Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, parashtroi dje qasjen e administratës së Presidentit Biden ndaj Kinës, duke theksuar se Pekini është një ‘sfidë afatgjatë’ përballë vlerave universale që kanë ndikuar ndjeshëm tek përparimet botërore gjatë 75 viteve të fundit.
Sekretari Blinken thotë se politika amerikane ndaj Kinës mund të përshkruhet me fjalë, investim, koordinim dhe konkurrencë.
“Ne do të investojmë tek themelet e fuqisë sonë brenda vendit, konkurrenca, novacionet dhe demokracia. Do të bashkojmë përpjekjet me aleatët dhe partnerët e një qëllimi dhe kauze të përbashkët. Do të shfrytëzojmë këto dy vlera, do të konkurrojmë me Kinën për të mbrojtur interesat tona dhe ndërtuar vizionin tonë për të ardhmen. Kemi besim tek vetvetja përballë kësaj sfide”.
Kryediplomati Blinken tha se Uashingtoni nuk po kërkonte konflikt me Pekinin dhe se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të mbrojtur ligjin dhe institucionet ndërkombëtare, të cilat Kina kërkon t’i anashkalojë.
“Nën Pesidentin Xi (Jinping), Partia Komuniste në pushtet ka shtuar shtypjen brenda vendit dhe agresivitetin jashtë. Kjo shihet tek mënyra se si Pekini ka përsosur vëzhgimin masiv brenda Kinës dhe e ka eksportuar këtë teknologji në më shumë se 80 shtete. Kina po avancon pretendimet e paligjshme në Detin e Kinës Jugore, duke minuar paqen dhe sigurinë, lirinë e lundrimit dhe tregtinë”.
Ndërsa shefja e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, Michelle Bachelet, viziton Kinën për të vlerësuar kushtet në Xinjiang, ku Pekini akuzohet për burgosjen e shumë ujgurëve etnikë, Sekretari Blinken theksoi se Uashingtoni vazhdon të jetë i fokusuar tek abuzimet e të drejtave të njeriut nga Pekini.
“Trajtimi i pakicave etnike dhe fetare në Xinjiang dhe Tibet, si dhe shumë veprime të tjera të Pekinit, bien ndesh me parimet themelore të Kartës së OKB-së, që Pekini citon vazhdimisht dhe Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, që duhet t'i përmbahen të gjitha vendet. Shtypja e lirisë në Hong Kong nga Pekini shkel angazhimet e tij për dorëzimin e ishullit, të sanskionuara në një traktat të depozituar në Kombet e Bashkuara”.
Ditë më parë, Presidenti Joe Biden tha se Amerika ishte e gatshme të përdorte ushtrinë e saj për të mbrojtur Tajvanin, gjë që do të kishte qenë një ndryshim i politkës amerikane, ndërsa zyrtarët nuk kanë bërë prononcime të tilla më parë. Zoti Blinken tha se politika amerikane mbetet e njëjtë.
“Ndërsa politika jonë nuk ka ndryshuar, ajo që ka ndryshuar është shtimi i përpjekjeve të Pekinit për të ndërprerë marrëdhëniet e Tajvanit me vendet e tjera të botës dhe bllokimin e pjesmarrjes në organizatat ndërkombëtare. Pekini është angazhuar në një retorikë gjithnjë e më provokuse ndërsa avionët ushtarakë kinezë fluturojnë pranë Tajvanit pothuajse çdo ditë. Pronocimet dhe veprimet e Pekinit janë tejet destabilizuese, duke rrezikuar me përllogaritjet e tyre dhe kërcënuar paqen dhe stabilitetin në Ngushticën e Tajvanit”.
Sekretari Blinken vuri në dukje se SHBA-ja nuk dëshiron të “shkëputet” nga Kina, por dëshiron të vazhdojë tregtinë dhe investimet me superfuqinë aziatike për aq kohë sa është e “drejtë dhe nuk rrezikon” sigurinë kombëtare amerikane.