Presidenti Joe Biden njoftoi të enjten një ndihmë shtesë prej 800 milionë dollarësh për Ukrainën në fushën e sigurisë, ku përfshihen artileri e rëndë, automjete dhe dronë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, armatimet do të mbështesin nevojat e ushtrisë ukrainase ndërsa Rusia përpiqet ta përqëndrojë luftën në rajonin e Donbasit.
Ndërsa Moska po ndryshon strategjinë për të intensifikuar ofensivën e saj në pjesën lindore të Ukrainës, ushtarët ukrainas po rrisin praninë e tyre në rajonin e Luhanskut – një përpjekje që Presidenti Joe Biden dëshiron ta mbështesë.
“Po njoftoj 800 milionë dollarë të tjera për të rritur më tej kapacitetet e Ukrainës për të luftuar në Lindje dhe në rajonin e Donbasit”, tha Presidenti Biden.
Paketa përfshin artileri të rëndë, predha artilerie, automjete dhe dronë. Kjo është një ndihmë shtesë që pason 800 milionë dollarë ndihma të tjera të njoftuara javën e kaluar.
Nga paketa për financimin e Ukrainës me vlerë prej 13.6 miliardë dollarësh që Presidenti Biden nënshkroi në fuqi në muajin mars, 3.25 miliardë dollarë janë caktuar për ndihma ushtarake për Ukrainën dhe disa miliarda për ndihmë ekonomike, humanitare dhe asistencë në fushën e sigurisë.
"Presidenti kishte thënë se do t'i kërkonte Kongresit më shumë. Do mësojmë për këtë në vazhdim dhe do ta shqyrtojmë sa më shpejt që të mundemi javën e ardhshme", tha Nancy Pelosi, Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve.
Zonja Pelosi u takua me Kryeministrin ukrainas Denys Shmyhal.
"Kemi nevojë për sanksione dytësore. Kemi nevojë për një paketë të gjashtë sanksionesh dhe po punojmë së bashku. Gjithashtu kemi nevojë për fonde për personat e zhvendosur brenda vendit, për të mbështetur financiarisht refugjatët tanë anembanë botës", tha Denys Shmyhal, Kryeministër i Ukrainës.
Moska ka publikuar pamjet nga testimi i një rakete balistike ndërkontinentale, për të cilën tha se ka ndodhur në fillim të kësaj jave dhe se duhet t'i bëjë armiqtë e Rusisë të mendohen dy herë.
Shtëpia e Bardhë e refuzoi këtë interpretim.
"Ata kishin bërë njoftim paraprak se planifikonin ta testonin këtë raketë, sipas detyrimeve të parashikuara në traktatin e ri START. Departamenti i Mbrojtjes tha sot se ne nuk e konsiderojmë këtë testim një kërcënim për Shtetet e Bashkuara ose aleatët e saj", tha Jen Psaki, Sekretare e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë.
Por nëse Presidenti rus Vladimir Putin i drejtohet armëve bërthamore për të dalë nga një situatë e vështirë ushtarake në Ukrainë, Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të përgatitura.
"E vetmja pikë e fortë e Putinit është se ai ka një nuhatje për dobësinë. Dhe ai ndjen dobësi në përgjigjen e Perëndimit, përfshirë përgjigjen e Shteteve të Bashkuara ndaj kërcënimeve të tij bërthamore", thotë John Herbst, nga Këshilli i Atlantikut.
Presidenti Biden njoftoi gjithashtu një program të ri për të përshpejtuar proceset e emigracionit në Shtetet e Bashkuara për refugjatët ukrainas, si dhe ndalimin e hyrjes së anijeve të lidhura me Rusinë në portet amerikane, duke iu bashkuar kështu Evropës dhe Kanadasë në fushatën më të fundit të presionit ndaj Moskës.