrodhën muajt e fundit, anëtarët e komisionit shfrytëzuan seancën për të ofruar atë që kryetari i tij, Bennie Thompson, e quajti "një rrëfim të vërtetë të asaj që ndodhi dhe çfarë çoi te sulmi”.

Sulmi, tha zoti Thompson në hapje të seancës, ishte "kulmi i një përpjekjeje për grusht shteti".

Dhuna ishte rezultat i një "komploti të përhapur, me shumë hapa që synonte përmbysjen e zgjedhjeve" dhe zoti Trump ishte në qendër të komplotit, tha zoti Thompson.

"Përfundimisht, Donald Trump, presidenti i Shteteve të Bashkuara, nxiti një turmë armiqsh të brendshëm të Kushtetutës që të parakalojnë deri në Kapitol dhe të përmbysin demokracinë amerikane", tha ai.

Sulmi i 6 janarit pasoi një fjalim të ish presidentit Trump të mbajtur më herët atë ditë në afërsi të Shtëpisë së Bardhë, ku ai u kërkoi mijëra mbështetësve të tij të marshonin në Kapitol dhe të "luftonin furishëm”.

Ndërsa anëtarët e Kongresit u mblodhën brenda Kapitolit për një ritual katërvjeçar të certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve presidenciale, në këtë rast, fitores së zotit Biden, më shumë se 2000 mbështetës të ish presidentit Trump ndërhynë për të ndaluar procesin.

Nënkryetari i atëhershëm Mike Pence, i cili kryesonte seancën, dhe anëtarët e Kongresit u evakuuan në vend të sigurt dhe nuk u kthyen deri vonë atë mbrëmje për të përfunduar certifikimin e votave.

Shtatë persona, përfshirë një oficer policie, humbën jetën nga pasojat e sulmit, sipas një raporti dypartiak të Senatit, dhe më shumë se 150 oficerë policie u plagosën.

Sulmi ishte një ngjarje e pashembullt në historinë amerikane.

Të inkurajuar nga ish presidenti Trump, protestuesit u përpoqën të pengojnë kalimin paqësor të pushtetit, "një traditë 220 vjeçare", tha zoti Thompson.

Fjalimi i zoti Trump dhe dhuna që pasoi, çoi në akuzat për shkarkim pak para se të largohej nga detyra, duke e bërë atë të vetmin president amerikan ndaj të cilit u ngritën dy herë akuza të tilla.

Ish presidenti Trump i shpëtoi largimit nga detyra meqë shumica e senatorëve republikanë votuan kundër shkarkimit të tij.

Nënkryetarja e komisionit, ligjvënësja republikane Liz Cheney, tha se zoti Trump u përpoq të përmbyste zgjedhjet duke pretenduar për mashtrim, pavarësisht se këshilltarët i thanë se kishte humbur.

Në pamjet e transmetuara gjatë seancës dëgjimore, disa ish ndihmës të zoti Trump thanë se nuk u besonin pretendimeve gtë ish presidentit për mashtrim.

Ish Prokurori i Përgjithshëm, Bill Barr, kujtoi se i kishte thënë zotit Trump pas zgjedhjeve se ai mendonte se pretendimet e tij për mashtrim ishin "gjepura”. Vajza e zotit Trump, Ivanka, tha se e pranoi vlerësimin e ish prokurorit Barr.

Megjithatë, zoti Trump vazhdoi përpjekjet e palodhshme që të detyronte Departamentin e Drejtësisë të deklarohej për mashtrime zgjedhore, duke i kërkuar një zyrtari të hartojë një letër drejtuar shteteve ku thuhej se departamenti kishte "identifikuar shqetësime të rëndësishme që mund të kenë ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve".

Kur protestuesit hynë në Kapitol, në vend që të dënonte dhunën, ish presidenti Trump "e arsyetoi atë", tha zonja Cheney.

"Presidenti Trump i bëri thirrje turmës, e mblodhi atë dhe e ndezi sulmin”, tha ajo.

Duke cituar dëshminë e një ish-zyrtari të administratës Trump, zonja Cheney tha se kur zoti Trump u informua më 6 janar se mbështetësit e tij jashtë Kapitolit po brohorisnin duke kërkuar varjen e zoti Mike Pence, ish-presidenti tha: "mbase mbështetësit tanë kanë idenë e duhur. Mike Pence e meriton një gjë të tillë”.

Duke paralajmëruar seancat e ardhshme publike, zonja Cheney tha se sesioni i ardhshëm, i planifikuar për të hënën, do të përqendrohet në pretendimet e zoti Trump për mashtrim, pavarësisht se e dinte që i kishte humbur zgjedhjet.

Komisioni prej nëntë anëtarësh, i përbërë nga shtatë demokratë dhe dy republikanë, u themelua nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi korrikun e kaluar, pasi republikanët e Senatit bllokuan një përpjekje për të ngritur një komision dypartiak, të pavarur, për të hetuar sulmin në Kapitol.

Komisioni intervistoi më shumë se 1,000 dëshmitarë, shqyrtoi më shumë se 140,000 dokumente dhe lëshoi rreth 100 fletëthirrje për dëshmi dhe dorëzim dokumentesh.

Shumë nga njerëzit e afërm të zotit Trump, duke përfshirë djalin Donald Trump Jr, vajzën Ivanka Trump dhe dhëndrin Jared Kushner, dëshmuan para komisionit.

Të tjerë, megjithatë, refuzuan t'u përgjigjen pyetjeve dhe të paktën dy syresh, ish-këshilltari i zotit Trumpit, Peter Navarro dhe ish strategu i Shtëpisë së Bardhë, Stephen Bannon, janë akuzuar për shpërfillje të Kongresit për shkak të refuzimit për të bashkëpunuar me hetuesit.

Republikanët e kanë sulmuar në mënyrë të përsëritur hetimin e komisioni si një gjueti partiake shtrigash, për të dëmtuar gjasat e zotit Trump si kandidat presidencial në zgjedhjet e viti 2024.

“Është komiteti më politik dhe më jo legjitim në historinë amerikane...”, tha udhëheqësi i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy.

Gjatë seancës dëgjimore përveç pamjeve u paraqitën edhe dëshmi nga oficerja e Policisë së Kapitoli, Caroline Edwards, e cila u plagos gjatë sulmit dhe regjisori britanik i filmave dokumentarë, Nick Quested, i cili filmoi organizatën e ekstremit të djathtë "Proud Boys”.

Anëtarët e Proud Boys dhe të grupit “Oath Keepers”, një milici antiqeveritare, janë akuzuar për komplot për kryengritje si pjesë e hetimit të gjerë të Departamentit të Drejtësisë për sulmin në Kapitol.

Departamenti vlerëson se mes 2,000 dhe 2,500 veta hynë në Kapitol më 6 janar dhe Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland është zotuar të mbajë përgjegjës të gjithë të përfshirët në sulm.

Deri më sot, më shumë se 840 persona janë arrestuar në lidhje me sulmin e 6 janarit dhe rreth 305 prej tyre janë deklaruar fajtorë, kryesisht për akuza për kundërvajtje, tha të mërkurën Departamenti i Drejtësisë.

Në një deklaratë të këtij departamenti thuhet se "vendosmëria e tij për të mbajtur përgjegjës ata që kryen krime më 6 janar 2021, nuk është zbehur dhe nuk do të zbehet".

Jordan Strauss, një ish-zyrtar i Departamentit të Drejtësisë dhe Shtëpisë së Bardhë, e quajti seancën e së enjtes mbrëma "një deklaratë hapëse në një çështje të ndërlikuar dhe të gjerë konspiracioni kriminal".

Përveç hetimit të të përfshirëve në sulmin e 6 janarit, departamenti thuhet se ka zgjeruar hetimet për përpjekjet e operativëve politikë dhe ligjvënësve shtetërorë për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020.

Kjo nuk i ka penguar politikanët e së majtës të kritikojnë Departamentin e Drejtësisë për "dështim" në nisjen e një hetimi penal për rolin e zotit Trump në sulmin e 6 janarit.

Zoti Garland ka thënë se prokurorët "do t'i ndjekin faktet kudo që të çojnë”.

XS
SM
MD
LG