Presidenti Joe Biden mirëpriti në Shtëpinë e Bardhë të martën grupin BTS të muzikës koreane pop, me synimin për të rritur ndërgjegjësimin për diskriminimin kundër aziatikëve. Grupi me shtatë anëtarë është më i mirënjohuri në Korenë e Jugut; ka fituar tashmë dy çmime Grammy dhe një sërë çmimesh të tjera muzikore amerikane, si dhe ka ndikim të gjerë në radhët e adoleshentëve amerikanë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell, ata shërbejnë edhe si ambasadorë të OKB-së.
Grupi muzikor BTS gjendet kudo. Muzika e tyre e llojit rap dhe baladë është blerë mbi 3.6 miliardë herë, që nga ndjekësit në qytetin e tyre Seul dhe deri në vende të largëta si Somalia.
Të martën, ata u takuan në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Joe Biden në ditën e fundit të muajit të trashëgimisë aziatiko-amerikane, të popullsisë indigjene, havajane dhe të ishujve të Paqësorit.
"Është nder i madh që na ftuan sot në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar çështje të rëndësishme për krimet e urrejtjes ndaj aziatikëve, për përfshirjen e aziatikëve dhe diversitetin", tha drejtuesi i grupit, Rap Monster.
Ky është një angazhim serioz i një grupi me një bazë shumë të madhe mbështetësish, ndërsa po rriten krimet e urrejtjes kundër aziatikëve në Shtetet e Bashkuara, thotë analistja e Koresë në Qendrën Wilson, Jean Lee.
"Ky është qartësisht një qëndrim që kanë marrë kundër diskriminimit. Ngrenë zërin e tyre ndaj urrejtjes kundër aziatikëve që e kanë përjetuar, që po shohin se u ndodh njerëzve të ngjashëm me ta. Askush prej nesh nuk u shëmbëllen, pasi ata janë të mrekullueshëm! Por, e dini se në jetën e përditshme, ata duken si ne dhe ata e dinë që mund të bëhen objektiv sulmi në Shtetet e Bashkuara", thotë zonja Lee.
Dhe kur grupi BTS flet, ndjekësit dëgjojnë. Qindra prej tyre u mblodhën megjithë temperaturat shumë të larta tek porta e Shtëpisë së Bardhë të martën. Në vitin 2020, grupi dhuroi 1 milion dollarë për lëvizjen Black Lives Matter (Jetët e Afrikano-Amerikanëve Kanë Rëndësi) dhe mblodhi nga mbështetësit edhe 1 milion dollarë të tjerë.
Ndjekësit e tyre mendohet se përbënin shumicën e njerëzve që blenë bileta në internet për një tubim në qershor 2020 të ish-Presidentit Trump, me synimin për t'i lënë vendet bosh.
Ari, banore në shtetin Maryland, mbërriti disa orë përpara me shpresën që ta shihte grupin e saj të preferuar muzikor.
"Mendoj se për mua, si aziatiko-amerikane, kur shoh që u dalin në krah njerëzve të tjerë, grupi BTS janë vërtet frymëzues", thotë ajo.
Grupi BTS patën përvojën e tyre të parë në diplomacinë ndërkombëtare vitin e kaluar kur folën dhe kënduan në Kombet e Bashkuara.
"Shumë njerëz ndoqën punimet për shkak të grupit BTS. Një brez i tërë u ndërgjegjësua papritur për diplomacinë. Pra, qoftë për diplomacinë, ndryshimin klimatik, çështjet e shëndetit emocional dhe mendor, për çështjet e komunitetit LBGTQ apo racizmin, mendoj se po fillojnë ta kuptojnë se kanë një përgjegjësi, dhe kjo është e mrekullueshme. Jep një shembull shumë të mirë", thotë zonja Lee.
Ata janë pa dyshim shtatë mbretërit e muzikës koreane pop (k-pop), duke thyer rekorded e industrisë së muzikës. Ata janë kaq të admiruar në atdheun e tyre, saqë zyrtarë të lartë kanë diskutuar rishtazi publikisht nëse ata duhet të përjashtohen nga shërbimi i detyruar ushtarak.
Ata nuk iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve të martën në Shtëpinë e Bardhë se çfarë ndryshimesh konkrete të politikave i propozuan Presidentit Biden.