Lidhje

Kusari: Paditë që synojnë frikësimin e gazetarëve, problem shqetësues në Ballkan, veçanërisht në Shqipëri


Kusari: Paditë që synojnë frikësimin e gazetarëve, problem shqetësues në Ballkan, veçanërisht në Shqipëri
please wait

No media source currently available

0:00 0:09:15 0:00

Komisioni Evropian propozoi këtë javë disa ligje që synojnë të frenojnë proceset e tepruara gjyqësore, që kanë për qëllim të frikësojnë gazetarët dhe aktivistët që ekspozojnë korrupsionin apo shkeljen e ligjit, një formë trysnie nëpërmjet padish, që Komisioni thotë se po shënon rritje në vendet e BE-së.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, këshilltarja ligjore e Qendrës Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias, flet mbi përpjekjet që po bën Bashkimi Evropian për t'u dhënë fund padive të tilla që synojnë të censurojnë, frikësojnë dhe heshtin kritikët duke i ngarkuar ata me koston e mbrojtjes ligjore, derisa ata të braktisin qasjen kritike apo kundërshtimin ndaj një çështjeje të caktuar.

Zonja Kusari është bashkëdrejtuese e Lëvizjes së parë Evropiane ndaj padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP), që përbëjnë një shqetësim serioz në Evropë.

Komisioni ka marrë si shembull rastin gazetares investigative kundër korrupsionit nga Malta, Daphne Caruana Galizia, e cila para se të vritej në vitin 2017, ishte e përfshirë në rreth 47 padi për shpifje. Me zonjën Kusari bisedoi kolegia Menada Zaimi.

Zëri i Amerikës: Zonja Kusari, pse ishte e domosdoshme lindja e një lëvizjeje të tillë?

Flutura Kusari: Ishte e domosdoshme sepse pas vrasjes së zonjës Daphne, ne e kuptuam se gazetarët po ballafaqoheshin edhe me një numër të madh padish, së bashku me forma të tjera të kërcënimeve. Ndaj gazetares Daphne Caruana Galizia kishte 47 padi. Ne dëshironim të dinim nëse edhe gazetarët e tjerë po ballafaqoheshin me një kërcënim të tillë. Pas tre vitesh hulumtimi, tani ne kemi prova të mjaftueshme që tregojnë se ky është një fenomen negativ, i cili ka prekur gazetarët në shumë vende të Evropës.

Zëri i Amerikës: Komisioni Evropian thotë se masat ligjore që propozon, synojnë t’u japin fund këtyre lloj padish, por do të zbatoheshin vetëm për rastet me pasoja ndërkufitare, me interes të gjerë shoqëror, si në rastet e çëshjeteve që lidhen me pastrim parash ose çështjeve mbi klimën. Kritikët thonë se propozimi nuk shkon aq larg sa duhet sepse nuk i detyron vendet anëtare të garantojnë të njëjtat masa mbrojtëse kundër padive mbi çështjet e brendshme për shembull, ose duke i trajtuar ato si çështje civile, e jo penale. A pritet të jetë kjo sipas jush një përgjigje efektive ndaj këtyre lloj padish?

Flutura Kusari: Kjo është një javë feste për neve për shkak se ne si koalicion, si lëvizje kundër padive SLAPP kemi arritur që brenda tre viteve të bindim të gjitha institucione ndërkombëtare, Këshillin e Evropës, Komisionin Evropian dhe Parlamentin Evropian që të adresojnë paditë SLAPP. Zakonisht fushatat e tilla marrin deri në një dekadë kohë për të dhënë rezultate, kështu që kjo ka ndodhur shumë më shpejtë se sa kemi pritur, kryesisht për shkak të trysnisë së jashtëzakonshme, do të thoja pozitive, që ne kemi ushtruar mbi politikanët. Aktualisht, ne kemi dy instrumente. Një propozim direktivë që do të adresojë paditë ndërkufitare, që nënkupton se do të bëhet më e vështirë për dikë që të padisë në Londër një gazetar nga Malta, një gjë që tani ndodh shpesh. Dhe ne kemi një rekomandim, i cili i udhëzon anëtarët e Bashkimit Evropian se si t’i trajtojnë këto raste. Ajo që mungon është një direktivë se si të trajtohen paditë në nivel kombëtar. Një gjë e tillë për momentin është e vështirë për shkak se Bashkimi Evropian nuk ka kompetencë që të ndërhyjë në vendet anëtare deri në atë nivel. Nëse ka vullnet politik, këto dy instrumente normalisht që do të ndihmonin.

Zëri i Amerikës: Dihet tashmë se paditësit janë kryesisht njerëz me pushtet ekonomik dhe politik. A prisni të ketë rezistencë të brendshme nga vendet anëtare që t’i miratojnë këto ligje?

Flutura Kusari: Në lidhje me aprovimin e këtyre masave, ne deri më tani kemi punuar me shumë shtete anëtare të BE-së dhe shumica e tyre e mbështesin këtë iniciativë. Për këtë arsye, ato janë vetëm në fazën e parë të tyre. Kemi disa shtete që janë më hezituese, si Republika Çeke. Por ne jemi duke punuar në këtë drejtim dhe do të flasim me ministrinë e drejtësisë, do të flasim edhe në emër të familjes Daphne, të cilët janë pjesë e kësaj iniciative. Në fakt, është shumë e vështirë t’i thuhet jo miratimit të ligjit Daphne. Kështu që ne kemi shpresë se ai do të miratohet nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.

Zëri i Amerikës: Zonja Kusari, sa i përhapur është ky fenomen në Ballkan? A ka padi të kësaj natyre dhe cilin vend do të rendisnin si më problematik në këtë aspekt?

Flutura Kusari: Problemi i parë që kemi ndeshur kur filluam të dokumentonim paditë ka qenë fakti që gazetarët nuk e kanë njohur konceptin e padive SLAPP. Ata kanë menduar se është normale që ata të mund të paditen. Problemi i dytë ka qënë vështirësia për të bindur gazetarët që të flasin për këto padi sepse një numër i madh i gazetarëve të paditur nuk duan të bëhen vetë tituj të lajmeve, ata duan të raportojnë. Tashmë kemi mbërritur në një fazë, ku një pjesë e madhe e gazetarëve e dinë këtë dhe ne kemi dokumentuar raste, sidomos në Shqipëri, për shembull rasti i BIRN Albania dhe ai i gazetarit Artan Rama që janë në shënjestër të padive SLAPP për shkak të punës së mirë investigative që ata kanë bërë. Në Kosovë, së fundmi e kemi këngëtarin Gjiko, i cili akuzohet për dhunimin e një të miture dhe ka ngritur padi SLAPP ndaj dy gazetarëve për shkak se ata e kanë kritikuar dhe kanë raportuar për të. Në Serbi kemi një medium investigativ që ka rreth dhjetë padi aktive. Pra, kemi prova të mjaftueshme që, në njërën anë ky është një problem në Ballkan, dhe në anën tjetër, kërkohet që të ndërmerren masa dhe këto masa mund të vijnë vetëm nëse ka vullnet politik.

Zëri i Amerikës: Çfarë do t’u thoshit atyre, që thonë se paditë në fund të ditës, synojnë drejtësi, dhe që e shohin si një mënyrë për të luftuar shpifjet mediatike...

Flutura Kusari: Po, secili person që pretendon se i është dëmtuar reputacioni duhet të ketë të drejtën t’i qaset sistemit gjyqësor, të ketë qasje në drejtësi. Këto mekanizma synojnë ta bëjnë më të vështirë për të gjitha ata persona të fuqishëm, biznesmenë, politikanë, të cilët duan të abuzojnë me të drejtën e qasjes në drejtësi, për shembull, duke ushtruar padi që nuk kanë bazë fare ose janë të ekzagjeruara. Këto instrumente do të krijojnë vështirësi për këtë persona për shkak se një prej çështjeve që do të adresojnë është që në qoftë se bëhet një padi, atëherë gjykata do të detyrohet që shumë shpejtë të hedhë poshtë padinë, nëse ajo është e llojit SLAPP, në mënyrë që gazetarët të mos përfundojnë me vite të tëra para gjykatave dhe të mos detyrohen të paguajnë avokatë dhe të kenë shpenzime. Pra, qëllimi i këtyre padive është që t’i shkurajojë ata prej raportimeve...por edhe t’i mbajë të zënë me procedura gjyqësore. Një gazetar që ka dhjetë padi aktive e ka të pamundur të bëjë gazetari. Pra, askujt nuk po i cënohen të drejtat, vetëm se po krijohen vështirësi për të gjithë ata SLAPP-ista kudo që janë.

Zëri i Amerikës: Çfarë mund të bëhej për Ballkanin Perëndimor, si mund t’u shpëtonin, gazetarët dhe akvistët proceseve të tilla gjyqësore?

Flutura Kusari: Janë disa masa që mund të ndërmerren. Fillimisht nga perspektiva shtetërore, duhet të kemi politikanë të mirë që janë të interesuar të garantojnë dhe fuqizojnë lirinë e shprehjes, të cilët deri më tani, për shkak se rekomandimi ka hyrë në fuqi, do të duhej të dinin që ekziston dhe të fillojnë të mendojnë se si ta zbatojnë. E dyta, kur gazetarët paditen ata së pari kanë nevojë për solidaritet dhe së dyti ata kanë nevojë për ndihmë financiare. Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, aty ku punoj unë, ofron mbështetje financiare dhe paguan avokatët në mënyrë që ata të përfaqësohen si duhet. Pra, ka ndihmë për këta gazetarë. Unë ftoj të gjithë gazetarët që të raportojnë me përgjigjësi dhe sa herë që ballafaqohen me padi të flasin, të na kontaktojnë dhe së bashku të bëjmë një strategji për të përgatitur mbrojtjen. Dua të them edhe një gjë, një faj të madh për abuzimin me procedurat gjyqësore e kanë edhe disa prej avokatëve. Ka avokatë të mirë që na ndihmojnë në punën tonë. Por, ka edhe avokatë jo të mirë, të cilët janë duke i mundësuar këto padi. Ajo që bëjmë ne është që të sigurohemi, në Kosovë ne themi që “t’i bëjmë hor”, të nxirren emrat e këtyre avokatëve në mënyrë që të gjithë ta dinë që këto procedura janë duke u abuzuar nga personat e fuqishëm dhe avokatët. Këtë do të vazhdojmë ta bëjmë edhe në të ardhmen.

XS
SM
MD
LG