Sindikatat e punëtorëve në Kosovë u hodhën në protestë të premten me kërkesën për miratimin e Ligjit për Pagat, zbatimin e sigurimeve shëndetësore dhe ndryshimin e ligjit për skemat e pensioneve.
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, tha se kërkesat e sindikatave janë alarm për të tërhequr vëmendjen e qeverisë.
“Shqetësimet tona janë reale, shqetësimet tona janë të përbashkëta, janë shqetësime të cilat i njihni edhe ju. Kërkojmë hartimin si duhet, por jo të ngadalësuar e tejzvarritur të projektligjit për pagat, që tashmë do të duhej të ishte miratuar dhe kësisoj do të rregullonte sistemin e pagave ashtu si duhet”, tha zoti Hykolli.
Deri sa Ligji për Pagat të mos miratohet, tha ai, sindikatat kërkojnë rritje të pagës prej 100 eurosh, për të përballuar jetën e vështirësuar të punëtorëve pas rritjes së çmimeve në Kosovë.
Protestës iu bashkua edhe Sindikata e Arsimit të Kosovës, duke bërë që në tërë vendin të mos zhvillohet procesi mësimor.
Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, tha se kërkesat e sindikatave janë të logjikshme dhe në rast të mos plotësimit të tyre veprimet do të përshkallëzohen deri në grevë të përgjithshme.
“Qeveri ne po i lutemi Zotit që ju do të këndelleni e t’i realizoni kërkesat që i lexoi tashmë zoti Hykolli, në të kundërtën pas kësaj proteste madhështore do të ketë veprime edhe më të rënda, të cilat ne nuk i duam por ju si duket po i dëshironi. Heshtja e qeverisë, ikja nga dialogu tregon se ata e dinë se ne kemi të drejtë, se kërkesat tona janë legjitime”, tha zoti Jasharaj.
Këshilli i Prindërve të Kosovës nëpërmjet një reagimi me shkrim tha se nga mosmbajtja e mësimit po dëmtohen vetëm nxënësit dhe prindërit, të cilët, siç thuhet në reagim, nuk kanë mjete ligjore për të mbrojtur të drejtat kushtetuese që u takojnë.
Kryetari i Sindikatës së Administratës së Kosovës, Ali Gashi, tha se miratimi i Ligjit të Pagave rikthen dinjitetin e punëtorëve.
“Ne nëpërmjet kësaj proteste kërkojmë që sa më parë të fillohet zbatimi i ligjit të sigurimit shëndetësor. Sa shërbyes civilë, mësues, arsimtarë, profesorë, mjekë policë e zjarrfikës dhe punëtorë të tjerë vuajnë nga sëmundje të ndryshme? Ata nuk kërkojnë lëmoshë, ata kanë nevojë për dorën e shtetit, kanë nevojë për sigurimin shëndetësor, që mos të kenë edhe hallin e mbulimit shërimit”, tha zoti Gashi.
Një protestë e ngjashme u mbajt edhe në fillim të muajit të kaluar. Qeveria e Kosovës tha pas asaj proteste se projektligji i ri për pagat ndodhet në fazën përfundimtare të hartimit dhe se pas kësaj do të hapet për këshillime me sindikatat, duke nënvizuar se synimi i qeverisë është ta hartojë një ligjë të drejtë për gjithë sektorin publik.