Takimi i vendeve të kontinentit amerikan, që mbahet këtë vit në Los Anxhelos, nis zyrtarisht të mërkurën, por udhëheqësit e disa vendeve po e bojkotojnë pasi Uashingtoni nuk ftoi Kubën, Nikaraguan dhe Venezuelën, me argumentin se vetëm vendet demokratike meritojnë të jenë në takim. Mospjesëmarrja e Meksikës, Guatemalës dhe Hondurasit, sipas analistëve ngre shqetësime për rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara në rajon.
Takimi i vendeve të kontinentit amerikan mbledh së bashku 34 vende të Hemisferës Perëndimore, për të diskutuar çështje të përbashkëta. Gjatë këtyre takimeve Uashingtoni ka arritur marrëveshje të rëndësishme, siç ishte ajo për Tregtinë e Lirë në Amerikën e Veriut, më 1994, gjatë kohës kur Bill Clinton ishte president.
Ish-presidenti Barack Obama në takimin e vitit 2015 rihapi marrëdhëniet me Kubën.
Për takimin e këtij vitit, presidenti i Meksikës konfirmoi se nuk do të marrë pjesë pas vendimit të SHBA për të mos ftuar Kubën, Nikaraguan dhe Venezuelën.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë tha se gjatë këtij takimi do të diskutohet për problemet kryesore si: ekonomia, shëndeti publik, ndryshimet klimatike, pasiguria ushqimore dhe situata me migrantët.
“Ju do të shihni rezultate në ato çështje që janë njoftuar nga presidenti dhe anëtarët e tjerë të kabinetit”, theksoi ajo.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë sqaroi se Uashingtoi e diskutoi seriozisht mungesën e presidentit të Meksikës, por sipas saj SHBA nuk ndryshon qëndrim.
“Qëndrimi parimor i presidentit është se ne nuk besojmë, se duhet të ftohen diktatorët”, theksoi ajo.
Por analistët thonë se nuk është vetëm qëndrimi politik, por edhe çështjet që do të diskutohen, që nuk e bëjnë takimin “shumë tërheqës”.
“Nëse axhenda do të ishte tërheqëse, presidentët nuk do ta refuzonin dhe do të merrnin pjesë, duke shmangur këtë lloj teatri politik që po shohim. Mungesa e çështjeve serioze është me të vërtetë ajo që hapi derën për këtë lloj teatri politik”, thotë zoti Ryan Berg, nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Disa vende të tjera po ashtu shprehën mbështetje për Kubën, Nikaraguan dhe Venezuelën në një takim tjetër që u mbajt javën e kaluar.
“Ne e kundërshtojmë me forcë përjashtimin e këtyre vende nga ky takim. E ritheksoj vendimin tim për të mos marrë pjesë në këtë takim derisa të ftohen të gjitha qeveritë e vendeve të kontinentit”, thotë Luis Arce, President i Bolivisë.
Po analistë të tjerë thonë se bojkoti nga disa udhëheqës nuk do të ketë shumë rëndësi, pasi përfaqësues të nivelit të lartë të këtyre shteteve do të marrin pjesë.
“Ky takim mund të zhvillohet edhe pa praninë e këtyre tre vendeve. Dhe mendoj se ky është një takim që synon të nxjerrë në pah rëndësinë e demokracisë dhe vlerave demokratike në një rajon që historikisht i ka përqafuar ato. Tani jemi në një moment kur rajoni po përballet me sfida të jashtëzakonshme në lidhje me demokracinë dhe autoritarizmin në rritje”, thotë zoti Guillermo Zubillaga, nga Këshilli i Amerikave.
“Nëse ka një ose dy rezoluta të mëdha që dalin nga ky takim, kjo do të jetë një fitore e madhe. Gjëja tjetër që mendoj se duhet të kuptojmë është se këto takime, veçanërisht në vitet e kaluara, nuk kanë arritur të prodhojnë marrëveshje të mëdha në të gjithë hemisferën. Hemisfera është thjesht shumë e fragmentuar për ato lloj rezolutash të mëdha gjeopolitike”, thotë zoti Ryan Berg, nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Ndërkohë presidenti Joe Biden arrin në Los Anxhelos të mërkurën për të hapur zyrtarisht takimin e organizuar nga SHBA.